Kriza e Coronës: Takim vendimtar i ministrave të Financave të BE

Kriza e Coronës: Takim vendimtar i ministrave të Financave të BE

Bëhet fjalë për shumë, shumë para dhe të ardhmen e BE. Ministrat e Financave të BE kërkojnë instrumenta financimi për krizën e Coronës. 

CORONABONDE APO FOND SOLIDARITETI?

Në një kohë që pandemia e Coronës ka bërë që shumë sipërmarrjeve t’u shterojnë rezervat e të bjerë në koma ekonomia europiane, ministrat e Financave të BE takohen të martën (07.04) përmes një vídeo-konference në një nga debatet e tyre më të rëndësishme për BE. Këtë vlerësim bëjnë diplomatët në Bruksel. Ministrat e Financave duhet të gjejnë receta për krizën dhe recesionin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore. Kancelarja Merkel tha në Berlin, se BE ndodhet para testit më të vështirë që nga themelimi i saj.

JO UJDI PËR BORXHE TË PËRBASHKËTA

Krerët e shteteve dhe qeverive nuk mund të binin në ujdi para 10 ditësh për borxhe të përbashkëta. Ata e kaluan këtë detyrë tek ministrat e Financave. Sipas diplomatëve të BE në tryezë qëndron një propozim me tre instrumente: Nga instrumenti financiar i krizës së euros, ESM, mburoja europiane e shpëtimit do të vihen në dispozicion 240 miliardë euro kredi paraprake për shtetet e BE që kërcënohen nga norma të larta interesi në tregjet financiare. Banka Europiane e Investimeve, EIB, do të japë edhe 200 miliardë euro, reserve, tek e cila mund të tërheqin para shtetet në nevojë. Komisioni Europian vetë krijon një fond prej 100 miliardë eurosh, për të mbështetur sigurimet e papunësisë në shtetet anëtare.

Lidhur me emërtimin e njohur si Coronabonde, pra borxhe të përbashkëta të eurozonës nuk ka ndonjë propozim për vendim. Coronabondet që mbështeten nga nëntë vende europiane, si Franca, Italia e Spanja nuk pranohen nga vendet nordike të BE-së si Gjermania, Holanda apo Finlanda. Debati për kuptimin që kanë coronabondet këto kohë po zhvillohet i ashpër.

KOMISIONERI I BE, GENTILONI KËRKON PËRGJIGJE TË FORTË

Dy komisionerë të BE, Paolo Gentiloni nga Italia dhe Thierry Breton nga Franca në një artikull të përbashkët për mediat europiane janë shprehur për obligacione të përbashkëta. Kurse dy ministra gjermanë, Heiko Maas, ministri i Jashtëm dhe Olaf Scholz, ai i Financave në një artikull tjetër për mediat kryesore europiane mbështesin tre instrumente financimi – mburojën e shpëtimit të euros, ESM, Bankën e Investimeve dhe Komisionin Europian. Komisioneri për ekonominë dhe valutën, Gentiloni u përpoq në Bruksel të zbuste tensionet mes vendeve të eurozonës. “Nuk ka humbës e fitues”, tha ai. “Tani nuk është koha për grindje, sepse kemi të bëjmë me një krizë të pashembullt.” Nga ministrat e Financave ai pret “një mesazh të unitetit të pandarë.”