Ibn Battuta, një nga eksploruesit më të mëdhenj të periudhës mesjetare

Ibn Battuta, një nga eksploruesit më të mëdhenj të periudhës mesjetare

Ibn Battuta ka lindur në Tanxher, Marok, në 1304. Prindërit e tij ishin juristë në profesion, një punë shumë e rëndësishme në shoqërinë Islame dhe ai ndoqi po të njëjtën rrugë. Megjithatë, Tanxheri nuk kishte një universitet të madh, ose medrese për të zgjeruar njohuritë dhe ai ishte i mbushur me dëshirën për të mësuar më shumë.

Në botën Islame, kishte mjaft biblioteka të mëdha, por ato ishin shumë larg. Megjithatë Ibn Battuta kishte një arsye për të lënë Tanxherin. Është një parim i Islamit që besimitarët duhet të bëjnë pelegrinazh në vendin e shenjtë të Mekës, udhëtimin e Haxhit. Kështu, në moshën 21 vjeç, Ibn Battuta mori një gomar dhe e la Tanxherin duke filluar udhëtimin e tij drejt Mekës për të kryer haxhin. Pelegrinazhi në Mekë do ta çonte atë në një udhëtim 29-vjeçar që zgjati rreth 75.000 milje(120 750 km).

Destinacioni i parë i Ibn Battutës ishte Tunisi, në Tunizi. Me kalimin e kohës nga Tunizia, ai u bashkua me një karvan udhëtimi dhe shërbeu si gjyqtar i tyre për të zgjidhur mosmarrëveshjet ligjore. Ata kaluan nëpër Aleksandri dhe Damask, vende këto të bibliotekave të shumta. Në Aleksandri, Battuta qëndroi me disa studiues të shquar dhe pa kaluar shumë kohë, ai filloi disa udhëtime të vogla nëpër rajon.

Nga tre rrugët më të zakonshme për të shkuar në Mekë, ai zgjodhi atë më pak të përdorur, duke kaluar përgjatë Nilit dhe Detit të Kuq, por u detyrua të kthehej pas për shkak të luftërave lokale. Kështu, ai përfundoi duke e bërë udhëtimin për në Mekë përmes Sirisë, një udhëtim që e çoi nëpër Jeruzalem dhe vende të tjera të shenjta. Ibn Battuta e bëri haxhin në Mekë, ku qëndroi për një muaj për të përfunduar të gjitha ritualet. Pasi kishte kryer detyrimet e tij fetare, ai udhëtoi në rajonet perëndimore të Persisë dhe Irakut, përpara se të kthehej sërish në Mekë dhe të jetonte e të studionte atje për tre vjet.

Udhëtimi i tij i ardhshëm ishte nga deti. Ibn Battuta udhëtoi për në Jemen përgjatë vijës bregdetare të Detit të Kuq. Ai pastaj bëri ndalesa në Aden(qytet në Jemen) dhe Mogadishu(kryeqyteti i Somalisë). Udhëtimi i tij i kthimit e solli atë në Mekë më 1332, por jo më parë se ai të kishte vizituar Omanin dhe pjesët e tjera të Gjirit Persik. Këtë herë, ai nuk qëndroi gjatë në Mekë, duke nisur kështu të udhëtojë për në Anadoll me synim që të arrinte në destinacione sa më të largëta. Ai lundroi mbi Detin e Zi duke bërë një vizitë në Kaukaz. Prej andej, ai vazhdoi udhëtimin nëpër tokat që shtriheshin në lindje të lumit Vollga. Ai kaloi disa kohë në Afganistan duke arritur më pas në luginën e Indus.

Pas arritjes në Delhi, Ibn Battuta qëndroi atje për gati një dekadë, duke punuar si gjyqtar. Në vitin 1342, ai më në fund u largua nga qyteti duke eksploruar rajonet qendrore të Indisë para se të ndiqte bregun e Malabarit deri në ishujt Maldive. Udhëtimi i tij i ardhshëm ishte edhe më i gjatë, duke kaluar në ishullin Cejlon(Sri Lanka) dhe të shkonte në Sumatra(ishulli më i madh i Indonezisë). Prej këtu, ai shkoi në Kinë dhe kaloi një kohë të shkurtër atje. Në fund të viteve 1340 dhe në fillim të vitit 1350, ai udhëtoi pothuajse pa ndërprerje. Udhëtimi i tij përfundimtar e çoi atë në shkretëtirën Sahara në Niger.

Ibn Battuta kurrë nuk kishte mbajtur shënime gjatë udhëtimeve të tij, por kur u kthye në Marok në 1354, Sulltani i vendit e urdhëroi të përpilonte një libër në të cilin të shkruante për udhëimet e tij. Ai mundi vetëm pas një viti ta përfundonte veprën me titull “Rihle” ose “Udhëtime”, e cila konsiderohet si një nga tregimet më të gjalla dhe më të plota të botës Islame në shekullit të 14-të. Ekzistojnë dëshmi fragmentare të viteve të fundit të jetës së tij, që tregojnë se në pjesën e mbetur të jetës, ai ka ushtruar profesionin e gjykatësit në Marok. Pas vdekjes së tij në 1369, libri “Udhëtimet”, ra në errësirë deri në shekullin e 19-të që u rizbulua nga francezët, gjatë pushtimit të tyre në Algjeri (në vitet 1830). Pas kësaj, reputacioni i Ibn Battutës si një nga eksploruesit më të mëdhenj të historisë u ringjall dhe trashëgimia e tij tani është e sigurt. Duke qenë se ai mbuloi një distancë rreth tre herë më të madhe se Marco Polo, i cili jetonte në të njëjtën kohë, Ibn Battuta konsiderohet si një nga eksploruesit më të mëdhenj të periudhës mesjetare.

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.