Bekteshi: Do të kërkojmë të rianalizohet protokolli në pjesën për ndjekjen e mysafirëve në objektet hotelierike

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi deklaroi se në pajtim me Ligjin për veprimtarinë hotelierike nuk ka përcaktim sipas të cilit pronarët, menaxherët dhe të punësuarit në objektet hotelierike kanë kompetencë për t’i legjitimuar mysafirët.

Ministria e Ekonomisë do të dërgojë letër deri tek Komisioni për sëmundje infektive që të rianalizohet pjesa në protokollin për punën e objekteve hotelierike ku është përshkruar sa persona mund të shërbehen në një tavolinë dhe nëse janë nga e njëjta familje ose jo.

Në një intervistë për TV Sitel, ministri potencoi se protokolli për punën e kafeneve dhe objekteve hotelierike për ushqim disa herë është diskutuar me hotelierët të cilët kanë vërejtje pikërisht në këtë pjesë.

“Sa i përket përcaktimeve se në një tavolinë mund të ulen dy ose katër per, pas kritereve të esona, por nga familja e njëjtë, unë mund të them vetëm për atë që është në kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë. Në pajtim me Ligjin për veprimtarinë hotelierike, kamarierët, menaxherët ose drejtuesit e objekteve hoteliere nuk kanë të drejtë të legjitimojnë qytetarë, gjegjësisht mysafirë. Kjo është rregulluar në pajtim me Ligjin për polici, Ligjin për mbrojtje të të dhënave personale dhe vetëm personat zyrtarë mund të legjitimojnë qytetarë, sipas kritereve të ndryshme”, tha Bekteshi.

Sipas ministrit, protokolli për punën e objektin hotelierik duhet edhe njëherë të shqyrtohet në detaje nga ana e Komisionit për sëmundje infektive.

“Ne si Ministri e Ekonomisë do të dërgojmë letër deri tek Komisioni për sëmundje infektiv, nëse paraprakisht kishim vërejtje, tani edhe në praktikë në ditën e parë, pasi u hapën objektet hotelierike mund të shihet se protokolli vështirë zbatohet edhe nga ana e hotelierëve dhe nga ana e mysafirëve. Natyrisht, do të kërkojmë nga Komisioni për sëmundje infektive që t’i analizojë këto dispozita në protokoll që të mos ketë hamendje edhe tek qytetarët edhe tek hotelierët”, tha Bekteshi.

Lidhur me kontrollet inspektuese ministri përsëriti se inspektuesit në dhjetë ditët e para nga hyrja në fuqi e protokolleve të reja do të kenë për detyrë t’i edukojnë hotelierët si t’u përmbahen masave për mbrojtje dhe nuk do të dënohen.

“Në momentin kur mbahet distanca fizike lirisht mund të ndihen edhe katër në një tavolinë, kjo ishte vërejtja e Ministrisë së Ekonomisë kur përgatiteshin protokollet, ndërsa këtë e propozuam si kërkesë të odave. Por, ky është vendim i Komisionit për sëmundje infektive, ndërsa unë si ministër i Ekonomisë dhe si anëtar i Qeverisë çdoherë do të jap rekomandime tona ide dhe komente si ministri kompetente në pjesën e hotelierisë, por do ta respektojmë vendimin final nga ana e Komisionit për sëmundje infektive për respektimin e të gjitha protokolleve të cilave ata i referohen sepse janë më përgjegjës për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve”, theksoi ministri Bekteshi.