Platforma shqiptare kusht për formimin e qeverisë së re

Platforma shqiptare kusht për formimin e qeverisë së re

Partitë shqiptare kanë vazhduar të mbështesin Platformën e përbashkët pavarësisht kërcënimeve që vijnë, pasi ata konsiderojnë se kjo platformë do të jetë një hap para drejt procesit të integrimit të vendit në struktura euro-atlantike.

Kriza e thellë politike e kohëve të fundit në Maqedoni, lidhur me çështjet e përgjimeve si edhe të akuzave për dhënie ryshfeti dhe afera tjera, e nisur para dy viteve tashmë si duket po merr një kahe tjetër. Zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 Dhjetor të vitit 2016, krijuan një situatë akoma më të komplikuar për shkak se asnjëra parti politike nuk arriti të fitojë shumicën e mjaftueshme të votave për të formuar qeverinë.

Partia maqedonase e cila për 10 vite kishte mbajtur pushtetin VMRO DPMNE, e ish kryeministrit Nikolla Gruevski u mundua që përmes kërcënimeve të detyrojë partnerin shqiptar që të krijojnë qeverinë, por e gjithë kjo tentativë rezultoi e pasuksesshme. Pas këtij dështimi situate e sigurisë u përkeqësua. Në anën tjetër preferencat e partive shqiptare dhe të opinionit u orientuan kah partia opozitare maqedonase LSDM, e Zoran Zaevit, e cila u prezantua me një platformë qytetare që synonte pajtimin e kushtëzuar në mes dy etniteteve dhe kështu ai arriti të merr nënshkrimet e nevojshme të deputetëve shqiptar për të nisur procesin e krijimit të qeverisë së re.

Koalicionimi i partive shqiptare me LSDM, si duket po i hap rrugë zgjidhjes së krizës politike në vend, por në anën tjetër kjo ka rritur tensionet ndëretnike. Ndasitë etnike dhe urrejtja nacionale janë të nxitura nga VMRO-DPMNE, e cila Platformën e partive shqiptare e sheh si një kërcënim serioz për etnitetin maqedonas dhe themelet e këtij shteti. Madje këta janë të gatshëm që të shkojnë në burg vetëm e vetëm që të mos përmbushen kërkesat që dalin nga Platforma shqiptare, pa të cilën nuk mund të ketë qeveri. Pala maqedonase ka shkuar edhe më tej duke krijuar një platformë maqedonase me të cilën do t’i kundërvihen platformës shqiptare, platformë kjo që nuk cenon aspak etnitetin maqedonas, por janë të drejtat themelore të cilat me Kushtetutë u takojnë shqiptarëve.

Situata mund edhe të përshkallëzohet nëse Zaev, formon qeveri me shqiptarët dhe bën ndryshimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe që duhet të përdoret në nivel qendror në të gjitha institucionet e jo vetëm në ato komuna ku ka më shumë se 20 për qind shqiptar kanë paralajmëruar nga partia e VMRO-DPMNE-së. Në anën tjetër partitë shqiptare kanë vazhduar të mbështesin Platformën e përbashkët pavarësisht kërcënimeve që vijnë, pasi ata konsiderojnë se kjo platformë do të jetë një hap para drejt procesit të integrimit të vendit në struktura euro-atlantike. Kërcënimet dhe fjalorin racist të zyrtarëve të VMRO-DPMNE-së, e kanë dënuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtar të cilët kërkojnë që sa më shpejt të formohet qeveria dhe të përmbushen të gjitha rekomandimet që kërkohen nga Këshilli Evropian.

Me reagimet e fundit përfaqësuesit ndërkombëtar kërkojnë që vendi të ndryshojë kahen e veprimit dhe të orientohet nga Evropa dhe NATO, si dhe të shmang rrugën drejt bllokut rus që tenton të shtrijë ndikimin në Ballkan. Madje edhe disa lider të vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë kërkuar që NATO të forcojë ndikimin e saj për të parandaluar shtrirjen e ndikimit rus në këto vende.

Please publish modules in offcanvas position.