Kush e ka renditur Kuranin?

Kurani Famëlartë ndahet në sure dhe në ajete. Ndarja më e vogël e Kuranit janë ajetet ose vargjet, të cilat herë herë janë të shumë të shkurtra dhe përmbajnë disa shkronja, e ndonjëherë më pak të shkurtra dhe përmbajnë një fjali ose të shkurtër ose të gjatë dhe ndonjëherë të gjata dhe përmbajnë disa fjali të cilat mund të zënë edhe një faqe Kurani.

Surja që i ka zbritur Profetit (s.a.s) në takimin e parë që ka pasur me Xhibrilin (a.s) në shpellën e Hiras, është surja Alak e cila është e renditur në Kuran surja e nëntëdhjetë e gjashtë dhe surja e dytë që i ka zbritur Profetit (s.a.s) pas largimit nga shpella e Hiras është surja El-Mudethir, e renditur në Kuran si surja e shtatëdhjetë e katërt. Ndërsa për sa i përket ajeteve, i fundit që i ka zbritur Profetit (s.a.s) është ajeti “Kijeni frikë atë ditë në të cilën do të ktheheni tek Allahu” [Surja Bekara: 281].

Kurani Famëlartë, fillon me suren Fatiha dhe mbaron me suren Nas. Duke qenë se ajetet e para të tij kanë qenë ato të sures Alak, kush e ka renditur Kuranin në këtë mënyrë?
Të gjithë dijetarët e Islamit janë në një mendim të përbashkët se renditja e ajeteve brenda sureve është bërë prej Profetit (s.a.s) me udhëzim nga Xhibrili (a.s).
Ibn Abasi tregon se hz. Osman bin Affani (r.a) i ka thënë: “Profetit (s.a.s) ndonjëherë i kalonte kohë dhe nuk i zbriste gjë nga suret e gjata dhe kur i zbriste diçka e re thërriste ndonjë prej atyre që shkruanin dhe i thoshte: vendose këtë në atë sure ku thuhet kështu e kështu! Pastaj i zbrisnin ajete të tjera dhe thoshte: vendose këtë në atë sure që thuhet kështu e kështu…” e transmeton imam Ahmedi dhe Tirmidhiu dhe e saktëson Hakimi dhe imam Dhehebiu.

Suret e Kuranit janë klasifikuar sipas origjinës së tyre, në sure Mekase dhe në Medinase. Një sure cilësohet Mekase, kur fillimi i saj ka zbritur gjatë periudhës kur Profeti ka qenë në Mekë, edhe pse kjo mund të përmbajë vargje të zbritura në Medinë. Nga ana tjetër, një sure tjetër cilësohet Medinase, nëse fillimi i saj ka zbritur gjatë periudhës kur Profeti ka qenë në Medine, edhe pse ajo mund të përmbajë vargje të zbritura në Mekë.

Kurani përbëhet nga 114 sure, me gjatësi të ndryshme. Më e shkurtra përmban vetëm tre vargje (surja Keuther) dhe më e gjata 286 vargje (surja Bekara). Të gjitha suret fillojnë me shprehjen Bismil-lâhir Rahmân-ir Rahîm (“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit”) me përjashtim të sures Teube e cila e ka në brendësi të saj këtë shprehje.

Të gjitha suret e Kuranit kanë nga një emër që shërben si titull. Këto emra mund të jenë qoftë fjalë të tekstit, si psh. El-Enfâl (surja 8) ose El-Bekare (surja 2), qoftë një nga fjalët e para të sures, si psh. Tâ-Hâ (surja 20) ose El-Furkân (surja 250).

Transmeton Uathile bin Usku (r.a) se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Më është dhënë në vend të Teuratit shtatë suret e gjata, në vend të Zeburit suret me një qind ajete, në vend të Inxhilit suret e përsëritura (ato që kanë më pak se njëqind ajete) dhe më ka veçuar Allahu me suret e shkurtra” [Taberani]. Nisur nga kjo dijetarët i kanë ndarë suret në katër lloje:

-Et-tivâl, suret e gjata (surja Bekara – surja Teube)

-El-mâ’ûn, suret që kanë afërsisht 100 vargje (surja Junus – surja Fatir)

-El-methânî, suret që kanë më pak se 100 vargje (surja Ja Sin – surja Huxhurat)

-El-mufassal, pjesa e fundit e Kuranit, (surja Kaf – surja Nas).

Please publish modules in offcanvas position.