Banorët e Pollogut ia mësynë druve, Nuredini rekomandon ngrohje me rrymë

Kriza energjetike, ka bërë që shumica e banorëve, t`i kthehen ngrohjes me dru. Por edhe çmimi i druve për ngrohje pothuajse është dyfishuar. Banorët shprehen skeptik se do mund të sigurojnë edhe drutë pasi çmimi për një metër ka kaluar 85 eurot.

“Me asgjë sivjet s`do ngrohemi, edhe drutë shtrenjtë edhe energjia elektrike shtrenjtë. Do rrimë nën batanije. Ministri le të na jep rrogën e tij që jemi neve pa punë pa ndihmë sociale dhe ia bëjmë disi. Sot 70 vjeç jam, çka të bëj, le të na jep rrogën ministri pastaj do ngrohemi si thotë ai”.

“Sivjet me Batanije. Do marrim më shumë batanije dhe do ngrohemi. S’është normale kjo, jashtë normales është me rroga prej 18 denarësh as për dru as për energji elektrike s`dalin”.

“Unë jam të drutë, më mirë kështu. 90 euro është bë metra e druve. A kanë pyet ndonjëherë ne pensionistët sa e kemi pensionin. Ai kollaj e ka të thotë ashtu”.