Bekteshi: Ushqim ka mjaftueshëm, tregtarët t’i respektojnë vendimet për çmimet

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi u tha qytetarëve se ka ushqim të mjaftueshëm në vend për disa muaj, ndërsa tregtarëve u tha që t’i respektojnë vendimet e Qeverisë për çmimet e prodhimeve. Paralajmëron ngrirje të shpejtë të çmimeve të pemëve jugore, për çka është sjell propozim-vendim.

“I siguroj të gjithë qytetarët se kemi ushqim të mjaftueshëm jo vetëm për momentin, por edhe për muajt që vijnë. Ne nuk mund të parashikojmë sa do të zgjasë virusi, sa do të zgjasin ndalesat, por natyrisht jemi të siguruar me furnizimin e prodhimeve ushqimore në shtetin tonë”, tha Bekteshi në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.

Ai përkujtoi se Ministria e Ekonomisë fillimisht ka ndërmarrë masa të cilat kanë të bëjnë me ngrirjen e çmimeve të disa prodhimeve, veçanërisht të prodhimeve bazë ushqimore de në mënyrë adekuate të kompetencave të veta ndaloi edhe eksportin e miellit dhe grurit për shtetet tjera. U bëri thirrje kompanive të mos e shfrytëzojnë mundësinë për të bërë përfitim, sepse, siç tha, tani nuk është koha për këtë.

“Do të doja t’u bëj thirrje të gjitha kompanive veçanërisht tregtarëve të mëdhenj dhe të vegjël, por njëkohësisht edhe prodhuesit e prodhimeve ushqimore që t’i respektojnë vendimet nga Qeveria për çmimet, sepse vendimet janë konkrete, koncize dhe të sakta. Inspektorati shtetëror i tregut punon – i bën kontrollet adekuate, por apelon që qytetarët të paraqesin parregullsi në numrin e telefonit falas 191”, ka thënë Bekteshi dhe shtoi se ISHP menjëherë pas paraqitjes do të intervenojë në pajtim me kapacitetet që i ka.

Theksoi se ISHP-ja në mënyrë shtesë do t’i kontrollojë tregtarët pasi do të përfundojë gjendja e jashtëzakonshme dhe do të ketë dënime adekuate për mosrespektimin e vendimeve të Qeverisë në pajtim me ligjet në shtetin tonë.

“Tani më është sjell propozim-vendim për ngrirjen e çmimeve të pemëve jugore, ndërsa ISHP-ja bën kontrolle adekuate veçanërisht për tregtarët e mëdhenj të cilët i importojnë prodhimet e përmendura”, potencoi Bekteshi.

Please publish modules in offcanvas position.