Bakteret vrasëse dhe antibiotikët

Bakteret vrasëse dhe antibiotikët

Antibiotikët kanë qenë një nga sukseset më të mëdha në historinë e mjekësisë. Gjithsesi, bakteret po përshtaten me shpejtësi ndaj këtij armiku dhe po gjejnë mënyra të reja për t’u shpëtuar ilaçeve.

Bakteret vrasëse fshihen nëpër spitale dhe kanë mësuar t’u shpëtojnë antibiotikëve. Ato po bëhen të paparashikueshme, duke u shndërruar në një emergjencë globale, aq sa infeksionistët nuk hezitojnë të flasin për pandemi. Askush nuk mund të përjashtohet nga alarmi i Klebsiela Pneumoniae, një mikroorganizëm i aftë të vrasë rreth 40% të personave që preken prej tij. Këtë e bën kryesisht në shtretërit e reanimacionit dhe kirurgjisë (pra në spitalet). Thuajse në 1/3 e rasteve, ilaçet nuk arrijnë ta ndalin, sepse po modifikon karakteristikat e veta, pra ka rezistencë ndaj ilaçeve. Pamundësia gjithmonë e më e madhe e ilaçeve për t’u bërë ballë baktereve, përfaqëson një nga problemet e shëndetit botëror. Dame Sally Davis, përgjegjës i sistemit shëndetësor në Angli, ka përdorur kohët e fundit një shembull shumë të qartë për të dhënë kuptimin e emergjencës: “Antibiotikët po humbin efikasitetin me një ritëm që njëkohësisht është alarmant dhe i pakthyeshëm, i ngjashëm me ngrohjen globale”.

Bakteret vrasëse dhe antibiotikët

Sipas vlerësimeve në Evropë, më shumë se 25 mijë veta humbin jetën çdo vit, sepse antibiotikët dhe derivatet e tyre nuk arrijnë të kurojnë më. Klebsiela është bakter që po shqetëson më shumë në këtë moment dhe rezistenca e tij ndaj ilaçeve është rritur nga 1,6% në 2009-n në 27% më 2011-tën, kurse për vitet në vijim mendohet se do të kalojë 30%. Por ka edhe mikroorganizma të tjerë, gjithmonë në hapësirat spitalore, që po bëhen një problem madhor: Escherichia Coli dhe Staphylococcus Aureus. OBSH-ja dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve kanë vënë në alarm të gjitha shtetet. “Përdoren shumë antibiotikë në mënyrë jokorrekte dhe bakteret zhvillojnë rezistencë, sepse nisin të mësojnë mirë armët që ne përdorim”.

Problemi është më dramatik në spitale dhe infeksionet janë shumë të përhapura, kështu që prekin kryesisht njerëzit e brishtë, por lidhet edhe me vendin. Bakteret rezistuese në qarkullim po rriten në të gjitha nivelet. Faji për këtë mund të jetë edhe i mjekëve, që japin ilaçe të gabuara, të terapive që nuk çohen deri në fund, dhe mbi të gjitha të kurës së antibiotikëve të marrë sipas dëshirës. Janë të shumtë ata që i marrin antibiotikët, madje edhe për probleme virale, kundër të cilave antibiotikët nuk bëjnë fare punë. Gjithmonë, për çdo problem, qoftë ky edhe më i vogël apo i parëndësishëm, duhet dëgjuar mendimi i mjekëve. Sot, ilaçet e tjera stimuluese dhe antibiotikët blihen lehtësisht dhe pa asnjë lloj problemi në faqet e ndryshme në rrjeteve sociale që ofrojnë ato me çmime fare të lira. Për mjekët, blerja online, pa asnjë recetë dhe pa garanci të sigurisë së ilaçeve, është e rrezikshme, sepse rrit më tej rezistencën. Në Angli, ku farmacitë mund të shesin në rrjete disa lloj produktesh të veçanta, kohët e fundit ka shkaktuar shumë bujë fakti se në të ardhmen duhet të krijohet mundësia për t’i dërguar direkt në shtëpi antibiotikët. “Duke qenë se bëhet fjalë për një problem global, është e nevojshme që në të gjitha vendet duhet të ketë receta për ilaçe të tilla, siç janë antibiotikët. Kjo sepse, nëse njëri ose dy prej tyre i japin me recetë, shtohet mundësia që ata të rrisin rezistencën. Kjo është shumëfish më e dëmshme”, thonë ekspertët.

Antibiotikët konsiderohen si shpikja më e madhe mjekësore në historinë e njerëzimit, me rezultate të padiskutueshme, me shpëtimin e jetëve të njerëzve dhe me kontribut të madh në rritjen e jetëgjatësisë së njerëzimit në katër anët e botës. Por, mjekët kanë zbuluar së fundmi se edhe sëmundjet duket se po mësohen me këtë armë lufte. Shumë infeksione kanë fituar imunitet nga ilaçet e familjes së antibiotikëve. Ekspertët thonë se ky është një problem mbarë botëror që ka nevojë për shumë më tepër vëmendje. Antibiotikët kanë qenë një nga sukseset më të mëdha në historinë e mjekësisë. Gjithsesi, bakteret po përshtaten me shpejtësi ndaj këtij armiku dhe po gjejnë mënyra të reja për t’u shpëtuar ilaçeve.

Profesoresha Davies ka thënë: “Është e qartë se ne ndoshta nuk do ta shohim kurrë ngrohjen globale, por skenari apokaliptik është se kur unë të kem nevojë për një trajtim mjekësor sado të lehtë, ka shumë gjasa se pas 20 vjetësh do të vdes nga një infeksion i rëndomtë, sepse ne do të kemi mbaruar antibiotikët që në të kaluarën kanë pasur efikasitet të lartë”. Ajo thotë se sot ka mbetur vetëm një antibiotik i vetëm i vlefshëm për të luftuar Gonorrean. “Është një situatë shumë serioze, sepse ne nuk po i përdorim me efikasitetin e duhur antibiotikët në vendet tona. Ka një model tregu shkatërrimtar për prodhimin e antibiotikëve të rinj, pra është një burim i thatë. Infeksionet janë bërë rezistues, bakteret që ne në mënyrë natyrore i shtrojmë, po bëhen më të rrezikshme pikërisht për shkak të mënyrës se si po përdoren antibiotikët dhe nuk do të mund të kemi antibiotikë të rinj më efektiv” – thotë Davies. OBSH fletë për një të ardhme në të cilën “shumë infeksione të zakonshme nuk do të kenë më mjekim, ndaj dhe do të vrasin në mënyrë të pamëshirshme”.

Profesori Hugh Pennington, një mikrobiolog në Universitetin e Aberdinit thotë se rezistenca ndaj ilaçeve po bëhet “një problem shumë serioz”. “Ne duhet t’i kushtojmë shumë më tepër vëmendje këtij problemi. Ne kemi nevojë për burime për mbikëqyrjen, burime për të trajtuar problemin dhe për të hapur informacionin për publikun e gjerë”. Por, ai shton se ky nuk është një problem që i përket vetëm mbretërisë së bashkuar. “Njerëzit po shkojnë jashtë vendit për ndërhyrje kirurgjikale, për turizëm seksual dhe po sjellin në shtëpi Gonorrean, që është një problem i madh në kuptimin e rezistencës ndaj antibiotikëve, njëkohësisht nëpër shumë vende të botës gjendet ende me bollëk tuberkulozi”. Profesor Pennington thotë se kompanitë e prodhimit të ilaçeve kanë shteruar mundësitë për ilaçet për përdorim masiv dhe të gjitha zgjidhjet e lehta janë ekzagjeruar. “Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk pritet asnjë lloj ilaçi i mrekullueshëm që mund të shpiket së shpejti, sepse të gjitha shpikjet e lehta janë kryer”. Antibiotikët filluan të përdoren pasivisht gjatë gjysmës së parë të shekullit XX dhe u përhapën në të gjithë botën gjatë gjysmës së dytë. Disa shkencëtarë mendojnë se antibiotikët qenë faktori për uljen e vdekshmërisë së foshnjave, por edhe atu në të gjithë botën dhe elementi që solli rritjen e jetëgjatësisë dhe rritjen e popullatës së botës me ritëm shumë të lartë. Në disa vende, problemi më i madh është përdorimi me tepri i antibiotikëve nga popullata të alarmuara nga infeksionet më të parëndësishme, gjë që ka sjellë edhe rënie më të shpejtë të efikasitetit të antibiotikëve se sa në vendet ku janë përdorur më pak.

Prej vitesh, në të gjitha vendet e botës organizohen fushata të vazhdueshme sensibilizimi për të reduktuar në maksimum konsumin jo të nevojshëm të antibiotikëve. “Përdorimi pa kriter i këtyre medikamenteve përbën një rrezik të madh për shëndetin e qytetarëve, sepse në të ardhmen e afërt ka shumë mundësi që ta kemi gjithmonë e më të vështirë për të kuruar infeksionet e ndryshme. Kjo do të thotë që edhe sëmundjet që sot konsiderohen fare të vogla dhe të lehta, mund të shndërrohen në kërcënuese”, apelojnë mjekët.

Please publish modules in offcanvas position.