Pamje që tregojnë kufijtë e Rusisë ndërsa rusët po ikin “nga të gjitha anët” – pas thirrjes për mobilizim ushtarak

Pamje që tregojnë kufijtë e Rusisë ndërsa rusët po ikin “nga të gjitha anët” – pas thirrjes për mobilizim ushtarak

Radhët janë shtuar përgjatë kufirit të Rusisë, ndërsa burrat përpiqen të largohen nga vendi mes një thirrjeje ushtarake për luftën në Ukrainë.

Presidenti Vladimir Putin njoftoi një mobilizim të pjesshëm ushtarak të mërkurën, ku mund të thirren 300,000 njerëz për të shërbyer në luftë.

Kremlini thotë se raportet për arratisjen e burrave në moshë luftimi janë të ekzagjeruara.

Por në kufirin me Gjeorgjinë, janë krijuar radhë të gjata me kilometra me automjete duke përfshirë burra që përpiqen t’i shpëtojnë luftës.

Një burrë, i cili nuk donte të tregonte emrin ka thënë për BBC se ai kishte rrëmbyer pasaportën dhe ishte nisur drejt kufirit, pa paketuar asgjë tjetër, menjëherë pas njoftimit të presidentit Putin – sepse ai ra në grupin që mund të dërgohej në luftë.

Disa dëshmitarë vlerësuan se radha e makinave në pikën e kontrollit të “Larsit të Epërm” ishte rreth 5 km (3 milje) e gjatë, ndërsa një grup tjetër tha se iu deshën shtatë orë për të kaluar kufirin.

Madje disa pamje nga vendi i ngjarjes tregoi disa shoferë duke lënë makinat ose kamionët e tyre përkohësisht në bllokim të trafikut.

Gjeorgjia është një nga vendet e pakta fqinje ku rusët mund të hyjnë pa pasur nevojë të aplikojnë për vizë.

Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1,300 km (800 milje) me Rusinë, kërkon një vizë për udhëtim dhe gjithashtu raportoi një rritje të trafikut gjatë natës – por tha se ishte në një nivel të menaxhueshëm.

Destinacione të tjera të arritshme me aeroplan – si Stambolli, Beogradi ose Dubai – kanë parë që çmimet e biletave janë rritur menjëherë pas shpalljes së thirrjes ushtarake, me disa bileta të shitura plotësisht.

Mediat turke kanë raportuar për një rritje të madhe të shitjeve të biletave me një drejtim, ndërsa fluturimet e mbetura drejt destinacioneve pa viza mund të kushtojnë mijëra euro.

Thirrja për mobilizim ndezi protesta në qytetet kryesore ruse, përfshirë Moskën dhe Shën Petersburgun të martën, duke rezultuar me 1,300 arrestime.