Përse duhet dhuruar gjak

Përse duhet dhuruar gjak

Për të dhuruar gjak, duhet të keni ngrënë mirë dhe të keni konsumuar fruta të freskëta ose lëngje frutash të shtrydhura, çaj, kafe me pak sheqer.

Gjithashtu ditën e dhurimit të gjakut nuk duhet të kryeni aktivitete sportive dhe ditën tjetër të kryeni një aktivitet fizik të moderuar.

Gjaku është lëngu i jetës. Shpesh simbol i kundërt, ai i vdekjes. I ruhemi të gjithë e frikësohemi kur e shohim të kullojë e derdhet nga ndonjë plagë. Si trajtohet ai në aspektin thjesht shkencor e mjekësor. Gjakun pra, mund ta konsiderojmë si mediumin nëpërmjet të cilit qelizat aktive dhe indet e trupit mbahen në marrëdhënie me njëri-tjetrin. Kështu ndodh që substancat ushqyese, përfshirë këtu edhe oksigjenin, kalojnë nëpërmjet gjakut; materialet e padobishme, përfshirë këtu acidin karbonik, kalojnë nga indet në gjak - e kjo lidhje e vazhdueshme furnizon indet me energji dhe lejon daljen e materialeve të padobishme. Gjithashtu, qarkullimi i gjakut luan rol themelor në mbajtjen konstante të temperaturës së trupit në pjesë të ndryshme të tij. Për sa i përket ngjyrës, gjaku shfaqet në ngjyrë të kuqe të ndezur, për sa i përket formës e përmbajtjes, është viskoz, opak, alkalin (në reaksion) e me një erë disi të dobët, por karakteristike. Përbëhet nga një likuid transparent, ngjyrë të verdhë të hapur - i quajtur PLAZMË - ose "liquor sanguinis", në të cilin le të themi se "pluskojnë" një numër i pafund qelizash apo truptha; qelizat e bardha e të kuqe e platelet e gjakut.

Eritrocitet apo rruazat e kuqe

Janë disqe rrethore bikonkave, me ngjyrë të verdhë, por kur shihen në grup janë me ngjyrë të kuqe. Mesatarisht kemi rreth 5.000.000 eritrocite për një milimetër kub. Këto janë dhe qelizat që përmbajnë hemoglobinën, e cila është një komponent i hekurit me një farë afiniteti për oksigjenin. Pra, bazuar në aftësinë e hemoglobinës për të "thithur" e transportuar oksigjenin nga mushkëritë drejt indeve, gjaku bëhet një nga komponentët bazë të trupit njerëzor..

Leukocitet ose rruazat e bardha

Janë qeliza pa ngjyrë, me formë e madhësi të ndryshme. Më të mëdha se qelizat e kuqe, por më të pakta në numër (raporti është 1 me 500). Gjithashtu ato kanë dhe një veçori tjetër: lëvizjen, e nëpërmjet kësaj kalimin nga muret e kapilarëve në lëngjet e trupit. "Invazioni" masiv nga mikroorganizmat sjell një rritje të shumtë të korpuskulëve të bardhë (leukocitozis), të cilët tentojnë të mblidhen te vendi i infeksionit, duke rrethuar e shkatërruar "invadorët" e huaj. Ky proces quhet "fagocitozë" dhe përbën njërin ndër mekanizmat më të rëndësishëm, nëpërmjet të cilit trupi human mbrohet kundrejt infeksioneve. Rruazat e bardha rrjedhin nga palca e kockave dhe nga gjëndrat limfatike, e këto ndahen në tipa të ndryshme, sipas funksionit që kanë.

Plazma, lëngu ushqyes

Një lëng në të cilin trupat e lartpërmendur "notojnë" është solucioni me vlera ushqyese dhe shërben për jashtëqitjen e produkteve të panevojshme. Plazma mban në formë solucionesh proteina, yndyra, sheqerna, urinë, kripëra (më të njohurat janë: kloruri i potasit dhe bikarbonatet, po ashtu dhe gazra-oksigjen, acidin karbonik dhe nitrogjenin). Një nga proteinat e rëndësishme në plazmë quhet "fibrinogjen". Ky gjendet në trajtë solucioni, por në rastin e humbjes së gjakut, pra e thënë ndryshe, atë të hemorragjisë, ai alternohet dhe merr një formë tjetër të ashtuquajtur "fibrinë". Sasia e plotë e gjakut te një njeri ndryshon nga faktorë e individë të ndryshëm, por ka formula specifike për ta llogaritur atë me afërsi të kënaqshme, megjithatë nuk është gabim të themi se një person i rritur, i shëndetshëm ka rreth 5-6 litra gjak.

Grupet e gjakut

Ka shumë gjasa të besojmë se njerëzit në të shkuarën të kenë menduar se vdekja nga hemorragjia mund të parandalohej duke dhënë gjak nga një person te tjetri.

Ishte pikërisht viti 1901 që Karl Landsteiner, një patolog amerikan, dëshmoi se suksesi i një transfuzioni të gjakut varet nga dy gjëra thelbësore: qelizat e gjakut të dhuruesit dhe plazma e recipientit (marrësit, përfituesit).

Duke bërë eksperimente të ndryshme, siç ishte dhe përzierja e qelizave dhe plazmës në kombinacionet e mundshme, ai arriti në përfundimin se kishte gjetur tashmë katër grupe gjaku. Këto grupe varen nga prezenca në qelizat e kuqe të një substance, për të cilën sot dimë që përmban proteinë e karbohidrate. Këto substanca quhen “antigjene".

Kemi dy substanca të grupeve të gjakut, të quajtura A dhe B, ose A e B të marra së bashku ose asnjërën prej tyre. Grupet e gjakut janë emëruar A, B, AB dhe O. Plazma përmban antitrupa të këtyre substancave, në një mënyrë të tillë që qelizat e individit nuk i shkatërrojnë dot. Kështu, qelizat e grupit A ekzistojnë në plazmën që përmban një antitrup anti-B; qelizat e grupit B jetojnë në prezencën e antitrupave anti-A; Qelizat e grupit AB nuk janë të shoqëruara nga asnjë lloj antitrupash; personat me gjak të grupit O (zero) kanë plazmë, në përbërjen e së cilës gjenden antitrupat edhe anti-A edhe anti-B. Pra nuk është absolutisht e domosdoshme t'u japim njerëzve të njëjtin grup gjaku. P.sh., një person me grup gjaku A mund të jetë dhurues për një person me grup gjaku AB, sepse në trupin e këtij të fundit nuk ka antitrupa. Po kështu, mund të themi se grupi i gjakut O (zero) mund t'i jepet çdo personi, pasi ky i fundit në qelizat e tij, nuk ka antigjene, e ky fakt ka bërë që të cilësohen gjatë fushatave për dhurimin e gjakut si "dhurues universalë" njerëzit me grup gjaku O dhe "recipientë universalë" njerëzit me grup gjaku AB.

Grupi rezus

Është një grup tjetër me një rëndësi të konsiderueshme. E ka marrë këtë emër, pasi për herë të parë u gjend te majmunët "Rhesus". Te njeriu sillet si te grupet e gjakut A, B, O - në aspektin se është një antigjen prezent në rruazat e kuqe, por ndryshe nga to, nuk ka antitrupa prezentë në plazmë.

Grupe të tjera gjaku

Janë shumë grupe të tjera gjaku që njihen, por është tepër e rrallë mundësia që ato të shkaktojnë probleme, në çfarëdo lloj mënyre. Kemi grupet M, N e S dhe P e shumë të tjera, disa e kanë marrë emrin nga pacientët e parë në të cilin janë zbuluar, një modë kjo mjekësore moderne.

Nëse gabojmë me grupin

Nëse gabojmë gjatë dhurimit të gjakut, duke i dhënë një njeriu gjak nga një grup tjetër, ky gjak "do të sulmohej" e do të shkatërrohej nga antitrupat, nëse jepen sasi të mëdha gjaku, atëherë mund të kemi dëmtime të pakthyeshme të veshkave e si pasojë mund të vijë edhe vdekja.

Me vet veprën e dhurimit të gjakut, dhuruesi i gjakut shpreh shkallën më të lartë të solidaritetit me të gjithë ata të cilëve gjaku i u nevojitet, pa marrë parasysh moshën, gjininë, racën, ngjyrën, kombin dhe përkatësinë fetare. Në Republikën e Maqedonisë dhurimi i gjakut ka rëndësi shoqërore dhe paraqet veprim me interes të përgjithshëm. Që të sigurohen sasitë e nevojshme të gjakut dhe komponentëve të gjakut, nevojitet që vazhdimisht të nxitet vetëdija nacionale.

Para dhurimit të gjakut duhen plotësuar disa kushte: duhet të jeni nga mosha 18 deri në 65 vjeç dhe të keni një peshë më të madhe se 50 kilogramë. Gjithashtu nevojitet një vlerësim paraprak i mjekut të qendrës së transfuzionit ku do të drejtoheni.

Sa herë në vit mund të dhurohet gjak?

Meshkujt mund të dhurojnë gjak deri katër herë në vit, me një pushim minimal prej 90 ditësh. I njëjti interval vlen dhe për gratë, por nuk duhet të dhurojnë gjak më shumë se dy herë në vit. Përjashtohen periudhat para e pas ciklit menstrual, si dhe gjatë shtatzënisë. Pas lindjes duhet pritur një vit, pastaj mund të dhurohet gjak.

Dhurimi i gjakut, a ka ndonjë efekt anësor?

Veç të tjerash, për të dhuruar gjak, duhet të keni ngrënë mirë dhe të keni konsumuar fruta të freskëta ose lëngje frutash të shtrydhura, çaj, kafe me pak sheqer. Gjithashtu ditën e dhurimit të gjakut nuk duhet të kryeni aktivitete sportive dhe ditën tjetër të kryeni një aktivitet fizik të moderuar.

Përse është e nevojshme të dhurojmë gjak?

Gjaku i mbledhur ndahet në tri përbërës: rruazat e kuqe (eritrocitet), pllakëzat e gjakut (trombocitet) dhe plazma, që mund të përdoren për tre persona të ndryshëm. Për shembull një pacient i prekur nga leukemia akute, gjatë terapisë së induksionit, në harkun kohor të gjashtë javëve mund të ketë nevojë për 80-120 transfuzione rruazash të kuqe dhe pllakëza gjaku; për të kryer një transplant të palcës së kurrizit, pacienti mund të ketë nevojë për 100 transfuzione të rruazave të kuqe dhe pllakëzave të gjakut; ata që vuajnë nga anemia e rëndë mesdhetare, për të mbajtur një nivel të mirë të hemoglobinës, nevojiten transfuzione rruazash të kuqe çdo 20-30 ditë.

Please publish modules in offcanvas position.