Brexit/ Katër kompani shqiptare frenuan planet për investime në Britani

Brexit/ Katër kompani shqiptare frenuan planet për investime në Britani

Dalja e Britanisë nga BE, ka sjellë një zhvillim që për Shqipërinë mund të quhet pozitiv, duke penguar daljen e kapitalit vendas. Katër kompani shqiptare frenuan planet për të investuar në Britani. Ironikisht, në kahun tjetër nuk është se Brexit ka prishur planet e ndonjë investitori anglez për të ardhur në Shqipëri, pasi nuk ka pasur interes të tillë...

Katër kompani shqiptare ishin në tentativa për të investuar në Londër, por ato tani kanë frenuar planet, pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian. Zenel Hoxha, kryetar i Dhomës Britanike të Tregtisë, nuk preferoi të fliste me emra për investitorët shqiptarë, por tha se, për momentin projektet shqiptare të investimit në Britaninë e Madhe janë ngrirë.

Largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi i Europian është një ngjarje me efekte globale si në aspektin politik dhe atë ekonomik. Si një ngjarje e tillë, ajo do të ndikojë edhe Shqipërinë si një pjesë e një rajoni në tranzicion, i hapur dhe i ndjeshëm ndaj krizave globale, tha Hoxha.

Hoxha analizon se vendi ynë do të ndikohet si në aspektin politik dhe atë ekonomik. Pas kësaj ngjarje, Bashkimi Europian do të bëhet më skeptik për të avancuar me procesin e anëtarësimit me vendet e reja që janë në procesin e negociatave. Hoxha thotë se kosto fillestare që Brexit i krijon BE janë rreth 13 miliardë euro humbje sipas llogaritjeve të para. Kjo shumë e munguar në buxhetin e BE do të përkthehet në angazhime më të pakta të BE–së për afrimin e vendeve kandidate.

Gjithashtu, precedenti Brexit do të shtyjë në analiza më të thella autoritetin e BE-së, çka mund rrisë skepticizmin e BE-së për zgjerim të mëtejshëm. Britania dhe pikërisht Londra është kryeqendra Financiare e Europës. Tregjet e kapitalit dhe industria financiare pas kësaj ndarjeje do të kenë efekte në të gjithë Europën, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, tha Hoxha.

Brexit pritet të ndikojë edhe kursimet e shqiptarëve në paund. Dihet se vendi ka një komunitet të madh të shqiptarëve në Londër, të cilët sjellin remitanca të konsiderueshme në Shqipëri. Rënia e paundit do të krijojë humbje në kursimet në paund të shqiptareve.
Megjithatë Hoxha beson se efektet e Brexit do të administrohen për shkak se bota sot ka të gjithë ekspertizën e nevojshme për ta bërë këtë.