Institucionet lokale gjenden para bllokadës së përgjithshme

Institucionet lokale gjenden para bllokadës së përgjithshme

Kulmi i krizës politike dhe ekonomike në Maqedoni, mund të shpërthejë në mesin e muajit Maj, atëherë kur kompetencat e kryetarëve dhe këshillave të komunave do të marrin fund, dhe me këtë do të bëhet bllokimi i këtyre institucioneve.

Situata politike në Maqedoni, tashmë ka hyrë në fazën më kritike jo vetëm në aspektin politik, por edhe në aspektin ekonomik dhe atë të sigurisë. E ardhmja e Maqedonisë po testohet jo vetëm nga faktorë të jashtëm, por kjo po bëhet reale nga vetë maqedonasit të cilët nga mungesa e zhvillimit demokratik po e pengojnë ecjen e Maqedonisë përpara dhe ngritjen e shtetit ligjor.

Në anën tjetër deputetë të cilët tashmë pothuajse më tepër se një muaj janë ulur në kolltukët e tyre vetëm për të nisur lojën e famshme atë të ngjashme me aktorët në Teatër. Për dallim nga aktorët që luajnë për një shumë simbolike, deputetët aktrojnë për shuma shumë më të mëdha. Kjo lojë ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët të cilët i fajësojnë të gjitha partitë politike të cilat nuk mund ta nxjerrin vendin nga kriza.

Verifikimi i mandatit nga ana e deputetëve nën drejtimin e ish kryetarit Trajko Veljanovski, ishte gabimi i parë i deputetëve të opozitës të cilët për të hyrë në listën e pagave i dhanë legjitimitetin ish kryetarit të mëparshëm i cili tashmë nuk po e lëshon vendin. Janë shumë kontradiktore edhe qëndrimet e liderit të opozitës Zoran Zaev i cili ka mbështetjen e deputetëve shqiptar për shkak të mungesës së një platforme se si do të zgjidhet ngërçi politik. Loja e tij se nuk ka ndryshim të Kushtetutës dhe se nuk do të pranojë Platformën e partive shqiptarë në tërësi, ka shtuar dozën e pesimizmit te deputetët shqiptare.

Zgjidhja e krizës politike duket të jetë shumë larg, këtë e konfirmojnë edhe përfaqësuesit ndërkombëtar të cilët nuk kanë arritur të bindin ish kryeministrin Gruevski, që të dorëzojë pushtetin në mënyrë paqësore. Pavarësisht të gjitha zhvillimeve politike në vend, vendi vazhdon të drejtohet nga një qeveri e ashtuquajtur teknike e cila pothuajse funksionon pa ndonjë pengesë, ndërsa zyrtarët qeveritar vazhdojnë të promovojnë projekte në të gjitha fushat.

Kulmi i krizës politike dhe ekonomike në Maqedoni, mund të shpërthejë në mesin e muajit Maj, atëherë kur kompetencat e kryetarëve dhe këshillave të komunave do të marrin fund, dhe me këtë do të bëhet bllokimi i këtyre institucioneve. Pasojat do të jenë të paparashikueshme për shkak se mos funksionimi i komunave do të paralizojë edhe funksionimin e shkollave fillore dhe atyre të mesme të cilat janë nën kompetencat e pushtetit lokal.

Administrata komunale dhe punëtorët arsimor do të ngelin pa paga, duke krijuar kushte për trazira të mundshme me karakter social. Nëse ndodh kjo atëherë drejtuesit politik të vendit do të gjenden para një sfide shumë të vështirë, madje duke akuzuar njëri tjetrin si fajtor të kësaj krize. Shpëtimi i vetëm që vendi të mos zhytet në krizë dhe të shmang trazirat sociale është shpallja e zgjedhjeve lokale nga ana e kuvendit të Maqedonisë.

Në këtë drejtim ditët e fundit disa lider kanë intensifikuar kërkesat për një takim të ri të liderëve politik, kërkesë kjo e cila është refuzuar nga ana e LSDM-së, me arsyetimin se vendi nuk ka nevojë për takim të ri të liderëve për shkak se kjo parti ka numrin e mjaftueshme të votave për të formuar qeverinë e re. Në anën tjetër shpallja e zgjedhjeve lokale nuk mund të bëhet pa u zgjedhur kryetari i ri parlamentit të Maqedonisë, dhe organeve tjera të kuvendit.

Kalkulimet e partive se kush do të përfitojë politikisht nga kjo situatë shkon në dëm të qytetarëve të vendit të cilët po përballen me problem të shumta, ndërsa pohimet e faktorit ndërkombëtar për masa ndëshkuese ekonomike ndaj vendit tonë gjithnjë e më tepër po shtohen.

Hapi i parë që vendi të del nga kriza është shpallja e zgjedhjeve lokale dhe caktimi i kompetencave të kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, pastaj formimi i qeverisë së re me një konsensus të përgjithshëm, dhe hapi i tretë do të jetë mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare si dhe zgjatja e mandatit të PSP. Këto masa nga ekspertët shihen si masa adekuate të cilat mund të nisin procesin e zgjidhjes së krizës politike e cila zgjat më shumë se dy vite.

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.