EURO 2016: Shqipëria shkëlqen mbi Rumaninë, ëndrra për kuqezinjtë vazhdon

EURO 2016: Shqipëria shkëlqen mbi Rumaninë, ëndrra për kuqezinjtë vazhdon

Shqipëria mundi 1-0 Rumaninë dhe mban të gjalla shpresat për të vazhduar më tej në Euro 2016, citon TCH.

Kuqezinjtë e De Biasit të cilët në mënyrë të pafat dolën pa pikë nga Zvicra dhe Franca u shpërblyen në ndeshjen e fundit në grup falë golit të Sadikut dhe sigurisht një loje shumë të kujdesshme në mbrojtje e mesfushë.

Rumania e nisi mirë ndeshjen, por lojtarët e tyre nuk arritën të shfrytëzonin hapësirat e mbrojtjes tonë në fillimin e ndeshjes. Kuqezinjtë e mblodhën veten pas 15 minutave duke marrë kontrollin e duke qenë ata diktuesit e lojës.

Lenjani humbi një rast të pastër në minutën e 23 ndërkohë që në minutën e 43-të Armando Sadiku shënoi golin që startoi dhe festën kuqezi në stadiumin e Lionit.

Në pjesën e dytë rumunët u përpoqën me të gjitha mënyrat për të barazuar rezultatin, por gjuajtjet e Stanciu, Torje apo dhe Stancut nuk e vunë asnjëherë në provë Berishën. I vetmi rast i rrezikshëm i tyre ishte gjuajtja e Andone që për fatin tonë të mirë preku traversën.

Shqipëria e De Biasit tregoi edhe njëherë se kualifikimi i saj për herë të parë në një evropian nuk është thjesht një rastësi, ndërkohë që Armando Sadiku hyn në histori si golashënuesi i parë kuqezi në një kompeticion të tillë.

"Jam shumë i lumtur që arritëm të marrim një fitore historike, doja të falënderoj të gjithë çunat, trajnerit për besimin, i cili më ka ndihmuar, besoj e kam shpërblyer me golin. Goli? As nuk e kam parë topin duke shkuar në rrjetë, vetëm shokët që po vinin drejt meje duke festuar. Unë doja të shkoja drejt stolit për të festuar me të gjithë sepse çdo njeri, duke filluar nga masazhatori kanë dhënë një dorë në këtë sukses dhe golin dua t’jua dedikoj atyre”, tha ai.

Sadiku tha se tani do të presin për ndeshjet e ardhshme dhe do të lutën që rezultatet në grupet e tjera të shkojnë në favor të Shqipërisë.

"Ne tani do të shkojmë në hotel dhe do të presim ndeshjet e ardhshme. Lutemi që ekipet e tjera te ngecin dhe të vazhdojmë ne. Tifozët? Janë të mrekullueshëm, është një ndjenjë e papërshkrueshme të luash përballe tyre në këto stadiume", tha ai.

Please publish modules in offcanvas position.