Bie interesimi i qytetarëve të Maqedonisë për marrje të kredive

Bie interesimi i qytetarëve të Maqedonisë për marrje të kredive

Bankat Komerciale në Maqedoninë e Veriut kanë bërë të ditur se edhe pse kanë lehtësuar kushtet për marrjen e kredive, interesimi qytetarëve për të marrë kredi ka shënuar rënie.

Në një anketë të realizuar nga Banka Popullore, 58 për qind e bankave komerciale janë shprehur se ka pësuar rënie të konsiderueshme interesimi i qytetarëve për të marrë kredi, përkatësish është shënuar rënie neto e kërkesës për kredi në sektorin e amvisërive.

“Rënia neto e kërkesave për kredi në sektorin e amvisërisë është në kundërshtim me pritjet e bankave gjatë çerekut të dytë, krahasuar me anketën paraprake. Gjatë çerekut të katërt, bankat presin stabilizim sa i përket kërkesave për kredi në sektorin e amvisërisë, me ç’rast pritet rritje e kërkesave”, thuhet në përfundimet e anketës së realizuar nga Banka Popullore, sa i përket aktivitetit kreditues.

Bankat komerciale në Maqedoninë e Veriut janë shprehur se pandemia e koronavirusit ka bërë që një pjesë e klientëve të tyre, që kanë qenë në proces të marrjes së kredive, kanë ndaluar për një kohë të gjithë procesin, me qëllim që të shohin se si do të rrjedhë e gjithë situata, me krizën ekonomike, që e ka shkaktur pandemia.

“Me vetë fillimin e krizës, me shfaqjen e COVID-19 (sëmundja që e shkakton koronavirusi), pamë një përmbajtje nga ana e qytetarëve sa i përket marrjes së kredive. Kishim edhe situata interesante, kur një pjesë e klientëve tanë ishin në proces të miratimit të kredive, vetë klientët kërkuan që të stopohet procesi i kredimarrjes, që të shohin se nga po ecë gjithë kjo situatë, gjë që është shumë normale, kur e ardhmja është e padefinuar dhe me shumë pikëpyetje”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Maja Stavrevska-Stojanova, drejtore e rrjetit shitës në kuadër të një banke komerciale që operon në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve ekonomike, Alaudin Zeqiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut, në kohë të krizës ekonomike, të shkaktuar nga pandemia, është detyruar që të ulë normat e interesit të kredive.