Griezman eliminon Gjermaninë, Francë-Portugali finalja e Euro 2016

Griezmann eliminon Gjermaninë, Francë-Portugali finalja e Euro 2016

Franca mbërrin në finale, Gjermania kthehet në shtëpi. Antoine Griezmann është heroi i francezëve duke i dhënë Francës një fitore 2-0 ndaj gjermanëve.

Një gjysmëfinale mjaft e bukur me emocione të shumta e ritëm të lartë, por në fund ishin francezët ata që dolën të fituar. Një penallti e kthyer në gol në fundin e pjesës së parë dhe një në minutën e 72 nga Griezmann vendosën fatin e kësaj gjysmëfinaleje, shkruan TCH.

Gjermania ishte ajo që dominoi në kontrollin e topit në pjesën e parë, ndërsa francezët tentuan më shumë me anë të kundërsulmit të vinin në vështirësi Neuer. Griezmann ishte protagonist ndoshta i aksionit më të bukur në këtë Europian në minutat e para të takimit, por portieri gjerman tregoi se jo më kot është nga më të mirët në botë në pozicionin e tij. Më pas, Muller rrezikoi për Gjermaninë, por edhe në këtë rast ishte portieri që ndali topin.

Sulmuesi kryesor i Francës, Girout shpërdoroi një mundësi mjaft të mirë për Francës, kur u shkëput bukur nga mesi i fushës por nuk kishte shpejtësinë e duhur për të rrezikuar, dhe në fund gjuajtja e tij u ndal nga mbrojtësi gjerman.

Kur të gjithë menduan se pjesa e parë përfundoi në barazim, ndërhyn arbitri italian Nicola Rizzoli që akordon një 11-metërsh për prekje të topit me dorë nga kapiteni gjerman Schweinsteiger. Griezmann vihet përball Neuer dhe e mposht gjermanin duke kaluar Francën në avantazh.

Me të filluar pjesa e dytë, Gjermania u hodh e tëra në sulm, ndërsa francezët të tërhequr të gjithë në gjysmëfushën e tyre në mbrojtje të rezultatit. Në minutën e 60 trajneri Low mori një tjetër goditje, pasi mbeti pa mbrojtësin e tij kryesor Boateng, i cili la fushën e lojës për shkak të një dëmtimi, ndërsa u zëvendësua lojtari me origjinë shqiptare, Shkodran Mustafi.

Në minutën e 72 ishte sërish Griezmann që ngriti edhe një herë në këmbë të gjithë francezët, duke shënuar edhe golin e dytë. Gjermania tashmë ishte dorëzuar. Franca në finale e gjermanët shkojnë në shtëpi.

Portugalia-Francë është finalja e madhe e këtij Europiani, e cila do të luhet mbrëmjen e së dielës më 10 korrik në “Stade de France Paris”.

Please publish modules in offcanvas position.