Hekuran Duka, kandidat për kryetar komune të Dibrës nga BDI-ja

Hekuran Duka, kandidat për kryetar komune të Dibrës nga BDI-ja

Hekuran Duka kandidati për kryetar komune të Dibrës nga BDI-ja beson në vetvete dhe hyn në garën për kryetar të Dibrës si i ndershëm, transparent, me dëshirë dhe vizion se si të vazhdojë të implementojë tërësisht programin e BDI-së në Dibër.

Pse vendosët të pranoni që të jeni kandidat për kryetar komune në Dibër?

Vendosa që të kandidohem për faktin se kam besim në vetvete, për shkak se jam i ndershëm, jam transparent, kam dëshira dhe vizion se si të vazhdoj ta implementoj tërësisht programin e BDI-së për Dibrën nga viti 2017. Ai program ishte votuar në mënyrë masive nga votuesit, ndërsa një pjesë e madhe tanimë është realizuar nga ana e kryetarit tanimë të ndjerë Ruzhdi Lata. Për këtë duhet të gjithë programin ta realizojë unë për shkak se kam mbështetje të fortë nga BDI-ja, e cila më kandidoi dhe është pjesë e koalicionit qeveritar të RMV-së.

Cilat janë prioritetet në Programin tuaj?

Prioritetet kryesore janë: zgjidhja e problemit me furnizim të plotë të qytetit me ujë dhe në periudhën e verës me ndërtimin e rezervarit të ri. Më pas sistematizimi dhe rregullimi i deponisë së qytetit, rregullimi i komunikacionit të qytetit me krijimin e parkingjeve të reja në disa pjesë të qytetit duke përfshirë këtu edhe qendrën e qytetit. Më pas parashoh zgjidhjen e problemit me qentë me hapjen e azilit për qentë me karakter rajonal. Më pas parashoh rregullimin e rrugëve të caktuara lokale dhe rrugë të caktuar rajonale në bashkëpunim me pushtetin qendror si dhe me ndërtimin e këndi lojërash për fëmijë. Më pas kujdes për zhvillimin e ekonomisë, arsimit dhe kulturës.

Ku e shihni përparësinë e zgjedhjeve në lidhje me kundërshtarin?

Përparësia ime është se kundërshtari im tashmë humbi në zgjedhjet për kryetar në vitin 2017 dhe ai nga ajo pozitë nuk mund t’ju premtojë dibranëve shpresë më të mirë për shkak se ai as atëherë as tani nuk ka program zgjedhor, që është e domosdoshme për menaxhimin me kërkesat e qytetarëve. Nuk ka bazë të sigurt nga resurset njerëzore veçanërisht nga sfera ekonomike që të realizojë edhe ato premtime të vogla të cilat nuk i i ka as të sistematizuara, ndërsa i paraqet si të tilla. Partia në të cilin ai është anëtar nuk është në Qeveri as në shumicën e këshillit komunal.

Si e shihni Dibrën me Ju pas dy viteve dhe me cilat kuadro do ta përforconi kabinetin?

Dibra pas dy vitesh do të jetë qytet evropian. Do të ketë ujë të pastër për pirje, nuk do të ketë ajër të ndotur, rrugë të rregulluara dhe pa mbeturina.  Do të ketë komunikacion të rregulluar dhe parkingje të ndërtuara. Do të ketë zona ekonomike ku do të zhvillohen aktivitetet ku do të veprojnë firmat e vogla dhe të mesme. Do të ketë shumë turistë të cilët do t’i vizitojnë resurset turistike në Dibër siç janë Banjat e Dibrës, Liqeni i Dibrës… Gjithashtu, do të ketë sport të pasur dhe aktivitet kulturor të zhvilluar. Kabinetin do ta përforcoj me ekspertë dhe profesionistë  të brezit të ri që qytetit t’i jepet mundësia që të vazhdojë të zhvillohet, këtij qyteti të bukur me histori të pasur.

Please publish modules in offcanvas position.