Eleminimi i kombëtares nga ‘Euro 2016’, Rama: T’i dhurojmë një festë të madhe për rikthimin

Eleminimi i kombëtares nga ‘Euro 2016’, Rama: T’i dhurojmë një festë të madhe për rikthimin

Kombetarja shqiptare është eleminuar nga Kampionati Evropian "Francë 2016" pas barazimit 3-3 mes Portugalisë dhe Hungarisë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shprehur dëshpërimin e tij për eleminimin e kombëtares shqiptare nga Kampionati Europian, por ka ftuart të gjithë tifozët që t’i dhurojnë një festë të madhe për rikthimin në atdhe, transmeton ATSH.

"“Sapo u mbyll kapitulli më fantastik i futbollit shqiptar dhe pas një eliminimi për arsye të golaverazhit, misioni kuqezi në EURO2016 kthehet sot në atdhe rreth orës 15.30. Le t’u dhurojmë heronjve tanë një festë të paharrueshme mikpritjeje, në shenjë mirënjohje e respekti për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për fanellën dhe imazhin e Shqipërisë #ALB❤ #KrenarëpërKombëtaren", shkruan kryeministri Rama në një psotim në rrjetin social "Facebook".

Edhe trajneri i kombëtares Xhani De Biasi nuk e fsheh mërzinë dhe thotë se kombëtarja nuk e meritonte eliminimin. Në një intervistë për Top Channel, pak pasi gjërat u bënë të qarta, De Biasi vendosi edhe notën për ekipin.

Ai e vlerëson me 8-të për këtë performancë evropiane dhe thotë se notat nuk i jep lehtë.

"I vë Shqipërisë notën 8 dhe notat nuk i jap lehtë. E jap për atë që dha në fushë dhe për përgatitjet që bëri këtë muaj. Bëri një Europian që askush nuk e imagjinonte", tha De Biasi duke shtuar se kombëtarja jonë nuk e meritonte eliminimin.

"Ndoshta paguam shumë shpërqendrimin në disa momente dhe presionin.Ne si Shqipëri duhet të ishim treguar më të kujdesshëm. Në ndeshjen ndaj Francës duhet të shtrëngonim veten në minutat e fundit dhe të mos lejonim as golin e parë dhe as të dytin që na kushtëzoi kaq shumë", tha De Biasi.

De Biasi gjithashtu thotë se nuk mund ta kritikojë ekipin, por duhet t’i heqë kapelen pasi i dhamë mundësinë të tjerëve të bëjnë llogari.

Edhe tifozët të cilët i kanë qëndruar pranë kombëtares, janë shprehur shumë krenarë me skuadrën, madje në faqen zyrtare të Tifozëve Kuq e Zi në "Facebook" ka edhe një dedikim.

"Faleminderit luftëtarë! Jemi pafundësisht krenarë! Rroftë kombëtarja! Rroftë Shqipëria etnike!", shkruajnë tifozët, të cilët kanë postuar edhe një foto nga momenti i festimit të golit të Sadikut në ndeshjen ndaj Rumanisë.

Please publish modules in offcanvas position.