Aparatet për kafe dhe ujë infeksion i mundshëm, kafenetë në zonat rurale nuk i respektojnë rekomandimet

Janë mbyllur 48 objekte hotelierike, ndalohen për shfrytëzim 215 aparate për kafe, ndërsa tek 15 mishtore dhe markete është konstatuar gjendje e përgjithshme e dobët higjienike, gjatë 3.908 inspektimeve të kryera nga gjashtë shërbimet e inspektimit në vend prej 2 deri më 5 prill, duke kontrolluar respektimin e rekomandimeve të Qeverisë për mbrojtje kundër përhapjes së virusit Kovid-19.

“Megjithëse konstatimi i përgjithshëm është se shumica e subjekteve i respektojnë masat e Qeverisë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, për fat të keq, disa nga hotelieritë, veçanërisht në zonat rurale, vazhdojnë të shkelin masat e Qeverisë. Në atë drejtim, shumica prej 3.232 kontrollet e Inspektoratit Shtetëror të Tregut i referohen funksionimit të ambienteve të hotelerisë, dhe 423 janë për çmimet e produkteve të ngrira. Në këtë mënyrë, 48 objekte hotelierike u mbyllën në disa qytete dhe vendbanime në të gjithë vendin. Gjatë kontrolleve vizuale në të gjithë shtetin, u konkludua se shumica e hotelierëve i respektojnë masat”, informoi sot në konferencën e rregullt për shtyp Magdalena Filipovska Grashkoska, kryetarja e Këshillit të Inspektimit.

Siç shtoi ajo, 215 aparate për kafe janë ndaluar për t’u përdorur në stacionet e benzinës dhe lokacionet e tjera.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u bën thirrje qytetarëve që të mos përdorin aparatet e kafesë dhe ujit, sepse ato mund të jenë bartës të mundshëm të virusit Kovid-19”, tha Filipovska Grashkoska.

Ajo informoi se kishte pasur më pak rritje të çmimeve të produkteve, veçanërisht për frutat, ndërsa aty ku ka pasur shtrenjtim, çmimet janë kthyer.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka kryer 208 inspektime, duke shqiptuar dy gjoba, njëra për mosrespektim të urdhrit të mëparshëm të lëshuar nga Inspektorati, ndërsa tjetra për mbajtjen e produktit pa deklarim.

“Janë shqiptuar shtatë masa dhe edukime për shkak të trajnimeve të pazbatuara për njohuri themelore të sigurisë ushqimore, ndërsa në mënyrë shtesë janë lëshuar edhe 15 vendime për mishtoret dhe marketet për gjendje e përgjithshme të dobët higjienike dhe është urdhëruar menjëherë që të kryhet dezinfektimi, desinsektimi dhe deratizimi”, njoftoi kryetarja e Këshillit të Inspektimit.

Inspektorati Shtetëror i Transportit, megjithatë, kreu 70 inspektime, duke konstatuar se nuk ka paasur asnjë devijim nga rekomandimi i Qeverisë për numër të përgjysmuar të udhëtarëve në stacionet e autobusëve, dhe se linja ndërkombëtare është në pezullim të plotë.

Gjatë 41 kontrolleve të bëra nga Agjencia e Barnave, u konfirmua se nuk ka devijime specifike, pra sektori i respekton rekomandimet, e mban rendin në barnatore, lejon që numër i kufizuar i njerëzve të hyjnë, dhe çmimet janë në përputhje me rekomandimet dhe vendimet e Qeverisë.

Në të njëjtën kohë, Inspektorati Shtetëror i Punës, gjatë 290 inspektimeve, ka dhënë një vendim dhe 13 indikacione për punëdhënësit që nuk respektuan masat e Qeverisë. Mbikëqyrja është e lidhur me vendosjen e ankesave të pushimit të paguar për prindërit, gratë shtatzëna dhe të sëmurë kronikë. Për më tepër, inspektorati vëren se shumica e punëdhënësve i respektojnë masat dhe rekomandimet.

Janë kryer 66 inspektime nga ana e Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar, i cili përveç kësaj, ka lëshuar 164 leje për transport të pandërprerë në kushte të epidemisë së koronavirusit.

Inspektorët mbesin në terren dhe kushdo që nuk respekton masat do të sanksionohet, porositi Filipovska Grashkoska.