HARTA E INVESTIMEVE DO TË KETË SHTRIRJE NË GJITHË VENDIN

INTERVISTË ME DR. BARDHYL DAUTI, MINISTËR PËR INVESTIME TË HUAJA: HARTA E INVESTIMEVE DO TË KETË SHTRIRJE NË GJITHË VENDIN

Zhvillimi i sektorit privat dhe investimet e huaja mund të çojnë vendin në një situatë më të mirë ekonomike për shkak se këta janë dy sektorët ku tani mund të mbështetet ekonomia e një vendi.

 

Pa bërë një vit të plotë qeveria në krye me Zoran Zaevin kryeministër, bëri rekonstruktimin e qeverisë ku tani partner të ri të koalicionit u futën PDSH-ja dhe BESA e Afrim Gashit. Nga radhët e PDSH-së, Bardhyl Dauti u zgjodh që ta udhëheq dikasterin e Ministrisë së investimeve të huaja. Ai vjen nga sfera akademike dhe njihet si ekonomistë me një background të fuqishëm.
Dr. Bardhyl Dauti diplomoi në fakultetin Ekonomik të Universitetit të Evropës Juglindore, drejtimi Financë, në vitin 2005. Në vitin 2007 magjistroi për shkenca ekonomike në Universitetin Staffordshire, Angli. Ndërsa studimet e doktoraturës i përfundoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Lubjanës në drejtimin ekonomik. Gjithashtu është ligjërues i Makroekonomisë në fakultetin ekonomik të Universitetit të Tetovës. Sipas tij BE-ja kërkon disa kushte që duhet të përmbushen për integrimin e plotë të vendit në strukturën e saj politike.

Dr. Bardhyl Dauti ka një sfond të gjerë të njohurive shkencore nga fusha e ekonomisë, pasi që është anëtarë i disa asociacioneve shkencore, si vlerësues i jashtëm i punimeve shkencore, në disa revista shkencore prestigjioze. Në lidhje me ministrinë që drejton ai dhe planet që pritet të vihen në zbatim ne intervistuam dr. Bardhyl Dautin, i cili në hollësi flet për revistën ZAMAN.

Rritja ekonomike në vend mbetet shqetësim kryesor. Si mund të përmirësohet situata ekonomike?
Perspektiva e rritjes ekonomike si në vendet në zhvillim ashtu edhe në Maqedoni duhet të shihet përmes punësimeve në sektorin privat. Kjo, sepse sektori publik është i ngulfatur me punësime jo-produktive. Një ndër kushtet që lidhet me integrimin e vendit në BE është reduktimi i punësimeve në sektorin publik, rrjedhimisht kufizimi i lartësisë së punësimeve publike në masën 1% të forcës aktive punëtore. Në këtë këndvështrim punësimet në sektorin privat janë më të shëndetshme për sigurimin e rritjes ekonomike. Në përgjithësi, evidenca empirike e rritjes ekonomike mbështet hipotezën që 60% e rritjes ekonomike në vendet e BE-së, kryesisht financohet nga sektori privat.

 

Në çfarë gjendje ishte ministria të cilën tani e drejtoni Ju ?
Dr. Bardhyl Dauti: Ministrinë e Investimeve e gjeta në gjendje të konsoliduar institucionale me politika deri diku të definuar të relacioneve bashkëpunuese me institucione të ndryshme të karakterit publik e gjysmë publik. Në këtë kontekst, ne do të zhvillojmë e shtojmë aktivitetet e njëjta, që kanë karakter të relacioneve të mirëfillta institucionale në raport me ministrinë që udhëheqim, ku edhe shpresojmë të bëjmë diferencën. Fillimisht duke vënë në praktikë programin për thithjen e investimeve të huaja i cili tanimë është i njohur për opinionin publik, pasi të njëjtin e kam prezantuar në fushatën elektorale të zgjedhjeve qendrore te vitit 2016. Ky program është tërësisht kompatibil me programin aktual të qeverisë, për mbështetje të investimeve të huaja. Pika e parë, ku mbështetet ky program ka të bëj me bashkëpunimin e investitorëve të huaj, të cilët momentalisht janë në zona të lira teknologjike me investitorët e brendshëm aktual e potencial, në drejtim të fuqizimit të kontratave bashkëpunuese, ndërmjet tyre. Bashkëpunimi mes investitorëve të huaj dhe atyre vendas është në nivel.

IMG 1325 e8c17

Trajtimi i njëjtë institucional të të gjithë investitorëve ndihmon në zhvillimin ekonomik të një vendi
Zaman: Cila është pika e Juaj për mbështetje të investitorëve dhe çfarë parash Ligji aktual ?
Dr. Bardhyl Dauti – Ky ligj parasheh ndihma shtetërore për të gjithë entitetet e biznesit që janë të regjistruar në regjistrin e kompanive tregtare dhe regjistrin qendror. Shuma vjetore maksimale e mbështetjes financiare nga institucionet shtetërore, që mund të përfitojnë entitetet e biznesit, sipas ligjit në fuqi, përfshinë projektet, investime që kapin koston deri në 1,000,000 euro. Këto projekte nga institucionet shtetërore rimbursohen në masën prej 10% të kostos së investimit, përgjatë periudhës 5 vjeçare, pas themelimit të kompanisë. Ligji në mënyrë precize definon edhe forma tjera mbështetëse financiare për kompanitë vendore, të cilët gjenerojnë punë, promovojnë aktivitet ekonomik jashtë vendit dhe stimulojnë rritje ekonomike përmes aktiviteteve të tyre.
Ky bashkëpunim pritet të stimulohet në disa drejtime, ku ndër më të rëndësishmet janë: 1) Mbarëvajtja e procesit investues, përmes kontraktimit të firmave të brendshme, 2) Gjetja e klientelës potenciale në vend dhe jashtë vendit nga firma të brendshme që merren me aktivitete të marketingut e promocionit, 3) stimulimi i natyrës kompakte të produkteve të ndërmjetme që prodhohen nga firma të brendshme me produktet finale që prodhohen nga investitorë të huaj, të cilët dedikohen për konsum final. Po ashtu trajtimi si duhet institucional i investitorëve të brendshëm njëjtë ashtu siç trajtohen në mënyrë institucionale edhe investitorët e huaj, me masa lehtësuese fiskale, është pika e dytë kyçe e programit tim për stimulim të investimeve. Ligji në fuqi që rregullon llojin, sasinë, kushtet, mënyrat dhe procedurat për mbështetje të investimeve të brendshme dhe të huaja, pa përjashtim, në Maqedoni, krejtësisht është në sinkronizim të plotë me programin ekonomik qeveritar dhe programin ekonomik të Partisë Demokratike Shqiptare, i cili, gjithashtu është i njohur për opinionin publik që nga koha e fushatës elektorale të zgjedhjeve qendrore të vitit 2016.

Zaman: Sipas Jush, cili sektor mund të konsiderohet më i favorshëm për investimet e huaja ?
Dr. Bardhyl Dauti - Sipas statistikave të fundit, të raportuar nga institucioni i entit shtetëror të statistikave që vërteton përbërjen strukturore, të produktit të përgjithshëm bruto (PPB-se), vlen të përmendet se sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë përfshinë pjesën më vitalë të aktivitetit ekonomik. Ky sektor kontribuon në strukturën e PPB-së, me 20 për qind, që në krahasim me sektorët tjerë, të themi me sektorin e industrisë përpunuese apo sektorin publik brenda çdo viti shënon rritje sinjifikante. Teoria e përparësive krahasuese që mbështet rritjen ekonomike, sugjeron që aplikimi i masave lehtësuese fiskale për sektorët me përparësi krahasuese, është jashtëzakonisht e shëndetshme për një rritje ekonomike produktive, që para se gjithash kontribuon në mirëqenie kolektive e standard jetësor të mirëfilltë të qytetarëve. Teoritikisht, pritet që rritja ekonomike produktive që gjeneron mirëqenie, e mbështetur nga sektorët me përparësi krahasuese, të mos shoqërohet me rritje potenciale të inflacionit.

Harta e investimeve do të ndryshojë duke përfshirë të gjitha rajonet dhe zonat e lira ekonomike
Zaman: Pushteti vazhdimisht ka vepruar në mënyrë të padrejtë me disa rajone sidomos në sferën e investimeve. A pritet të ndryshojë kjo gjendje?
Dr. Bardhyl Dauti- Besoj që Po. Vlen të përmendet fakti që edhe investimet qeveritare në funksion të rritjes së standardit jetësor përmes përdorimit e shfrytëzimit më frytdhënës të të mirave publike si në shëndetësi, arsim, kulturë e sport, duhet të zënë peshë specifike në hartën e shpërndarjes proporcionale të investimeve publike, ndërmjet rajoneve të ndryshme të Maqedonisë. Në funksion të këtij qëllimi, në mënyrë që të përmirësohen kushtet për jetesë të shtresave shoqërore që janë në prag varfërie, sugjerohet që të rritet pjesëmarrja e investimeve qeveritare në raport me PPB-në, nga 1% në 3%, në rajonet e pazhvilluara të Maqedonisë. Përmes kësaj politike pritet të përmirësohet indeksi GINI, që për Maqedoninë, në krahasim me vendet rajonale, fatkeqësisht, ende raporton shpërndarje jo normale të investimeve publike, të ardhurave publike dhe pasurisë kombëtare në mes rezidentëve të vendit, megjithëse ky indeks ka tendence përmirësimi përgjatë viteve 2017 dhe 2018. Duke marrë parasysh rëndësinë e investimeve të huaja për ekonomitë e vogla dhe ekonomitë në zhvillim për sa i përket kontributit që ato japin në prodhim, punësim dhe rritje të nivelit të jetesës, Maqedonia ka krijuar një mjedis të favorshëm institucional, nëpërmjet stimujve që ajo ofron dhe krijimit të Zonave të lira ekonomike. Zonat e Lira Ekonomike janë zona të veçanta në territorin e Maqedonisë, për të cilat janë paraparë lehtësira të veçanta doganore. Këto zona janë të përcaktuara në lokacione të ndryshme, ku parashihen disa aktivitete ekonomike të definuar sipas ligjit mbi zonat teknologjike dhe zhvillimore. Përgjithësisht, ky ligj stimulon ata kompani të huaja dhe të brendshme që prodhojnë produkte të diferencuar në raport me konkurrencën perfekte të firmave jashtë zonave.

IMG 1333 de4fd

 

Zonat e Lira ekonomike në funksion të investitorëve
Zaman: Cili është roli i zonave të lira ekonomike dhe çfarë ofrojnë për investitorët e brendshëm dhe të jashtëm?
Dr. Bardhyl Dauti- Evolucioni dhe profili i investimeve të huaja  në Republikën e Maqedonisë ka kaluar nëpër faza të ndryshme. Maqedonia është një vend me potencial për investime. Gjatë viteve të fundit janë ndërmarrë një sërë reformash për përmirësimin e klimës së investimeve. Duke marre parasysh rëndësinë e investimeve te huaja për ekonomitë e vogla dhe ekonomitë në zhvillim sidomos sa i përket kontributit që ato japin në prodhim, punësim dhe rritje të nivelit të jetesës, Maqedonia ka krijuar një mjedis të favorshëm institucional, nëpërmjet stimujve që ajo ofron dhe krijimit të Zonave të lira ekonomike. Zonat e Lira Ekonomike, janë zona të veçanta në territorin e Maqedonisë, për të cilat janë paraparë lehtësira të veçanta doganore. Këto zona janë të përcaktuara në lokacione të ndryshme dhe organizohen në veprimtarinë e tyre në kuadër të ligjit për zonat zhvillimore teknologjike. Në përgjithësi, në këto zona investitorët përfitojnë lehtësime në taksa, dogana dhe inventive ta. Investitorët në zonat e lira kanë të drejtën e përjashtimit nga tatimi mbi fitimin koorporativ, tatimi mbi vlerën shtesë, tatimi mbi të ardhurat personale, dogana dhe akciza në masën 100% përgjatë 10 viteve të para të operimit, duke e bërë normën efektive të ngarkesës fiskale për kompanitë e huaja 0%. Investitorët janë të përjashtuar nga pagesa e tatimit mbi vlerën e shtuar për mallrat, lëndët e para dhe pajisjet. Përveç kësaj, investitorët janë të përjashtuar nga pagesa e detyrimeve doganore për pajisjet, makineritë dhe pjesët rezervë. Padyshim qe këto lehtësime vlejnë edhe për investitorët vendas, me qëllim që të konsolidohen dhe zgjerohen përfitimet e investimeve nëpërmjet krijimit të vendeve të reja të punës.
Zhvillimi i sektorit privat ndikon ne rritjen ekonomike të një vendi
Zaman: Pavarësisht zhvillimeve ekonomike dhe politike, treguesit ekonomik japin sinjale negative për tre mujorin e parë . Si do ti bindni investitorët se në Maqedoni ka klime per biznes?
Dr. Bardhyl Dauti- Plani për rritjen ekonomike të projektuar prej 3.2%, mbështetet në aktivitetet promovuese të kësaj rritje ekonomike siç janë: a) ofrimi i kushteve të njëjta për investitorë të brendshme dhe të huaj, b) rritje të bashkëpunimit ndërmjet kompanive vendase dhe kompanive të huaja, c) mbështetje së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, d) rritje të konkurrencës përmes reduktimit të ineficencave që rezultojnë nga fuqia monopole e firmave të koncentruar në tregje të veçanta dhe e) zhvillimit të teknologjisë dhe inovacioneve. Këto 5 lloje aktivitetesh janë me bazë të shëndoshë potenciale për zhvillim të sektorit privat. Përgjithësisht shtetet në zhvillim dhe ato të zhvilluara, rritjen ekonomike e mbështetin kryesisht përmes zhvillimeve produktive në sektorin privat. Plani i definuar i rritjes ekonomike, që mbështetet nga ligjet e fundit për përkrahje të investimeve është në sinkronizim të plotë me objektivat makroekonomike për rritje ekonomike. Sipas statistikave të EUROSTAT, 60% e rritjes ekonomike në shtetet e zhvilluara financohet kryesisht nga sektori privat. Besoj që edhe Maqedonia rritjen ekonomike, në bazë të ligjeve në fuqi, e orienton kryesisht në drejtim të zhvillimeve pozitive në sektorin privat.

Zaman : Kur jemi te zonat elira ekonomike, mund të na thoni dallimin ndërmjet Zonës se lirë ekonomike dhe asaj në partneritetit privat-publike?
Dr. Bardhyl Dauti - Definimin për zonën e lirë ekonomike e përmendëm më sipër. Ndërsa, partneriteti Publik-Privat (PPP) në përgjithësi përkufizohet si formë bashkëpunimi e sektorit publik dhe sektorin privat, me qëllim zbatimin e projekteve në fushën e financimit, ndërtimit, menaxhimit, mirëmbajtjes dhe shërbimit. Partneriteti publik-privat është një mënyrë financimi, nëpërmjet së cilës një autoritet publik u bën thirrje investitorëve privatë për të financuar dhe menaxhuar një instalim, që siguron ose kontribuon në shërbimin publik. 

Ndryshimet politike në vend janë në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit
Zaman: Pas ndryshimeve të fundit me emrin, a mendoni se do të ndryshojë edhe situata ekonomike në vend?
Dr. Bardhyl Dauti - Mendoj se stabiliteti politik i brishtë që ka qenë i theksuar në Maqedoni përgjatë qeverisjes së kaluar, që lidhej kryesisht me mos përkufizimin e prioriteteve strategjike të Maqedonisë, karshi zgjidhjes së problemit të emrit si parakusht kryesor për integrime euroatlantike, ka kontribuar negativisht në flukset e investimeve të huaja në vend. Aksionet e qeverisë për zgjidhje të çështjes së emrit duhet të përshëndeten, përveç se nga këndvështrimi politik, gjithashtu edhe nga këndvështrimi ekonomik, sepse përgjithësisht, investitorët e huaj janë të prirë të lokalizojnë investimet e tyre kryesisht në vende që kanë stabilitet politik afatgjatë.
Zgjidhja e çështjes së emrit, gjithashtu, hap edhe perspektivat afatgjate të vendit, para se gjithash, për zhvillime pozitive në planin institucional që lidhen me përmirësimin e indikatorëve të qeverisjes së mire. Në këtë pikëpamje, procesi i reformave që ndërmerr qeveria në funksion të përmirësimit të indikatorëve të qeverisjes së mirë si: sundimi i ligjit në drejtim të përforcimit të vlerës e peshës së kontratave, të drejtave pronësore dhe gjyqësorit, lufta ndaj korrupsionit, cilësia e rregullimit ligjor në drejtim të promovimit të sektorit privat, efektiviteti qeveritar në drejtim të përmirësimit të shërbimeve publike e civile dhe shkallës së pavarësisë së sektorit publik nga presionet politike si dhe stabiliteti politik në drejtim të përmirësimit të funksionalitetit të qeverisë, pritet të ketë ndikim të rëndësishëm dhe pozitiv në sjelljen e flukseve të Investimeve të Huaja.

Zaman: Në të kaluarën promotorët ekonomik nuk kanë dhënë rezultatet e pritura. Mund të ketë ndonjë risi në këtë drejtim?
Dr. Bardhyl Dauti - Për momentin nuk ekziston ndonjë ligj për promotorët ekonomik jashtë vendit. Ka ekzistuar një ligj i tillë, që ka qenë funksional disa vite që nga viti 2006, por për arsye të ndryshme ky ligj në ditën që flasim nuk është në fuqi, mirëpo aktiviteti i ish promotorëve ekonomik ushtrohet nga persona të veçantë që luajnë rolin e atasheve ekonomik në ambasadat e Republikës së Maqedonisë në vende të ndryshme. Do ti intensifikojmë kontaktet tona me këta persona dhe gjithashtu ne kemi iniciuar disa kontakte me ambasadat e huaja që janë në Maqedoni. Po ashtu e kemi në plan që të zhvillojmë takime edhe me atashetë ekonomik në nivel të ambasadave të Maqedonisë jashtë vendit me qëllim që të stimulohet sjellja e flukseve të investimeve të huaja. Një pjesë e konsiderueshme e rezidentëve të Maqedonisë, ushtrojnë veprimtari të ndryshme jashtë vendit gjegjësisht në Evropën Perëndimore, në shtete të tilla si: Gjermani, Zvicër, Danimarkë, Angli. Në këtë këndvështrim ne do ti intensifikojmë kontaktet me atashetë ekonomik që veprojnë në ambasadat e Maqedonisë në këto vende, me qëllim që të jemi sa ma afër mërgimtarëve. Ligjet e fundit në fuqi që stimulojnë investimet e huaja, janë shumë favorizuese edhe për mërgatën shqiptare të cilët pretendojnë të lokalizojnë investimet e tyre potenciale në vendin e origjinës, në Maqedoni. 

 

 

 

 

 

Please publish modules in offcanvas position.