BLEGTORIA ËSHTË NJË NDËR DEGËT MË STRATEGJIKE DHE MË FITMPRURËSE

BLEGTORIA ËSHTË NJË NDËR DEGËT MË STRATEGJIKE DHE MË FITMPRURËSE

Maqedonia mbetet vendi më atraktiv për zhvillimin e blegtorisë, bjeshka në malin Sharr së shpejti me panele fotovoltaike.

Ndërmarrja publike e ekonomizimit ose menaxhimit me kullota është ndërmarrje publike e formuar prej qeverisë, kurse punën kryesore apo veprimtarinë e ka në ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e kullotave thotë drejtori i Ndërmarrjes Publike për Kullota, Lulzim Fejzullai. Ne thotë ai, kryesisht kullotat ua japim me qera blegtorëve edhe atë përmes shpalljes publike. Pra të gjithë blegtorët që konkurrojnë në ndërmarrjen publike përfshi edhe ata që ruajnë edhe lopë, dele dhe dhi, dhe në bazë të kritereve që i plotësojnë ata mund të shfrytëzojnë kullotat që menaxhohen nga ndërmarrja jonë. Sipas Lulzim Fejzullait, kjo ndërmarrje posedon afër 700 mijë hektar tokë dhe është ndërmarrja më e madhe në Maqedoni, që posedon tokë bujqësore. Ndërmarrja jonë thotë ai ka 20 zyra në tërë Maqedoninë, kurse zyra kryesore është në Shkup, ku gjithsej jemi 40 të punësuar. Puna kryesore e ndërmarrjes është që ti menaxhojë kullotat dhe nga mjete që i siguron nga dhënia me koncesion të tokës i plotësojmë nevojat e ndërmarrjes, pasi jemi ndërmarrje vetë financuese. Po ashtu nga mjetet e grumbulluara një sasi të konsiderueshme thotë Fejzullai, e investojmë në projekte të ndryshme për të krijuar kushte më të volitshme për të gjithë shfrytëzuesit e kullotave.

Vetëm vitet e fundit kemi hapur 150 rrugë rurale

Sipas tij, vitet e fundit kemi investuar në infrastrukturë ku kemi hapur 150 rrugë rurale, po ashtu kemi bë edhe rekonstruimin e rrugëve ekzistuese dhe ato rrugë kanë qasje deri tek stanet e barinjve në majat më të larta. Po ashtu kemi bërë mbi 20 mini akumulime të ujit në pjesën jugore të vendit për shkak se atje ka më shumë thatësira, pastaj kemi hapur katër puse në pjesën lindore. Të gjitha këto investime tha për “ZAMAN”, dr. Lulzim Fejzullai, janë bërë me mjetet tona, pra të ndërmarrjes pasi ne jemi ndërmarrje vetë financuese dhe mjetet e mbledhura nga blegtorët dhe dhënia me koncesione e kullotave i kemi shfrytëzuar për të gjitha këto investime. Momentalisht jemi duke punuar në ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shfrytëzimin e kullotave, sepse me Ligjin e ri do të parashikohet që koncesionet për shfrytëzimin e kullotave të jepet në afat prej 20 vite, ndërsa me ligjin ekzistues afati është 10 vite. Të gjitha bjeshkët që janë në Maqedoni, menaxhohen nga ndërmarrja publike dhe bjeshkët i ndajmë në tre kategori. Kullotat që janë në lartësi mbi 2000 metra, të mesmet dhe kullotat që janë në pjesët e ulëta, respektivisht në zonat e fshatrave.

Në 2019 do të hapen rrugë të reja

Drejtori io Ndërmarrjes Publike për Kullota, Lulzim fejzullai, tha se ”Plani kryesor këtë vit është hapja e 50 kilometra rrugë edhe atë në përgjithësi do të jenë në Malin Sharr, në Korab dhe në malin e Bistrës. Të gjitha këto rrugë thotë ai, do të jenë të kalueshme edhe për makineri të rëndë përfshi traktor, kamion dhe makineri tjetër të nevojshme për shfrytëzuesit e këtyre kullotave. Ndërsa me ndihmën e Agjensionit Pagesor në plan e kemi të bëjmë edhe disa investime tjera, sepse e dimë që kullotat në viset më të larta nuk kanë ndonjë infrastrukturë për ti shfrytëzuar sa duhet, sepse mungon energjia elektrike. Në Bashkëpunim me këtë Agjensi kemi siguruar disa penela foto-voltaike që blegtorët të cilët do ti shfrytëzojnë këto kullota të kenë rrymë, dhe është paraparë që afër 50 stane të kenë rrymë si dhe ujë duke vendosur gypa. Pra do të ketë një investim shumë të madh dhe mjaft efikas që do të krijojë kushte për zhvillimin e kësaj veprimtarie.

Në anën tjetër pohoi ai, në sektorin e blegtorisë ka një rënie, por ne tentojmë që blegtorëve t’ua përmirësojmë kushtet që ato blegtor që merren me blegtori ta zhvillojnë akoma më shumë këtë lëmi dhe tua lënë edhe gjeneratave të reja. Pra të krijohet një traditë sepse kjo sferë është shumë fitimprurëse dhe të jetë një biznes jo vetëm ekzistencial, por të jetë një biznes i volitshëm. Mendoj se nëse blegtorët do të kenë qasje në kullota, në ujë dhe rrymë pra në të gjitha këto investime që do bëhen atëherë me siguri se blegtoria do të jetë një ndër sektorët më fitimprurës dhe më tërheqës edhe për gjeneratat që vijnë pas neve. Maqedonia është pasur në kuptimin e natyrës sepse i ka kullotat më të mira jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë, por ata duhet të menaxhohen dhe duhet të investohet që të krijohen kushte sa më zhvillimore. Unë mendoj tha Lulzim Fejzullai, drejtor i Ndërmarrjes Publike Për Kullota në Maqedoni se blegtoria është një ndër degët më strategjike se ne e dimë që qengji jonë është shumë i njohur në Evropë me theks të veçantë në Itali, edhe pse ka një çmim solid megjithatë është mjaft i njohur dhe i kërkuar në treg. Një blegtor i mirë me 400-500 dhen mund të bëjë një ekzistencë mjaft të mirë familjare sepse ka treg edhe për qengjin edhe për djathin dhe prodhimet tjera.

Lulzim Fejzullai 2 6e851

Blegtorët tanë shumë pak i shfrytëzojnë fondet evropiane

Fatmirësisht ka shumë fonde evropiane që të risim standardin, por ne shumë pak i shfrytëzojmë këto fonde për shkak të mos-kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm që kërkohen nga ana e fondeve evropiane. Sipas Fejzullait, për ti shfrytëzuar këto fonde kërkohet një dokumentacion voluminoz dhe mjaft i detajuar dhe i saktë dhe këtë gjë ne në përgjithësi nuk e kemi. Fermerët tanë si duket nuk janë future në sistem si duhet që ti sigurojnë të gjitha dokumentet e nevojshme për të konkurruar me projekte të financuara nga fondet evropiane. Ka shumë fonde që ndahen për këtë degë të bujqësisë duke filluar me IPA fondet, IPARD fonde, fondi nacional i shtetit që duhet të shfrytëzohet, pastaj programi rural, por blegtorët tonë shumë pak i shfrytëzojnë. Të gjithë fermerët dhe blegtorët tanë duhet të jenë më efikas dhe të kenë qasje në të gjitha këto fonde, por kuptohet se kjo duhet të bëhet në mënyrë shumë të qartë duke siguruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm tha ai. Kemi blegtor që tokën e vet ende nuk e ka në pronësi të vet, por në pronësi të gjeneratave të mëhershme dhe kjo paraqet një pengesë kryesore në shfrytëzimin e këtyre fondeve.

Shpallja e Malit Sharr si park nacional në dobi të banorëve

Për ne kjo nuk paraqet ndonjë problem sepse ne menaxhojmë me kullotat dhe kjo është në dobi të shoqërisë pasi me këtë ruhet biodiversiteti i Malit Sharr. I njëjtë është rasti edhe me Mavrovën ku është park nacional, kurse ne menaxhojmë me kullotat dhe kjo është një mënyrë mjafte mirë që të ruhet dhe të zhvillohet natyra pohon dr. Lulzim Fejzullai. Pra ligjërisht duhet të ruhet biodiversiteti dhe kjo na përgjigjet edhe neve. Tek popullata ekziston dyshimi se nëse bëhet park nacional ata nuk do të jenë të lirë, por unë mendoj se ministria nuk e ka informuar si duhet popullatën në atë pjesë kur dihet se me shpalljen park nacional do të ruhet Mali dhe biodiversiteti. Do të shmangen të gjitha parregullsitë pra nuk do të mund të shkatërrohet Mali, dhe shpallja park nacional do të jetë në fokus të zhvillimit të natyrës.

Subvencionet ndikojnë në zhvillimin e blegtorisë

Drejtori i ndërmarrjes Publike për Kullota, Lulzim Fejzullai, thotë se, Blegtoria është degë e cila dy herë në vit përfiton subvencione nga shteti. Një për qengjin dhe një kur shet prodhimet. Subvencionet janë për ta zhvilluar atë veprimtari e jo për të bërë ndonjë punë tjetër, dhe kjo bie ndesh edhe me punën që bëjnë blegtorët. Nëse ato mjete shfrytëzohen për blegtori është në rregull, ndërsa nëse ato mjete shfrytëzohen për blerje të ndonjë makine atëherë kjo nuk shkon në zhvillimin e kësaj veprimtarie. Pra gjithçka varet nga ajo se si i shfrytëzojnë mjete që marrin nga shteti për të subvencionuar këtë veprimtari. Blegtorin nuk mund ta mbrojmë nga tregu i jashtëm pasi tani tregu ekonomik është i lirë. Ne mund të mbrohemi nga tregu i jashtëm me cilësi, me menaxhim të mirë, me organizim të mirë dhe lirisht atëherë jemi konkurrent me tregun e huaj. Ne duhet ti zhvillojmë disa shkathtësi që të jemi konkurrent me tregun evropian pohoi Fejzullai. Por ai kërkon që blegtorët të organizohen më mirë, , të formojmë pasardhësit e tyre, të shkollohen në këtë aspekt si në veterinar, menaxhim, bujqësi dhe kjo të bëhet biznes dhe të futet në suaza të trendëve botërore. Ata duhet ti mbrojnë të drejtat e tyre dhe në këtë mënyrë të mbrojnë të drejtat e tyre para të gjithë institucioneve, keqbërësve dhe tregut evropian. Maqedonia është vend bujqësor dhe ne këtë duhet ta shfrytëzojmë, pra duhet ta shfrytëzojmë edhe Malin dhe mënyrën e menaxhimit dhe të marketingut ta kemi në një nivel më të lartë tha për ZAMAN, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Kullota të Maqedonisë, dr. Lulzim Fejzullai.

Please publish modules in offcanvas position.