Viz Er: Ripërtërihen rutat nga dhe drejt Maqedonisë së Veriut, 34 destinacione në dispozicion

Linja ajrore me kosto të ulët Viz Er publikoi se me rihapjen e rutave nga aeroportet në Shkup dhe Ohër, në të cilat prej dje janë kryer fluturime të pasagjerëve pas një pauzë prej 3.5 muajsh për shkak të masave për pandeminë me KOVID-19 , pasagjerët mund të rezervojnë bileta për 34 destinacione të ndryshme.

Kompania ajrore kumtoi sot se rutat aktuale nga Shkupi janë në destinacionet vijuese: Salzburg, Bruksel Sharleroa, Larnaka, Kopenhagë, Turku, Paris Bove, Berlin Shenefeld, Bremen, Këln, Dortmund, Frankfurt Han, Fridrihshafen, Hamburg, Hanover, Karlsrue-Baden Baden, Memingen/Mynih Përëndim, Nuremberg, Budapest, Milano Malpensa, Rome Çampino, Maltë, Eindhoven, Oslo Sandefjord Torp, Barcelonë El Pratt, Geteborg Landveter, Malmo, Stokholm Skavsta dhe Vekshe dhe Londër Luton. Nga Ohri, nga ana tjetër, fluturime ka për në Vjenë, Dortmund, Milano Malpensa, Malmo dhe Londër Luton.

“Në mënyrë që të sigurohet që shëndeti dhe mirëqenia e pasagjerëve dhe ekuipazhit të mbeten të pandryshuara, Viz Er vendos protokolle të reja për ta ruajtur distancën fizike gjatë kontrollit dhe për ta përmirësuar higjienën e fluturimit. Si pjesë e masave për mbrojtje të shëndetit të pasagjerëve dhe ekuipazhit të kompanisë ajrore, pasagjerët duhet t’i kontrollojnë dhe t’i blejnë të gjitha shërbimet shtesë në internet, të tilla si pagesa e çantave shtesë, për ta zvogëluar interaksionin në aeroport. Për ta parandaluar përhapjen e infeksionit, të gjithë pasagjerëve u kërkohet me mirësi t’i respektojnë rregullat e reja të distancës fizike kur hyjnë dhe largohen nga avioni”, kumtoi Viz Er.

Prej atje theksojnë se do të vazhdojnë me orarin e tyre për pastrimin ditor të të gjithë flotës, me ç’rast i gjithë avioni do të dezinfektohet brenda natës në përputhje me udhëzimet zyrtare.

“Jemi të lumtur që baza e Shkupit është e hapur përsëri, dhe do t’i vazhdojë fluturimet e saj nga Shkupi dhe Ohri, duke u dhënë mundësi pasagjerëve të udhëtojnë, t’i vizitojnë të afërmit e tyre ose të shkojnë në pushime. Siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit tonë mbetet përparësia jonë kryesore. Ne kemi zbatuar një seri masash për të siguruar që higjiena të jetë në nivelin më të lartë. Ne jemi të gatshëm t’i mirëpresim pasagjerët tanë për fluturim!, deklaroi Paulina Gosk, menaxhere e Komunikimit të Korporatave në Viz Er.