Shkatërrohet banda shqiptare në Spanjë, policia me ndërhyrje speciale

400 agjentë të Gardës Civile në Ibiza, Malaga, Barcelona dhe Tenerife kanë marrë pjesë në operacionin e koduar “Dragon Ball”.

Policia ka shkatërruar një bandë shqiptare që merrej me trafik droge në Spanjë. Ndërhyrja është bërë me pajisje të sofistikuara dhe është ndarë në dy faza, më 13 dhe 17 shtator.

Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, armë zjarri, sasi të mëdha parash dhe dokumente që mund të lidhen me pastrim parash nga veprimtari kriminale.

Bashkë me grupin shqiptar është goditur dhe një grup italian i lidhur me “Ndranghetën”, shkruajnë mediat e huaja.

Droga e sekuestruar arrin në 18 kilogramë metamfetaminë me të cilën mund të ishin prodhuar 870 mijë pilula ekstazi, 4,5 kilogramë kokainë, një plantacion kanabisi, me 600 bimë marihuanë, sasi të konsiderueshme substancash të tjera dhe mjete peshimi. Gjithashtu janë konfiskuar dy armë zjarri, 330 mijë euro para ‘cash’ dhe 23 automjete të tipit të lartë.

Janë bllokuar 116 llogari rrjedhëse dhe 15 prona të përdorura për pastrim parash.