KORRIGJIMI I KUFIJVE MUND TË PRODHOJË PËRSHKALLËZIM TË TENSIONEVE NDËRETNIKE

KORRIGJIMI I KUFIJVE MUND TË PRODHOJË PËRSHKALLËZIM TË TENSIONEVE NDËRETNIKE

Intervistë me gazetaren, analisten dhe një ndër njohësit më të mirë të zhvillimeve politike në Ballkan, Serbeze Haxhiaj.

Në Kosovë, temë numër një vazhdon të mbetet ideja e kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjimin e kufirit me Serbinë, një çështje që ka shkaktuar polemika të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në arenën ndërkombëtare. Zërat për dhe kundër idesë së presidentit kosovar janë shtuar dukshëm sidomos ditëve të fundit, ndërsa klasa politike ende nuk është e përgatitur për të filluar një proces që vështirë se do të mund të realizohet pa një ndërhyrje të fuqishme të faktorit ndërkombëtar. Në lidhje me zhvillimet më të reja në Kosovë sikurse është çështja e kufirit dhe situata e brishtë politike për revistën Zaman, flet Serbeze Haxhiaj, gazetare dhe njohëse e mirë e zhvillimeve politike në Ballkan.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi edhe më tej insiston Se korrigjimi i kufirit me Serbinë duhet të ndodh. Si e vlerësoni këtë nismë të presidentit Thaçi?

Mendoj se kjo ide për ndryshim të kufijve që ende nuk duket plotësisht e artikuluar, në kontekstin e Kosovës dhe Serbisë në përshtypjen e parë duket praktike. Lugina e Preshevës i bashkohet Kosovës, ndërsa Serbia merr veriun e Kosovës mbi të cilin autoritet në Prishtinë edhe ashtu nuk e patën asnjëherë kontrollin e plotë. Marrëveshja në versionin siç interpretohet në Prishtinë do të normalizonte marrëdhëniet mes të dy vendeve, që nënkuptonte së pari njohjen e Kosovës, pastaj kjo do të ndihmonte që Kosova të bëhej anëtare e OKB-se , BE-se e NATO-s. Por, formula nuk duket aq e thjeshtë. Së pari nuk dihet nëse Serbia po e insiston këtë version që duket si një “ëin ëin situation” ku të dy palët janë të kënaqura dhe fituese. Aktualisht Serbia nuk po tregon që ka ndryshuar ndonjë qëllim dhe ajo që po kërkon Serbia, nuk është e favorshme për Kosovën, e cila tashmë po e pranon që pa marrëveshje dhe koncesione të reja nuk do të mund të ecën përpara. Në këtë aspekt mendoj që Serbia është në një pozicion më të favorshëm. Kur flet për prekje të kufijve presidenti serb jep mesazhin që ai do që të pakësoj përbërjen shqiptare në Luginë, ndërkohë që të mbaj më tepër prezencën serbe në Kosovë. Nisma duket e vështirë dhe e rrezikshme për Kosovën dhe regjionin në tërësi. Problemet brenda janë një çështje tjetër. Nacionalistët në Serbi dhe Kosovë kundërshtojnë marrëveshjet që njohin palën tjetër.

Qeveria e përfshirë në lojën e dialogut Serbi-Kosovë

Në anën tjetër qeveria e Kosovës dhe kuvendi vazhdojnë të kritikojnë presidentin, por pa ndonjë nismë tjetër konkrete. Sa janë gjasat që edhe qeveria të futet në këtë lojë?

Qeveria, përkatësisht kryeministri Ramush Haradinaj ishte vetë ai që ia dorëzoi presidentit tërë mandatin për të vazhduar me dialogun. Në momentin që presidenti e kishte rrugën hapur për bisedime ai vazhdoi me platformën e tij. Pohimet e Haradinajt se askush nuk ka mandat për të biseduar për kufij janë më tepër të një lideri që nuk di dhe nuk ka fuqi të merret me detyrat e veta. Në këtë rast Haradinaj edhe po tregon pazotësi për t’u marrë me çështje të vështira edhe po përpiqet t’i jep këshilla presidentit se çfarë duhet të bëjë. Unë mendoj që qeveria është tashmë në këtë lojë dhe deklarimet e Haradinajt janë jo serioze dhe tendencë për të ruajtur pozicionin e tij politik.

Faktori ndërkombëtar deri më tani ka dalë me qëndrime të ndryshme në lidhje me idenë e korrigjimit të kufirit. Sipas jush a mund të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar?

Unë mendoj që disa nga vendet kryesore të BE-së, e kanë bërë të qartë që nuk përkrahin ndryshim kufijsh për shkak se ato i frikësohen një efekti domino në Ballkan. Duke pasur parasysh kontekstin gjeopolitik të vendeve të Ballkanit dhe realitet me Bosnjën dhe Maqedoninë disa nga vendet kryesore të BE-së po e bëjnë të qartë që nuk përkrahin ndryshim kufijsh. Në fakt për liderët si Merkel ndryshimi i kufijve nuk nënkupton qetësim, por thellim të ndarjeve dhe përshkallëzim të tensioneve ndëretnike . Si mundësi e shkëmbimit të territoreve përmendet marrja e Luginës në këmbim të Mitrovicës së Veriut, ndërsa gjërat janë shumë më të komplikuara sesa një solucion i thjeshtë çfarë tentojnë ta paraqesin liderët në Kosovë e Serbi. Kosova do të humbe disa nga resurset e saj vitale si Ujmani apo një pjesë e Trepçës, nëse edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk do të ishte pjesë e pakos, ndërkohë që do të fitonte një brez fshatrash kufitare të Serbisë të populluara me shqiptarë.

Vetëvendosja paralajmëron protesta

Vetëvendosja ka paralajmëruar protesta për të parandaluar veprimin e presidentit Thaçi. Mendoni se me protesta do të parandalohet kjo nismë dhe të ndërpriten bisedimet Kosovë-Serbi?

Shkëmbimi i territoreve nuk është asnjëherë një rrjedhe paqësore as brenda e as jashtë kufijve të një territori. Në situatën e Kosovës faktori politike është ndarë dhe divergjencat po thellohen. Presidenti i Kosovës si bartës i këtij procesi dialogues nuk e ka fuqinë e plotë për të ecur përpara me negociata për dallim nga homologu i tij serb pozicioni i të cilit aktualisht është më i favorshëm. Mungesa e unitetit në Prishtinë është një problem për presidentin i cili e ka nisur i vetëm idenë e shkëmbimit të territoreve. Aktualisht ai e ka të vështirë të bind të tjerët që të ta mbështesin. Dialogu mund të mos ndërpritet, por nuk pritet që më shpejt të jap ndonjë rezultat.

Çështja e veteranëve është një krim politik i kryer nga struktura e njerëzve në pushtet

Në anën tjetër në Kosovë tashmë ka plasur skandali i listës me veteranët e UÇK-së, e cila çoi në largimin prokurorit të përgjithshëm Blakaj. Mendoni se ky skandal ka prapavijë politike për të shmangur vëmendjen e opinionit nga nisma për korrigjimin e kufirit?

Çështja e veteranëve është një krim politik i kryer nga struktura e njerëzve në pushtet. Është një element i pastër i abuzimit masiv me paranë publike dhe tendencës së përvetësimit të disa vlerave që në realitet janë të rreme. Përgjegjës kryesor për rritjen enorme të veteranëve janë dy partitë në pushtet AAK dhe PDK. Të gjitha abuzimet janë bërë në këmbim të parasë që është paguar për këtë status dhe përmes statusit të mbajtur votën. Tani qeveria po përpiqet me çdo kusht për ta diskredituar procesin hetimor dhe prokurorin Eelez Blakaj pavarësisht që kjo tashmë është tërësisht e qartë që kjo është një prej abuzimeve më të turpshme me vulën e njerëzve të UÇK-së.

Abuzuesit e listës së veteranëve të UÇK-së, duhet të ndiqen penalisht

Shumë shoqata të dala nga lufta, madje edhe kryeministri kanë akuzuar Prokurorinë për publikimin e listave. Si pasojë e kësaj a mund të ketë tronditje edhe në institucionin më të lartë të drejtësisë në vend?

Tronditja më e madhe është që ky rast mund të mos ndiqet sa duhet penalisht dhe abuzuesit të mos ndëshkohen. Fakti që qeveria po ndërhyn në gjyqësor dhe kryeministri në formën më skandaloze sulmon prokurorin dhe mban një ministër tashmë me aktakuzë si rastin e Rrustem Berishës tregon se Haradinaj vetë qëndron dhe mbron këtë abuzim. Pra bëhet fjalë për një sistem të uzurpuar gjyqësor. Në Kosovë në fakt nuk ka një sistem të mirëfilltë gjyqësor që është palca e një shteti funksional.

Pas gjithë këtyre skandaleve dhe krizës politike, BE-ja vazhdon të jep nota pozitive në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave. Sa janë gjasat që qytetarët e Kosovës në fillim të vitit të ardhshëm të lëvizin pa viza?

Aktualisht gjasa janë reale që Kosova si vetmi vend i mbetur i Ballkanit të përfshihet në Zonën e Bardhë të Shengenit. Frika ende gjithashtu është reale për faktin se disa nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën por edhe të tjerat që e kanë njohur mund ta kundërshtojnë këtë për shkak të frikës së fluksit të punëtorëve ilegalë nga Kosova. Megjithatë lënia e Kosovës të izoluar nuk është gjithashtu një zgjidhje për BE-në.

Nëse dështon ky proces, sa janë gjasat që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Mundësia e zgjedhjeve të parakohshme tashmë po bëhet më e qartë çdo ditë e më tepër pavarësisht se struktura e pushtetit mund të mos ndërroj duar. Duket që viti i ardhshëm do të jetë pashmangshëm vit i zgjedhjeve të parakohshme. Që nga shpallja e pavarësisë asnjë qeveri nuk i ka mbijetuar rregullit të mbajtjes së një mandate të plotë. Gjërat mund të ndërlikohen sërish për shkak të konstelacionit të forcave politike në vend.

e-max.it: your social media marketing partner

Please publish modules in offcanvas position.