MAQEDONIA TË VETMEN PASURI E KA RININË TË CILËN NUK PO MUND TA MBAJË

MAQEDONIA TË VETMEN PASURI E KA RININË TË CILËN NUK PO MUND TA MBAJË

Situata ekonomike në Maqedoni, edhe përkundër shumë premtimeve nga ana e pushtetit në Maqedoni, pothuajse nuk ka shënuar ndonjë progres. Krijimi i vendeve të reja të punës dhe investimet e huaja mbesin në pikën e njëjtë, ndërsa aplikimi i metodave të taksave është një risi që kjo qeveri po mundohet ta vë në praktikë. Taksa progresive, rritja e tatimit për personat dhe subjektet që realizojnë të hyra mbi 1 milion denar ka ngjallur reagime të shumta jo vetëm tek ekonomistët, por edhe tek masa e gjerë. Rritja e çmimeve të derivateve të naftës gjithnjë e më tepër po vështirëson ekonominë e qytetarëve. Në lidhje me të gjitha këto zhvillime ne biseduam me Visar Ademin njohës i çështjeve ekonomike i cili për revistën ZAMAN, në mënyrë mjaft koncize i sqaron të gjitha zhvillimet ekonomike në vend.

Situata ekonomike është reflektim i situatës politike. Në shumë vende ekonomia e përcakton fatin politik të vendit

Si e vlerësoni situatën ekonomike ne Maqedoni?

Situata ekonomike është reflektim i situatës politike. Normalisht në vendet e zhvilluara që kanë demokraci funksionale ekonomia e përcakton fatin politik të shumë qeverive, ka pasur raste ku qeveritë e Evropës Perëndimore e kanë humbur mandatin për shkak të krizave ekonomike. Kriza e vitit 2009 rrëzoi shumë qeveri të Evropës Perëndimore, ndërsa tek ne nga viti 2015 jo stabiliteti politik solli jo stabilitet të institucioneve dhe kjo bëri që ekonomia të ketë një ngërç, nuk ishte funksionale dhe prandaj prodhon krizë. Tani nga 2015-2018 kemi një fenomen tjetër pra fenomeni i ikjes së të rinjve nga Maqedonia.

Sipas Bankës Botërore kemi diku 500 mijë njerëz që ikin jashtë sepse nuk shohin perspektivë ekonomike, nuk shohin perspektiv në vend që ekonominë e ka zhvilluar mbi kapitalin e zhvillimit njerëzor, kjo do të lërë pasoja të mëdha. Në qoftë se në Ballkanin Perëndimor shumica e modeleve ekonomike bazohen mbi resurse natyrore, kanë pasuri nëntokësore siç është Shqipëria me detin, xehet, mineralet. Shembull edhe Kosova si shteti më i ri në Evropë ka një lloj pasurie nëntokësore. Maqedonia të vetmen pasuri e ka njeriun dhe në qoftë se këto të rinj ikin atëherë çfarë i ngelet Maqedonisë.

Të pasurit duke gjetur mekanizma të tjera të fshehjes së parave, evazionit fiskal dhe dërgimit të parave jashtë do vazhdojnë të përfitojnë dhe do vazhdojnë që mos ti paguajnë taksat e këtij vendi, dhe ata do kenë më tepër përfitime për shkak të këtij modeli që po mendon qeveria.

Taksa progresive do të godet shtresën e mesme e cila edhe ashtu është mjaft e vogël, ndërsa të pasurit do të gjejnë mekanizma të fshehjes së parave

Ministri i financave paralajmëroi taksen progresive. Sa është reale që kjo taksë të aplikohet ne Maqedoni?

Taksa progresive me taksën e sheshtë duhet që të përcaktohet se sa është limiti i të ardhurave me të cilat qeveria dëshiron të taksoj më tepër shtresën e pasur. Ne në Maqedoni nuk kemi nivelizime të mëdha të shtresave. Ne kemi shtresë e pasur e cila është prej 1-2 % e popullatës të Maqedonisë, që ka diku 98 % të kapitalit në Maqedoni. Për fat të keq shtresa e mesme po vdes, apo thënë ndryshe po humbet dhe në një vend ku nuk ka shtresë të mesme atëherë nuk kemi edhe ekonomi funksionale. Në çdo vend shtresa e mesme e mban barrën më të madhe të këtyre taksave.

Atë që duhet të përcaktoj qeveria është fakti se sa duhet të jetë ajo vija e kuqe mbi të cilën do të aplikohet Tatimi Progresiv. Në një vend ku në mënyrë progresive janë rritur çmimet dhe standardi i jetesës shuma prej 1000 euro duket shumë e vogël dhe kjo i bie që i varfri të paguaj më tepër dhe me këtë akoma më tepër do të varfërohet. Të pasurit duke gjetur mekanizma të tjera të fshehjes së parave, evazionit fiskal dhe dërgimit të parave jashtë do vazhdojnë të përfitojnë dhe do vazhdojnë që mos ti paguajnë taksat e këtij vendi, dhe ata do kenë më tepër përfitime për shkak të këtij modeli që po mendon qeveria.

Taksa progresive është një taksë e mirë, por vetëm në qoftë se bazohet mbi lojë ferr dhe një shumë më të madhe të të ardhurash sepse dihet se një familje me të ardhura 1000 euro nuk mund ti mbuloj shpenzimet bazë. Tek ne kemi parë se ligjet zbatohen brenda natës dhe i ofrohet opinionit publik si fakt i kryer. Tani me këtë qeveri unë shpresoj se diskutimet edhe iniciativat demokratike do të kalojnë në disa filtra të diskutimeve brenda pjesës ministrore, por edhe të dërgohen jashtë për tu diskutuar nga ekspertët dhe në fund qytetarët. Në qoftë se bazohemi në të kaluarën Maqedonia ka treguar prova të mëdha se nuk ka debate dhe diskutime. Shpresoj që qeveria ta ketë marr leksionin e të kaluarës dhe të ketë marr mësimin e duhur Kryeministri Zaev në një intervistë e la të hapur se sa do të jetë vija e kuqe për tatimin progresiv.

Interviste me Visar Ademi 2 c2647

Foto: Muhsin Güler

Pragu i TVSH për personat fizik duhet të jetë në vlerën e 3 milion denarëve, e jo 1 milion denar

Po ashtu një hap tjetër i qeverise se Maqedonisë në fushën e ekonomisë është edhe ngarkesa e TVSH, për personat te cilët gjate një viti do te kenë qarkullim mbi 1 milion denar. Si e komentoni këtë mase dhe a mund të ndikoje në faktin që qarkullimi i mjeteve në te zeze te rritet?

TVSH e ka çdo shtet, nuk është ngarkesë në qoftë se 18% e ka çdo shtet. Ndërsa sa i përket të ardhurave apo të hyrave prej 1 milion denarëve është temë diskutabile. Normalisht do të kishte qenë mirë që të jetë më e madhe kjo vlerë sepse në 1 milion denar futen të gjitha kompanitë e vogla. Ato, këtu në vend më shumë janë biznese familjare që jetojnë nga biznesi i vogël ku dihet se Maqedonia ka mbi 97% biznese të vogla familjare. Do të kishte qenë mirë që ky prag të ritet në 3 milion denarë. Por, sa më i vogël të jetë pragu, njerëzit do shpikin modele për t'i ikur këtyre taksave.

Evazioni fiskal do jetë shumë më i madh, mbledhja e taksave do të vështirësohet sepse njerëzit do mundohen të mos paraqesin të hyra. Biznesi familjarë duhet të jetë i lirë nga tatimet shtesë sepse duhet të krijoj vende të reja të punës dhe vetëm atëherë kur do të ketë të ardhura të mjaftueshme të mundohet të hapë edhe një dyqan tjetër, atëherë mund të kaloj në biznes të madh ose të mesëm. Pragu 1 milion denarë është një shumë e vogël dhe i tangon afër 99% të bizneseve që kanë probleme që ta kalojnë muajin ose vitin me të hyra shumë modeste. Bizneset familjare janë ato që kanë të punësuar 5-10 persona, por norma e tyre do të kishte qenë më e madhe se 1 milion denar.

Parametrat ekonomik këtë vit treguan se paga mesatare ka shënuar rritje. Ne anën tjetër kjo është komentuar si një rritje që nuk është e bazuar në treguesit e realë ekonomik. Sa është reale kjo rritje e rrogës mesatare?

Nuk është aspak reale sepse këtu nuk kemi sektor privat real, pasi këtu në Maqedoni nuk ka ndodhur që të ketë ardhur ndonjë kompani e cila ka ndonjë fuqi të madhe absolute për të pranuar fuqi punëtore, sepse do të ketë efekt domino në të gjithë sektorin ekonomik. Këto lloj pagash dhe pensionesh promovohen nga qeveria ato i ngrenë vlerën nominale të tyre prej 2-5% ndërsa çmimet rriten 2 fish më tepër.

Njerëzit tek ne nuk punësohen në sektorin privat, realisht nga 2015-2018 nuk kemi asnjë investim të huaj e cila do kishte pasur fuqinë e rritjes së pagave. Në Maqedoni nuk ka ndodhur diçka shumë e madhe që kjo rritje të ndodh në premisa reale të asaj. Nuk e di se pse qeveria i promovon punësimet në pushtetin qendror dhe lokal. Sektori privat nuk e di a do të ketë fuqi që ti absorbojë këto njerëz. Mendoj se nuk është e bazuar mbi fakte reale, i risin pagat për shkak se duan ta blejnë qetësinë sociale, mirëpo ky lloj nuk është i qëndrueshëm në kohën afatgjate dhe kjo nuk do jep rezultate.

Situata ekonomike në Maqedoni, nuk mund të përmiësohet shpejt pasi në jemi ekonomi që varet nga importi

A mendoni se me taksat e reja qeveria po mundohet te përmirësojë situatën ekonomike ose të paktën te realizoje diçka nga ajo që u ka premtuar qytetarëve?

Maqedonia nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë zhvillim të madh ekonomik apo ndonjë model të ri ekonomik. Kryeministri Zaev, atë që e promovon është taksa progresive e cila do të ngarkoj një shtresë më të madhe njerëzish. Shqetësimet vazhdojnë të jetë invazioni fiskal ku ka njerëz të cilët i ikin hetimeve për shkak se i përkasin një partie politike, dhe në të kaluarën është dëshmuar se partitë politike janë mbi institucionet. Kemi kompani që janë afër me pushtetin dhe ato favorizohen nga pushteti qendror dhe lokal, dhe kjo praktik ka qenë gjithmonë në Maqedoni.

Qeveria paralajmëroi përmirësim te situatës ekonomike, ndërsa ne anën tjetër po rrit çmimet e derivateve te naftës dhe te transportit publik. Si e komentoni këtë vendim te qeverise?

Ne jemi ekonomi që jemi të varur nga importi ne kemi deficit tregtar me të gjitha shtetet e Ballkanit perëndimorë dhe mos të flasim me shtetet e evropës perëndimore. Ne nuk jemi një shtet që dirigjon çmim qeveria mund të dirigjon se sa përqind fitim kërkon duke qenë ekonomi plotësisht e varur nga jashtë ne sot kemi ekonomi e cila është e varur për import edhe për produktet ushqimore.

Ne kemi deficit edhe të produkteve bazë ushqimore siç është mishi dhe shumë tjera. Ne gjithçka që hamë, pimë dhe konsumojmë marrim nga jashtë dhe me këtë ekonomi e cila krijon varshmëri të madhe nga jashtë të tjerët pastaj do ti bëj ndryshimet për ne. Si shtet vetëm mund të risim ose ti ulim taksat që merr shteti mbi këto produkte. Ajo që duhet të bëhet është stimulimi i sektorit privat, stimulimi i prodhimit lokal që do të mund të krijohet një lloj prodhimi edhe këtu. Varshmëria e produkteve naftës edhe këtyre të tjerave të ulet sa ma tepër me qëllim që ne të jemi prodhuesit dhe ne të mund të eksportojmë dhe gjithmonë të mund të marrim produkte të gatshme nga vendi.

Qeveria këtu po rrit akcizat sepse ka trashiguar një arkë të zbrazur nga VMRO-DPMNE dhe ato po mundohen që ti gjejnë nga diku këto para. Këto para në buxhet mund të futen kur bëjmë tatime të ndryshme. Qytetarët nuk tangohen vetëm në ato çmimet që janë në akcizë. Kjo nuk është popullore fare por do të duhet nga diçka të mbijetoj kjo qeveri. Në qoftë se Maqedonia nuk futet në NATO do të ketë shumë protesta sociale për shkak të rritjes së çmimeve.

Investimet e huaja duhet të bëhen në vende reale dhe të hapet rruga e komunikimit ndërmjet kompanive të huaja dhe atyre vendore

Investimet e huaja vazhdojnë te mbesin ne piken zero. Çfarë masash duhet te ndërmerr qeveria që të krijojë kushte për thithjen e investimeve të huaja?

Qeveria duhet të krijoj një ekosistem që do të thotë integrimi i sektorit privat, institucionet akademike arsimore me shtetin. Qeveria e mëparshme ka bërë që kompanitë nëpërmjet ishujve ekonomik kanë ardhur këtu dhe kanë marr lirime të mëdha tatimesh dhe taksash, ndërkohë që kanë marr edhe shumë subvencione për shkak se kanë krijuar shumë vende të reja pune ndërsa ekonomia vendit s’ka pasur asnjë lloj përfitimi. Lëndën e parë e kanë marrë nga jashtë, nuk kanë pasur të drejtë të shesin këtu dhe gjithçka e kanë shitur jashtë.

Ajo që duhet të bëhet tani, investimet e huaja të bëhen nëpër vendet reale që kompanitë të komunikojnë, të kenë bashkëpunim dhe shkëmbim tregtarë me prodhuesit lokal. Vetëm kështu mund të kemi efekt real për investimet e huaja. Ajo që ekonomisë i nevojitet është thithja e investime të huaja nga vende që kanë qenë tradicionalisht mike me Maqedoninë. Një rol të madh mund të luaj edhe diaspora pasi ne në të kaluarën kemi shkuar dhe kemi kërkuar investime deri në Indi, në ndërkohë që njerëzit që janë në diasporë kur kanë ardhur të investojnë këtu janëë ballafaquar me pengesave administrative, burokraci të ndryshme, deri tek marrja e haraçit dhe korrupsioni.

Këta persona kanë qenë të demotivuar të investojnë këtu. Investimet më të mira edhe më afatgjate mund të bëhen në qoftë se personi ka emocion për këtë vend dhe në qoftë se nuk do të ndodh sikurse me Johnson Control që erdhi e morri kajmakun dhe përfitimet dhe kur i përfundoj kontrata shkuan prapë nga vendi ku kanë ardhur.

Interviste me Visar Ademi 3 27e9aFoto: Muhsin Güler

Të rinjtë na ikin nga vendi, ndërsa shteti nuk vrapon pas tyre, por pas investitorëve të huaj. Diaspora duhet të shihet si shpëtim për ekonominë e vendit

Çfarë do të ndryshonit në strategjinë zhvillimore për të pasur një ekonomi më të mirë në vend?

Do kisha pasur si sugjerim 4 pika. Ndër të parat do kisha thënë ekonomia e dijës, inovacioneve, Facebook-ut apo të gjithë medieve sociale. Të gjitha këto ide kanë ardhur nga mençuria e personave të rinj. Maqedonia duhet të mundohet që ta fuqizoj rininë, të mund të krijoj dhe ta fuqizoj sipërmarrësin dhe tu jepen të rinjve grand që mund të krijojnë Strat Up kompani mbi premisat e inovacionit më të zhvilluar deri tani. Ne vrapojmë të gjejmë investitorë ndërsa të rinjtë na ikin nga Maqedonia. Sipërmarrësi mbi premisat e inovacionit dhe kreativitet është shumë e rëndësishme.

E dyta shumë e rëndësishme fuqizimi i sektorit privat edhe prodhuesve lokal me qëllim që kanë për bazë eksportin. Vetëm duke pasur eksport ti ke para të freskëta që mund ti futsh përsëri në industri. Në qoftë se ki prodhues lokal që shesin këtu efekti zinxhir është shumë i vogël. Por nëse i subvencionon dhe shesin jashtë të gjitha parat që ato bëjnë i kthejnë mbrapa në Maqedoni. E treta investitorët të huaj real e jo ato nëpër ishujt ekonomik, dhe e katërta është fuqizimi i diasporës. Ajo duhet të krijohet si një model që diaspora të ngel këtu e mirë se ardhur që të mund të investoj, sepse vetëm duke investuar diaspora këtu mund të kemi zhvillim afatgjatë ekonomik.

Punësime më shumë të kemi në sektorin privat më shumë se në atë publik mund të ndodh vetëm nëse Maqedonia futet në NATO, sepse atëherë do të ketë një lloj garancie edhe Euro-Atlantike mbi demokracinë në vend, mbi stabilitetin e institucioneve mbi pavarësinë e institucioneve si dhe mbi sundimin e shtetit dhe ligjit. Shembull Shqipëria para se të hy në NATO, dhe pasi ka hyrë në NATO ka pasur një ndryshim radikal ekonomik, ajo ka përjetuar një boom investimesh pasi u fut në NATO dhe deri 70% ka pasur investitor të huaj. Vetëm me garanci Euro-Atlantike dhe jo si tani që ka funksionuar gjithmonë partia është mbi. Gjithashtu edhe të rinjtë mund të motivohen të krijojnë dhe të shesin produkte jashtë apo të krijojnë një lloj bashkëpunimi me të gjithë .pjesëmarrësit tjerë ekonomik.

Një rol të madh mund të luaj edhe diaspora pasi ne në të kaluarën kemi shkuar dhe kemi kërkuar investime deri në Indi, në ndërkohë që njerëzit që janë në diasporë kur kanë ardhur të investojnë këtu janëë ballafaquar me pengesave administrative, burokraci të ndryshme, deri tek marrja e haraçit dhe korrupsioni.

Please publish modules in offcanvas position.