Bekteshi: Të fiken dritat dekorative! Rekomandohen masa për shkak krizës energjetike

“Të fiken dritat kur nuk janë të nevojshme”. Nga 1 shtatori rekomandohen masa për kursimin e energjisë elektrike. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se masat janë të dedikuara për institucionet shtetërore dhe publike, por edhe për amvisëritë.

“Të gjitha institucionet shtetërore dhe publike si dhe ndërmarrjet shtetërore janë të detyruara që nga 1 shtatori deri më 31 mars vitin e ardhshëm, të fikin ndriçimin dekorativ në fasadat e të gjitha objekteve publike dhe monumenteve kulturore, të mos përdoret ndriçim në hapësira të brendshme dhe zyrat e objekteve publike gjatë periudhës kur ka dritë të mjaftueshme të ditës, temperaturat e kondicionerëve në objektet publike në sezonin e ftohjes duhet të jenë jo më të ultë se 27 gradë, ndërsa në sezonin e ngrohjes jo më të larta se 20 gradë, të bëhet ajrosje e shkurtër, të fiken dritat kur braktiset hapësira, të shtypen vetëm ato dokumente që nevojiten”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Ndërkaq drejtori i EVM-së Vasko Kovaçevski tha se termoelektranat në Maqedoni punojnë me kapacitet të plotë dhe në muajt e parë të këtij viti ka prodhuar 2194 GËh që ka një rritje prej 15% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“EVN HOME për qytetarët dhe për shfrytëzuesit e vogël i përmbushim nevojat e tyre nga prodhimi jonë vendor, konkretisht SHA EVM nuk blen energji elektrike, ne vetëm marrim mazut dhe qymyr për prodhimin e energjisë elektrike me çka do ta rrisim prodhimin në këtë periudhë dhe çka është më me rëndësi në periudhën që vjen që është sezoni i ngrohjes”, deklaroi Vasko Kovaçevski-drejtor i SHA EVM.

Ministri tha se nëpërmjet masave duhet të arrihet konsumi deri në 15% krahasuar me periudhën e një viti më parë. Nëse nuk arrihet ky qëllim do të pasojnë sanksione për drejtuesit e institucioneve, sepse siç tha ai do të ballafaqohemi me dimrin më të rëndë në Evropë për shkak të krizës energjetike.