NË TETOVË U MBAJT EDICIONI III I MANIFESTIMIT LETRAR NDËRKOMBËTAR 'SHTIGJE POETIKE'

NË TETOVË U MBAJT EDICIONI III I MANIFESTIMIT LETRAR NDËRKOMBËTAR 'SHTIGJE POETIKE'

 Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” dhe Gjimnazi “7 Marsi” – Tetovë, me rastin e 21 marsit – Ditës Botërore të Poezisë e organizuan Edicionin III me radhë të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”.


Në këtë veprimtari kulturore u theksua se me organizimin e këtij manifestimi realizohet një nga projektet e njohura të kulturës sonë, duke përmbushur në këtë mënyrë një detyrim që artdashësve të qytetit rrëzë Sharrit t’u ofrohet sa më tepër veprimtari letrare. Organizatorët vlerësuan njëherazi se këto ngjarje ngërthejnë në vetvete simbolikën e ngritjes së përbashkët në lëmin e arsimit, shkencës, kulturës, artit, si dhe në fushën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit dhe subjekteve të ndryshme kulturore.

54225029 393792718110022 5611979877281431552 n cbcae
Edicionin III të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike” e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili në fjalën e tij veçoi para auditorit se nëpërmjet poezisë, krijimeve të ndryshme artistike dhe performancës muzikore, vijnë në shprehje nxënësit, studentët, shkrimtarët dhe poetët. Duke organizuar veprimtari letrare, ne bashkërisht dëshmojmë se jemi pjesë e pandarë e zhvillimeve kulturore që organizohen gjithandej në botën e qytetëruar – shtoi ai.
“Sot i gjithë globi, në ditën e saj e nderon poezinë - gjuhën amtare të racës njerëzore. Prandaj, edhe ne në Tetovë, jemi në unison të plotë me objektivin kryesor të UNESKO-s që 21 Marsin – Ditën Botërore të Poezisë, ditën e universit artistik, ta shndërrojmë në ditë feste të letërsisë, ku fjala e ka mundësinë e lirisë, ku artisti me imagjinatën e tij artikulon ide universale që kanë të bëjnë me artin, me atdheun, me dhembjen, me dashurinë si dhe me shumë e shumë motive të tjera. Letërsia është e vjetër po aq sa të folurit. Ajo u rrit nga nevoja e njeriut për të dhe nuk ka ndryshuar, përpos që është bërë edhe më e nevojshme. Ajo shoqërohet me bukurinë, një bashkim suprem dhe si e tillë refuzon ta shkurorëzojë artin nga jeta dhe dashurinë nga perceptimi. Fillet e poezisë janë të hershme, sikundër janë të njohur poetët që e kanë krijuar atë në të gjitha zhanret e saj” – theksoi Selam Sulejmani.
Ai po ashtu deklaroi se studiues të njohur të letërsisë thonë se poezia, sidomos ajo lirike, ka lulëzuar që në shekullin VII-V para erës së re në Greqinë e lashtë, me poetët e njohur si Alkeu, Pindari dhe Arkiloku, për të vazhduar me krijimet poetike mbresëlënëse te romakët apo edhe te persët në shekujt XII-XV, ku ndërmjet tjerëve shquhet poeti i madh Omar Khajami, i përkthyer nga Noli.
“Në shekullin XIII, shfaqen lirikë të shquar në Itali si Kavalkanti, Giani, me në krye Dante Aligierin. Periudhës së Rilindjes i përkasin emra të mëdhenj si Petrarka në Itali, Ronsardi në Francë dhe Shekspiri në Angli. Në shekujt XVIII - XIX, kemi një varg poetësh të vendeve të ndryshme që shquhen me vokacionin e tyre, poetët modernë të simbolizmit, periudhë në të cilën u botua vëllimi poetik “Lulet e së keqes” të Bodlerit dhe veprat e poetëve të tjerë.
Letërsia shqiptare, në veçanti ajo gojore është e pasur me lirika të bukura që shpeshherë kanë qenë frymëzim edhe për poetët e krijimtarisë artistike. Ne të gjithë i kemi të lexuara dhe i kemi të njohura vargjet poetike të Naim, të Pjetër Zarishit, të Filip Shirokës, të Çajupit, të Asdrenit, të De Radës, të Zef Sermbes etj. Në shekullin e kaluar, në letërsinë shqiptare paraqiten emra eminentë, si: Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Fan Noli, Ernest Koliqi, Lasgush Poradeci, etj, pa i harruar edhe poetët dhe krijimet e tyre që kanë pasur dhe që vazhdojnë të kenë ndikim të jashtëzakonshëm te lexuesi shqiptar dhe jo vetëm, siç janë: Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Bardhyl Londo, Dhori Qiriazi, Visar Zhiti, Esad Mekuli, Ali Podrimja dhe shumë e shumë të tjerë” – theksoi në fjalën e tij kryetari i Shoqatës “Tradita”.
Në emër të Komunës së Tetovës, me fjalë rasti i përshëndeti të pranishmit Ahmed Qazimi, i cili i përgëzoi organizatorët për shënimin e Ditës Botërore të Poezisë dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në projekte të tilla kulturore.
Referatin kryesor për rëndësinë e poezisë e paraqiti para të pranishmëve presidentja e Qendrës PEN nga Shqipëria, z-nj. Entela Klasi, e cila me këtë rast u shpreh se ndihej e nderuar dhe lumtur që merr pjesë në këtë ngjarje letrare-artistike.

e-max.it: your social media marketing partner

Please publish modules in offcanvas position.