Ljushev: Telekomi do të dhurojë internet mobil për nxënës nga familje të rrezikuara sociale

Telekomi do të dhurojë internet mobil për të gjithë 30.000 nxënës të shkollave fillore de të mesme të cilët janë nga familje të rrezikuara sociale, në mënyrë që t’i ndjekin programet mësimore në platformat për mësim në distancë, të caktuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, deri në fund të vitit shkollor, paralajmëroi sot drejtori i Telekomit të Maqedonisë, Nikolla Ljushev.

AI në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri theksoi se mësimi në distancë është i obliguar, por siç tha, jo të gjithë fëmijët e kanë atë mundësi për t’i gëzuar ato përfitime.

“Edhe pse jemi vend me internet të fiksuar me qasje prej rreth 80 për qind të territorit, rreth 30.000 fëmijë të cilët vijnë nga familje të rrezikuara sociale apo 18.400 amvisëri nuk kanë mundësi ta ndjekin mësimin. Në bashkëpunim me MASH-in dhe MSHIA-n vendosëm se mund të gjemë zgjidhje të përbashkët të këtij problemi. Telekomi do të dhurojë internet mobil për këta nxënës, që është një hap para drejt zgjidhjes së sfidës për sigurim të kushteve të barabarta për mësim digjital për të gjithë fëmijët”, tha Ljushev.

Theksoi se si Telekom, kanë përgjegjësi të sigurojnë lidhje të fuqishme dhe stabile interneti, por edhe obligim moral të kontribuojnë për përfshirjen e të gjithë fëmijëve në procesin arsimor në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme.

“Përfshirja e kategorive të ndjeshme në shoqërinë digjitale nuk është risi për ne, por është prioritet në kushte në të cilat rruga e vetme nëpër të cilën lëvizim është ajo onllajn”, potencoi Ljushev.