Progres-raporti i BE-së për Turqinë:  Lëvizja “Gylen” nuk mund të përmendet bashkë me terrorizmin

Progres-raporti i BE-së për Turqinë: Lëvizja Hizmet nuk mund të përmendet bashkë me terrorizmin

Vetëm pak ditë më parë BE ka publikuar raportin e progresit për Turqinë. Ndër shumë pika që analizojnë dhe vlerësojnë zhvillimet e fundit kritike atje, vlen të theksohet edhe qëndrimi i mbajtur ndaj lëvizjes Hizmet. Pavarësisht ndërhyrjeve të pandërprera dhe paralajmërimeve nga qeveria turke, në këtë dokument tejet të rëndësishëm për BE-në tërheq vëmendjen stili tejet i ashpër që është përdorur. Madje mund të thuhet se ky është raporti më negativ që mund të jetë përgatitur për ndonjë vend që bart statusin e vendit kandidat.

Në të portretizohen të gjitha padrejtësitë që po vihen në zbatim nga ana e shtetit turk dhe nënvizohet, duke i dhënë një rëndësi tejet të veçantë faktit që po bëhen veç hapa pas përsa i përket asociimit të mëtejshëm, madje mund të thuhet se tashmë me Turqinë situata ka arritur në një udhëkryq prej nga udhët duhet të ndahen, sepse situata të jep përshtypjen sikur nga çasti në çast mund të merret një vendim për t’u dhënë fund negociatave.

Në këtë raport, ku një hapësirë e veçantë i është dhënë edhe arrestimit të bashkëkryetarëve dhe deputetëve të partisë prokurde në parlament, nuk lihen pa përmendur edhe aktet e paligjshme të ndërmarra ndaj lëvizjes Hizmet, të cilat po kthehen në një gjenocid politiko-kulturor ndaj një shoqërie të tërë. Në raport thuhet gjithashtu se pavarësia e sistemit gjyqësor në vend ka marrë fund, siedhe ndarja demokratike e pushteteve, duke bërë që standardet e drejtësisë të mbeten shumë shumë më poshtë se ato të Bashkimit Evropian, pasi në Turqi po linçohet një shoqëri e tërë vetëm nëpërmjet shkeljes së parimit të prezumimit të pafajësisë, po burgosen pa të drejtë të gjitha zërat kundër qeverisë dhe sa e sa shumë të tjerë që nuk e dinë as se pse janë ndaluar nga policia, pasi nuk ka asnjë akuzë të ngritur, po konfiskohen firma dhe prona të tëra të paluajtshme, ndër të cilat vlen të përmendet edhe mbyllja e të përditshmeve me tirazhin më të lartë dhe histori të gjatë në vend. Nga të gjitha konstatimet dhe raportet e hartuara duket fare qartë që Erdogani është kthyer në grushtin e hekurt të vetëm që po drejton Turqinë.

Ndër të tjera, në raport thuhet se tezat lidhur me Lëvizjen Hizmet nuk do të merren parasysh, duke e emërtuar atë si lëvizja Hizmet dhe jo si “Organizata Terroriste Fetullahiste” (FETÖ). Tashmë nuk ka më gjurmë besueshmërie në këtë akuzë. Të gjitha përpjekjet e qeverisë turke, e cila po orvatet me çdo kusht që të nxjerrë një vendim kundër kësaj lëvizjeje nga “Organizata e Bashkëpunimit Islamik” kanë shkuar dëm. Pas këtij raporti është e pamundur që lëvizja “Hizmet” të përmendet bashkë me terrorizmin kund në ndonjë platformë serioze.

Gjithashtu, ndër shqetësimet kryesore që dallohen në raport është edhe ai i jehonës së politikës dhe retorikës së presidentit turk në Evropë, ku mjafton të përmendet rasti i lëvizjes së vetëquajtur “Osmanët e Gjermanisë”, të cilët të mbështetur nga ana e vetë presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, po bartin problemet e qeverisë turke edhe në Gjermani. Në raport nënvizohet se, nëse do të vijojnë organizime të këtilla, atëherë Bashkimit Evropian do t’i duhet që t’i kalojë edhe njëherë përpara sysh kushtet e dhënies së nënshtetësive evropiane ndaj shtetasve turq.

Veç këtyre, në këtë raport përmenden edhe të gjitha largimet nga detyra të nëpunësve civilë, të cilat jo vetëm që kanë shkaktuar krisje dhe dobësim në mekanizmat kyç të shtetit, por kanë ndikuar në rënien e ekonomisë dhe shtimin e një gjendjeje paqëndrueshmërie në këtë aspekt. Si pasojë e kësaj janë mbi 355.000 njerëz, të cilët, nën trysninë dhe dhunën e përdorur në Turqi, janë të detyruar të emigrojnë. Përmes gjithë këtyre pikave duket sikur ky raport nuk flet vetëm për rënien e demokracisë dhe ligjit të së drejtës, por sikur bëhet fjalë për një rrëzim tërësor të shtetit.