Sondazhi i ri i drejtuar nga OSBE-ja zbulon dhunën kundër grave në Evropën Juglindore dhe Lindore

Sondazhi i ri i drejtuar nga OSBE-ja zbulon dhunën kundër grave në Evropën Juglindore dhe Lindore

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, paraqiti të mërkurën në Bruksel një raport, i cili ofron një pamje të hollësishme të dhunës fizike, seksuale dhe psikologjike që shumë gra dhe vajza kanë qenë të detyruara të durojnë në dhjetëvjeçarin e fundit në Evropën Juglindore dhe Lindore.

Raporti bazohet në një sondazh të vitit 2018 në shtatë shtete pjesëmarrëse të OSBE-së: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Moldavi dhe Ukrainë. Sondazhi u shtri edhe në Kosovë. Gjithsej, u zhvilluan 15,179 intervista me gra të moshës 18 deri 74 vjeç.

“Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një shkelje e të drejtave të njeriut me pasoja të shumanshme. Dhuna jo vetëm kërcënon sigurinë dhe mirëqenien e viktimave të saj, por ndikon edhe në komunitetet dhe shoqëritë ku ato jetojnë,” tha Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger.

“Ky sondazh i udhëhequr nga OSBE-ja hedh dritë për herë të parë në shkallën e përhapjes së dhunës që gratë dhe vajzat pësojnë në këtë pjesë të Evropës,” shtoi ai. “Gjithashtu, sondazhi u ofron politikëbërësve informacionin dhe mjetet e nevojshme për përmirësimin e bazës ligjore dhe politikave kombëtare, si dhe për krijimin e mekanizmave efikase për të mbrojtur më mirë viktimat”.

Synimi i sondazhit ishte realizimi i një studimi cilësor, me të dhëna cilësore, që do të thellonin të kuptuarit e përjetimit të dhunës nga gratë në situata konflikti dhe jo-konflikti. Përveç të dhënave sasiore, sondazhi sjell një këndvështrim unik për shkallën dhe pasojat e dhunës ndaj grave si dhe për normat dhe qëndrimet e gabuara që kanë bërë vend në rajon.

“Dhuna për shkaqe seksuale dhe gjinore në situata konflikti është në vazhdën e dhunës me bazë gjinore, lidhur ngushtë me pabarazitë e ngulitura dhe, më gjerësisht, me shkeljet e barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut për gratë, përfshirë dhunën digjitale e kibernetike,” tha Mara Marinaki, Këshilltare Kryesore për Gjininë dhe Zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Shërbimin për Veprime të Jashtme të BE-së. “Kjo do të thotë se dhuna në familje mund të përbëjë dhunë seksuale me bazë konflikti,” shtoi ajo. Tetëdhjetë për qind e kostos së përgjithshme të projektit u financua nga Komisioni Evropian.

Sondazhi bazohet në metodologjinë e përdorur nga Agjencia e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA) për raportin e saj: “Dhuna ndaj grave: një sondazh në të gjithë Bashkimin Evropian,” publikuar në vitin 2014. Për hartimin e raportit u intervistuan mbi 42,000 gra nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Së bashku, të dy sondazhet mbulojnë 35 shtete pjesëmarrëse të OSBE-së. Meqenëse metodologjitë janë të njëjta, të dhënat e mbledhura për të dy raportet janë të krahasueshme, gjë që e bën më të lehtë planifikimin dhe zhvillimin e iniciativave dhe veprimeve rajonale, si dhe politikave dhe shërbimeve lokale.

Studimi tregon se 70% e grave të intervistuara kanë përjetuar një formë të dhunës që në moshën 15 vjeçare, 45% e të gjitha grave të intervistuara kanë përjetuar të paktën një nga format e ngacmimeve seksuale që në moshën 15 vjeçare dhe 21% e tyre kanë përjetuar dhunë fizike, seksuale ose psikologjike që në fëmijërinë e tyre (deri në moshën 15 vjeçare).

Sipas sondazhit, disa nga faktorët që favorizojnë dhunën ndaj grave janë përkatësia minoritare, mosha e re, varfëria, vartësia ekonomike dhe të pasurit fëmijë. Gjithashtu, gratë që kanë partnerë që pinë, janë të papunë ose kanë marrë pjesë në konflikte të armatosura, janë më të rrezikuara nga dhuna.

Raporti bën një numër rekomandimesh për shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së mbi mënyrën e përdorimit të të dhënave të sondazhit, përfshirë përditësimin dhe zbatimin e legjislacionit vendas për të gjitha format e dhunës kundër grave dhe vajzave, pa lënë mënjanë dhunën në internet, ngacmimin seksual, përndjekjen dhe dhunën psikologjike.

Raporti rekomandon rishikimin dhe monitorimin sistematik të ligjeve dhe politikave më të fundit në luftën kundër dhunës ndaj grave, angazhimin e institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut dhe transparencën në lidhje me mbështetjen që u jepet viktimave, mbështetjen me mjetet e nevojshme të institucioneve kombëtare që punojnë për barazinë gjinore, në mënyrë që ato të përmbushin rolin e tyre të rëndësishëm për zbatimin dhe monitorimin e politikave dhe legjislacionit, si dhe trajnimin e policisë dhe gjyqësorit për mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave duke i vendosur ato në qendër të punës së tyre.

Përveç Komisionit Evropian, sondazhi u mbështetje edhe nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, UN Women dhe UNICEF-i, si dhe nga qeveritë e Gjermanisë, Norvegjisë, Suedisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Italisë, Austrisë dhe Finlandës.

Një kopje e raportit mund të shkarkohet në https://www.osce.org/secretariat/413237

Please publish modules in offcanvas position.