OEMVP: Është koha e fundit që të përqendrohemi në ndryshime thelbësore në ekonomi

OEMVP: Është koha e fundit që të përqendrohemi në ndryshime thelbësore në ekonomi

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore përmes një kumtese për media thekson se është koha e fundit që shteti të përqendrohet në ndryshimet thelbësore në ekonomi.

 

Nga OEMVP thonë se vite me rradhë proceset zgjedhore dhe vakumi politik e zvogëlojnë intensitetin e aktiviteteve ekonomike, nga ku dëmet më të madha i pëson komuniteti i biznesit, njofton Telegrafi Maqedoni.

 “Këto procese zgjedhore dhe tranzicione politike gjetën vend me qëllimin e vetëm që të arrijmë në momentin që do të bënim hap drejt rrugës së integrimeve në NATO dhe BE. Prandaj, vlerësojmë që me përmbylljen e kapitullit të ndryshimeve kushtetuese që ishin parakusht për anëtarësim në aleancën e NATO-s është koha që me fuqitë e përbashkëta të përkushtohemi për krijimin e një ambienti më të volitshëm dhe funksional për arritjen e qëllimeve ekonomike të projektuara, duke evituar paraqitjen e krizave politike si në të kaluarën”.

“Komuniteti i biznesit e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë këtë proces të vështirë dhe njëherit është pajtuar me aktivitetin më të vogël ekonomik vetëm për hir të rëndësisë së këtij procesi, por meqë pjesa më e madhe e rrugës është kaluar, është koha që fokusi dhe impenjimi i Qeverisë të drejtohet kah biznesi, që të tregojë se me të vërtetë është partner i sektorit privat dhe bashkërisht mund të kontribuojmë në ngritjen e ekonomisë së vendit dhe mirëqenjes së qytetarëve”.

“Pritjet pozitive për arritje të projektimeve të parashikuara prej 3.2% për vitin 2019-të janë parashikime dhe plane në raport me Bruto prodhimin vendor në tremujorin e dytë prej 3,1% dhe në tremujorin e tretë prej 3%. Në këtë konotacion, vlerësojmë që për vendet në zhvillim si Republika e Maqedonisë, shtytës kryesorë për rritje ekonomike janë investimet në sektorin privat, realizimi i investimeve kapitale të mëdha, fokusi i veçantë në industri dhe inovacione, dhe gjithsesi konsumi që në Republikën e Maqedonisë përbën rreth 70% të BPV”.

“Prandaj, fokusi duhet të jetë në realizimin e investimeve, për arsye se sektorët të cilët kanë qenë shtytës kryesorë të rritjes në kuartalin e dytë dhe të tretë të vitit të kaluar nuk janë ato të cilët sigurojnë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjate për krijimin e një ekonomie të tregut të qëndrueshme dhe konkurruese me tregun e përbashkët evropian”, thonë nga OEMVP.

Ata në fund thonë se i inkurajojnë dhe kërkojnë nga organet shtetërore për agjendë ekonomike dhe përkrahje të bizneseve duke përmirësuar efikasitetin e institucioneve për përgjigje ndaj kërkesave të bizneseve, reduktimin e pengesave administrative në realizimin e investimeve kapitale, sigurimin e mjeteve për zhvillim të barabartë rajonal prej 1% nga BPV, si dhe refuzimin e iniciativave për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Please publish modules in offcanvas position.