Klasa politike fshihet pas Platformës Shqiptare dhe Shtetit Unitar

Klasa politike fshihet pas Platformës Shqiptare dhe Shtetit Unitar

Kriza politike në Maqedoni, vazhdon të thellohet edhe më shumë pavarësisht faktit se tashmë deputetët janë ulur në kolltukët e tyre.

Qëndrimet e deputetëve që kanë krijuar shumicë me ato të opozitës që në këtë rast është VMRO-DPMNER, janë shumë të ndryshme dhe gjasat që qëndrimet të përafrohen janë minimale. Në anën tjetër sinjalet jo vetëm të ekspertëve, por edhe të deputetëve janë se kriza politike që ka përfshirë vendin do të zgjatet edhe më tej pa mos precizuar ndonjë muaj apo vit. Thellimit të krizës politike në vend nga pak i ndihmojnë të gjitha subjektet politike që janë të përfaqësuara në kuvendin e Maqedonisë.

Në anën tjetër VMRO-DPMNE e cila ka 51 deputet nuk lëshon për asnjë çështje duke i pamundësuar shumicën që të formojë organet e kuvendit dhe të zgjedh qeverinë e re. Në këtë mes është edhe LSDM e cila ka mbështetjen e partive politike shqiptare e cila nuk po gjen mekanizma për të krijuar qeverinë e re.

Ndoshta loja e Zaevit që të bind Gruevskin se në marrëveshjen me shqiptarët nuk ka asgjë nga Platforma Shqiptare dhe në anën tjetër loja me BDI dhe ASH se të drejtat e shqiptarëve do të avancohen ka bërë që zgjedhja të duket shumë larg.

Insistimi i ndërkombëtarëve që Maqedonia sa më shpejt të ketë qeveri dhe të përshpejtojë hapat për tu integruar në BE dhe në strukturat euroatlantike deri tani ka mbetur vetëm në sferën e deklaratave pa ndonjë rezultat konkret. Interesimi i ndërkombëtarëve për të larguar Gruevskin nga pushteti dukshëm është zbehur pas zgjedhjeve të fundit parlamentare për arsye të ndryshme, madje ata nuk i kanë dhënë mbështetje as Platformës Shqiptare të cilën e shohin si një përpjekje të subjekteve politike shqiptare që para faktorit maqedonas të jenë më të unifikuar. Por beteja e brendshme politike mund të eskalojë në një konflikt ndoshta ndëretnik një skenar që i shkon përshtati VMRO-DPMNE, e cila ka mbështetjen e Rusisë.

Ndikimi rus dhe ai amerikan në Ballkan ka shtrirjen edhe në Maqedoni, përmes formave të ndryshme kurse në Maqedoni ky ndikim është më i zbehtë dhe kjo ka bërë që kriza politike të tejkalojë të gjitha limitet e mundshme. Senatori amerikan dhe shefi i komitetit të Senatit për forcat e armatosura ,John McCain, ka deklaruar se është shumë i brengosur për shkak të tensioneve, rivalitetit dhe potencialit të konfrontimit në Ballkan.

Shqetësimin amerikan për Ballkanin e ka shprehur edhe senatori McCain i cili ka përmendur se gjenerali Curtis Scaparrotti, i ka thënë se mos anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do të ishte katastrofë absolute si dhe pasojat do të tronditnin të gjithë rajonin. Ai ka paralajmëruar se SHBA këtë javë do të ratifikojë Protokollin për hyrje të Malit të Zi në NATO, shkruan “EËB”. “Kjo kërkon vëmendjen e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe të gjithë aleatëve që të përpiqen të parandalojnë kërcënimet e krizës”, ka thënë McCain në forumin e Brukselit të fondit gjerman të Marshallit në SHBA.

Përderisa amerikanët përpiqen të stabilizojnë Ballkanin, klasa politike në Maqedoni tenton të shpëtojë nga aferat korruptive dhe kriminale duke u fshehur pas Platformës Shqiptare dhe shtetit unitar. Pasojat e situatës së krijuar në Maqedoni, nuk i mbartin deputetët të cilët tashmë kanë siguruar të drejtën e tyre për të marrë paga të majme nga buxheti i shtetit, por do ti kenë punëtorët të cilët mund të ngelin pa paga.

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.