“Gereshajmer” hapi fabrikë në Bunarxhik, investim prej 25 milionë euro dhe 400 vende pune

Kompania gjermane “Gereshajmer” zyrtarisht ka hapur fabrikë në Zonën Zhvillimore Teknologjike-Industriale Shkup 2 në Bunarxhik për prodhimin e produkteve të specializuara të qelqit medicinal dhe plastikës.

Bëhet fjalë për investim nga sfera e industrisë farmaceutike dhe shëndetësore në vlerë minimale prej 25 milionë euro ku duhet të punësohen 400 persona.

“Për shkak të krizës humbëm vetëm gjysmë viti. Ju siguroj se në dy tre muajt e ardhshëm do të kemi prodhimtari të dukshme këtu”, ka thënë Oliver Burgel, nënkryetar i “Gereshajmer”-it.

Cikli i parë investues i “Gereshajmer”-it është pesëvjeçar dhe ka filluar në vitin 2019, ndërsa pritet të përfundojë deri në vitin 2024 me investim prej të paktën 25 milionë euro. Delegacioni i “Gereshajmer”-it dje në takim në qeveri ka paralajmëruar edhe cikël të dytë investues për prodhim të shiringave të qelqit për qëllime medicinale.

“Gereshajmer” është partner udhëheqës global në industrinë shëndetësore dhe farmaceutike e cila prodhon produkte të specializuara nga qelqi medicinal dhe plastika me qarkullim vjetor prej 1.5 miliardë euro. Siç ka thënë Burgel deri në vitin 2028 planifikojnë qarkullim vjetor prej 3.5 miliardë euro.

Në hapjen zyrtare të fabrikës marrin pjesë kryeministri Zoran Zaev, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, ministrat e Shëndetësisë dhe të Ekonomisë, Venko Filipçe dhe Kreshnik Bekteshi si edhe drejtori i ZZHTI, Jovan Despotovski.