Në Turqinë e Erdoganit shtohet numri i ateistëve

Në Turqinë e Erdoganit shtohet numri i ateistëve

Gjithnjë e më shumë njerëz në Turqi po i kthejnë shpinën fesë. Numri i ateistëve po shtohet. Fajtore është politika e Erdoganit. Kështu thuhet në sondazhet e fundit.

"Në Turqi ekziston një lloj detyrimi fetar. E kjo po e pengon një numër gjithnjë e më të madh njerëzish. Aty pyesin: "A është ky islami i vërtetë?". Kur shikon politikën që  ndjekin pushtetmbajtësit, ajo që po përjetojmë tani është feja islame e epokës dhe e formës fillestare."

Kështu thotë Ahmet Balyamez. 36-vjeçari e quan veten ateist në 10 vitet e fundit. "Unë vij nga një familje bukur fetare. Agjërimi dhe lutjet kanë qenë për mua normale", shpjegon ai kohën para se të vendoste të bëhej ateist.

Sipas një ankete të bërë publike së fundi nga instituti prestigjoz për hulumtimin e opinionit, Konda, numri i njerëzve që e quajnë veten ateistë po shtohet. Qarqet konservatore fetare thonë, se shoqëria turke është e përbërë 99% prej myslimanëve. Edhe Ministria për Çështje Fetare DIYANET, ka publikuar të dhënat e saj në vitin 2014, ku thuhet se 99,2 % e popullatës së Turqisë deklarohen si myslimanë. Ndaj sondazhi i fundit ka shkaktuar debate shumë të ashpra në Turqi.

Parë nga të dhënat e fundit të Institutit, numri i ateistëve është trefishuar në 10 vitet e fundit. Ndërkohë që përqindja e atyre që deklarohen si myslimanë ka rënë nga 55 në 51 %.

Studiuesi i teologjisë Cemil Kilic ka botuar shumë libra. Ai është i mendimit se 99 % e popullatës turke janë myslimanë, por shumë prej tyre mendojnë se feja islame luan në radhë të parë një rol kulturor dhe sociologjik.

Si fetarë quhen ata persona, që rregullisht luten, udhëtojnë në Mekë apo mbajnë shami koke, thotë Kilic. Por feja islame është më shumë se një ritual, thekson ai. "Nëse një njeri është fetar apo jo, medoj se kjo duhet të varet edhe nga përkatësia e tij etnike apo vlerat që përfaqëson. Shikuar vetëm nga praktimimi i besimit, atëherë mendoj se në Turqi janë myslimanë vetëm rreth 60 % e njerëzve", thotë Kilic.

Lutjet dhe pushteti

Studiuesi i referohet kur flet të dhënave të fundit të sondazheve. "Shumica e myslimanëve në Turqi janë si Umajadët e shekullit të shtatë. Lutjet në Kur'an kanë karakterin e kundështimit të padrejtësive. Ndërsa Umajadët i shohin lutjet e përditshme si një akt bindjeje ndaj sulltanit, shtetit dhe pushtetit.”

Në fakt, lutjet janë diçka me të cilat duhet t'i drejtohemi Zotit, thotë Kilic. Por është fakt: Në Turqi kjo nuk është kështu. "Lutjet e rregullta janë bërë një shprehje e bindjes ndaj pushtetit politik. Edhe në xhami dëgjohen gjithnjë e më shumë imamë, të cilët reflektojnë politikanë e pushtetit të tanishëm."

Kilic e vlerëson këtë debat edhe në kuadër të vlerave universale të njeriut, të vetëdijes dhe arsyes. "Disa nga ateistët u përmbahen vlerave  etike dhe shoqërore më mirë se shumë myslimanë”, pohon Kilic.

Ai rikujton se Turqia në 17 vitet e fundit qeveriset nga pushtetarë fetarë. Në pyetjen nëse njerëzit në Turqi janë bërë gjatë kësaj kohe më fetarë, ai përgjigjet negativisht: "Njerëzit kundërshtojnë kuptimin e tanishëm të fesë nga pushtetarët, nga sektet dhe shoqatat fetare dhe kështu shprehin qëndrimin ndaj Ministrisë për Çështje Fetare dhe qeveritarëve. Ata e kundërshtojnë këtë lloj feje dhe devotshmërie."

"Ateistët kanë pasur të drejtë"

Selin Özkohen është kryetari i shoqatës së ateistëve. Erdogani ka për qëllim që të ushtrojë presion ndaj njerëzve që ta pranojnë këtë lloj besimi, ndaj shumë prej tyre janë larguar nga feja.

"Përveç kësaj, kohët e fundit e kanë diskredituar veten edhe sektet dhe bashkësitë fetare. Ne kaherë kemi thënë se shteti nuk duhet të qeverisë me shoqatat fetare dhe kemi pasur të drejtë. E gjitha kjo të çon në konkludimin se njerëzit fetarë po ia kthejnë shpinën fesë dhe për shkaqe humanitare po bëhen ateistë. Sot njerëzit janë më të guximshëm dhe thonë se janë ateistë. Ky mund të jetë edhe shkaku i rritjes së numrit të ateistëve në sondazhet e fundit."

Özkohen është i sigurt: Devotshmëria mund ta çojë një shoqëri vetëm në kaos. "Fetarët bëjnë puçe kundër njëri-tjetrit, ndërsa vet jetojnë në luks. Njerëzit e kanë kuptuar këtë lloj kaosi dhe janë distancuar nga ata. E nëse duam të besojmë me arsye dhe mendje të shëndoshë, dhe të reflektojmë ndaj gjërave, atëherë bëhemi ateistë."

Ateistët në Turqi ende janë nën presionin e shoqërisë dhe nuk mund të flasin hapur, shpjegon Özkohen. Shkaku është - politika.

"Presioni ndërkohë ka filluar edhe në rajone të ndryshme dhe në xhami. Këtë e dëshmon edhe fakti që sot në vitin 2019 e kemi fenë si një lëndë të detyrueshme në shkolla", pohon ai.

link: https://www.dw.com/sq/n%C3%AB-turqin%C3%AB-e-erdoganit-shtohet-numri-i-ateist%C3%ABve/a-47007629

Please publish modules in offcanvas position.