OBSH: Epidemia në Azi nuk ka përfunduar

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sot paralajmëroi se, edhe pse vëmendja është riorientuar në epiqendrat në pjesën perëndimore të Evropës dhe në Amerikën Veriore, epidemia e koronavirusit të ri është “larg përfundimit” në Azi dhe Oqeanin Paqësor.

Duke u bërë thirrje autoriteteve në të gjitha nivelet në rajon të qëndrojnë të angazhuar në përpjekjet kundër koronavirusit, drejtori rajonal i OBSH për Paqësorin Perëndimor, Takeshi Kasai deklaroi se kjo luftë do të jetë afatgjate dhe duhet që secili vend të vazhdojë te reagojë në pajtim me situatën lokale.

Ai potencoi se OBSH është e vetëdijshme se nuk ekziston qasje e vetme, por se ekzistojnë taktika të përbashkëta.

“Ato janë: zbulim i hershëm, izolim dhe testim i të infektuarve, zbulim i shpejtë i kontakteve dhe vendosja në karantinë si dhe ndërmarrja e masave për distancim social, me qëllim që të parandalohet transmetimi i virusit dhe të ngadalësohet epidemia”, potencoi Kasai.

Sipas tij, shtetet edhe mëtej duhet të jenë të gatshme për rritjen e numrit të të infektuarve.

“Duhet ta kemi të qartë se edhe krahas të gjitha masave, nuk zhduket rreziku nga përhapja e epidemisë. Kjo vetëm na jep kohë të përgatitemi edhe më tutje”, potencoi Kasa.

Sipas të dhënave të fundit në bot nga koronavirusi janë infektuar 789.787 persona, prej të cilëve pothuajse 29.500 janë në gjendje të rëndë apo kritike, ndërsa kanë vdekur 38.100 njerëz.