OBSH: Koronavirusi sulmon persona gjithnjë e më të rinj

OBSH: Koronavirusi sulmon persona gjithnjë e më të rinj

Gjithnjë e më shumë të rinj kanë formë më të rëndë ose vdesin nga koronavirusi i ri, paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ekspertët e OBSH-së tentojnë të zbulojnë se pse gjithnjë e më shumë pacientë të shëndetshëm, të cilët më parë nuk kishin pasur sëmundje kronike, ndodhen në repartet për trajtim intensiv me forma të rënda të infeksionit.

“Akoma ka shumë të panjohura për momentin. Në përgjithësi, shumica e pacientëve të cilët kanë formë të rëndë të Kovid-19 dhe që janë pranuar në trajtim intensiv, janë persona më të rritur dhe zakonisht kanë një ose më shumë sëmundje kronike. Megjithatë, ajo që vërehet në disa vende është se pacientët e moshës 30, 40 dhe 50 vjeç shumë shpesh përfundojnë në sektorin për trajtim intensiv, ndërsa rastet gjithnjë e më shumë përfundojnë me vdekje”, deklaroi ekspertja e OBSH-së, doktor Maria Van Kerhoe në pres konferencën në Gjenevë.

Deklarata e ekspertëve të OBSH-së vjen në momentin kur një djalosh 13-vjeçar pa kurrfarë problemesh paraprake shëndetësore, vdiq të hënën nga Kovid-19 në spitalin e Londrës. Në Kore një në gjashtë raste të vdekjes si pasojë e koronavirusit të ri, janë persona të moshës nën 60 vjeç, tregojnë të dhënat statistikore të OBSH-së.

Në Itali rreth 10 deri në 15 për qind e njerëzve, të cilët kanë vdekur pas trajtimit intensiv në spital, kanë qenë nën moshën 50 vjeç.

Javën e kaluar në Britani të Madhe vdiq një vajzë 21-vjeçare e infektuar me koronavirus, pa pasur probleme shëndetësore më parë.