Kanceri i Gjirit

Kanceri i Gjirit

BRCRA1 është gjeni që tregon predispozitën e lartë të dikujt për kancer gjiri dhe ky gjen është lehtësisht i identifikueshëm.

Ky gjen është shumë i rrallë tek ata njerëz që nuk e kanë gjenetikisht prirjen për kancerin e gjirit.

Kanceri i gjirit është një ndër sëmundjet më të përhapura në botë, por ajo që është shqetësuese është shtimi i numrit të grave të prekura nga kjo sëmundje. Përqindjen më të lartë e kanë në Evropën veriore dhe perëndimore, si dhe ato të veriut të kontinentit amerikan, ndërsa më pak të prekura janë femrat që banojnë në vendet afrikane dhe aziatike. Historikisht, metoda për luftimin e kancerit të gjirit, siç ndodh edhe me shumë lloje të tjera të kancerit është diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi me medikamentet e duhura. Por, gjithnjë e më shumë po vihet re mundësia që të zbulohet më herët dhe të shmanget rreziku individual si dhe veprimet që duhet të ndërmerren për parandalimin e saj.

Gjenetika

Një faktor shumë i rëndësishëm është edhe predispozita gjenetike e individëve ndaj një sëmundjeje të tillë, çka përbën një faktor të cilin nuk mund ta kontrollosh dot. Nuk ke çfarë të bësh kur ke një trashëgimi të caktuar gjenetike, pasi nuk mund të ndryshohet ajo që të është përcjellë. BRCRA1 është gjeni që tregon predispozitën e lartë të dikujt për kancer në gji dhe ky gjen është lehtësisht i identifikueshëm. Ky gjen është shumë i rrallë tek ata njerëz që nuk e kanë gjenetikisht prirjen për kancerin e gjirit. E vetmja gjë që mund të bëjmë në një rast të tillë është identifikimi i hershëm i gjenit dhe marrja e masave për të shmangur çdo gjë që mund të ndihmonte në aktivizimin e tij. Është plotësisht e mundur mbajtja e një mënyre jetese që shmang në maksimum lindjen dhe përhapjen e kancerit. Ndërsa për ato gra që nuk e kanë një gjen të tillë, do të ishte e mjaftueshme një mamografi sidomos ata që janë mbi 40 vjeçe. Nëse jeni të prirë gjenetikisht, atëherë kontrolli duhet të jetë më i shpeshtë dhe duhen marrë disa lloj mjekimesh të shoqëruara me mënyrat e përshtatshme të jetesës.

Mjekimet parandaluese

Pas identifikimit të gjenit kanceroz, mund të nisni të merrni disa mjekimeve për ta parandaluar "zgjimin" e tij. Një nga karakteristikat e kancerit është se fillimisht të krijon përshtypjen e një sëmundjeje inflamatore. Në këtë rast, një masë parandaluese do të ishte marrja e mjekimeve anti-inflamatore. Ndër to mund të përmendim një dozë të ulët të aspirinës. Ka disa mjekë që nuk e rekomandojnë një gjë të tillë, megjithatë kjo kura parandaluese është shumë e përhapur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo kurë parandalon edhe sëmundjet e zemrës. Për momentin mjekimi më i përdorur parandalues për kancerin e gjirit është Tamoxifeni, një anti-inflamator shumë i fuqishëm. Aktualisht shumë institute kërkimore mjekësore po merren me krijimin e ilaçeve parandaluese për kancerin e gjirit, të cilat ende nuk kanë dalë në treg, por pritet brenda një kohe të shkurtër të dalin në treg. Kanceri i gjirit është një sëmundje që më shumë ka të bëjë me gjendjen hormonale të gruas gjatë stadeve të jetës së saj, ndaj përdorimi i hormoneve të caktuara është një nga masat që mund të rekomandohen në të ardhmen për parandalimin e kancerit. Vështirësia e përdorimit të medikamenteve parandaluese nuk qëndron tek ato, por te vështirësia e identifikimit të gjenit kancerogjen BRCRAl.

Lindja e fëmijëve

Një nga teoritë që shpjegon rritjen e numrit të të sëmurëve me kancer në gji në të gjithë botën, veçanërisht në vendet e zhvilluara dhe gjysmë të zhvilluara është sjellja në jetë e fëmijëve në një moshë të vonshme. Duket se të kesh një fëmijë në moshë të hershme është një "masë" parandaluese. Madje, sa më herët, aq më mirë. Megjithatë bëhet fjalë vetëm për statistika. Nëse një grua e ushqen me gji fëmijën e saj, mendohet se trupi prodhon hormone mbrojtëse për kancerin e gjirit. Zakonisht gratë i ushqejnë fëmijët gjatë moshës 29, apo 30 vjeç dhe kjo bën që ato të jenë shumë më të mbrojtura në pjesën tjetër të jetës. Ushqimi i fëmijës me qumësht gjiri është masë mbrojtëse për moshën kur kanceri i gjirit ka më shumë gjasa që të shfaqet, pra për moshën 50-60 vjeçare. Nëse të gjitha gratë do të ushqenin fëmijët e tyre për një kohë të gjatë me gji, atëherë, sipas statistikave në 20 gra të diagnostikuar me kancer gjiri do të shpëtonte njëra, ose e thënë ndryshe do të kishte një përmirësim prej 5 për qind.

Pilulat për kontrollin e lindjeve

Femrat janë mësuar të përdorin pilula që parandalojnë shtatzëninë e padëshiruar, por është zbuluar se duke vepruar kështu ato ekspozohen ndaj një rreziku edhe më të madh: kancerit të gjirit. Shoqëria Amerikane kundër Kancerit vëren se femrat që marrin pilula janë më të prekura nga kanceri sesa ato që nuk i marrin. Nëse ndalohet marrja e pilulave, duket se edhe niveli i rrezikut kthehet në normalitet. Femrat që nuk kanë marrë kontraceptivë oralë për më shumë se 10 vjet, nuk janë më të rrezikuara ndaj kancerit të gjirit. Hormonet janë fajtorët e mundshëm, shprehen studiuesit. Faktorë të tjerë mund të jenë edhe hormonet femërore, si për shembull menstruacionet e hershme, menopauza e vonshme dhe terapia me estrogjen, që mendohet se ndikon në shtimin e rrezikut të kancerit të gjirit.

Dieta dhe ushtrimet

Ekziston një lidhje edhe midis obezitetit dhe kancerit të gjirit, ndaj këshilla më e mirë në këtë rast është që të mos shtoni shumë mbi peshë dhe të ushqeheni në mënyrë të shëndetshme, pra me fruta, perime dhe pak ëmbëlsira. Nuk ka asgjë të keqe nëse gjatë ditës i kushton shumë rëndësi ngrënies së frutave në sasi të bollshme. Nuk e dimë se sa mund të na shpëtojnë frutat nga kanceri i gjirit, por është e sigurt se lloji i dietës dhe ushqimeve që hamë ka shumë të bëjë me sëmundjet që na shfaqen në jetë, pra në këtë rast edhe me kancerin e gjirit dhe kancer të llojeve të tjerë. Duke u nisur nga kjo gjë, mund të themi se ka disa fruta dhe perime që kanë tipare më të theksuara antikanceroze. Kështu, për shembull lëkura e domates ka lycopin me shumicë që mund të lidhet fare mirë me kurat për parandalimin e kancerit. Por kjo nuk do të thotë që të hiqni dorë nga marrja e anti-toksina kudo që do t'i gjeni. Nëse ju pëlqejnë qershitë, atëherë hani, mjafton që të jenë fruta e perime të freskëta. Përfundimet e një studimi mbar evropian të quajtur "Perspektiva evropiane për kancerin dhe mënyrën e të ushqyerit", që pritet të dalin së shpejti, do të jenë një udhërrëfyes për sa i përket lidhjes mes sëmundjes dhe dietave të ndryshme. Evropa është një laborator i vërtetë me një tërësi shumë të madhe dietash për t'u studiuar. Për të kryer studimin janë marrë një gjysmë milioni teste nga vende të ndryshme, që nga veriu deri në jug, e që nga perëndimi në lindje. Rezultatet do të verifikojnë disa hipoteza sipas të cilave në disa vende të caktuara preferohen dieta të caktuara ushqimore.

Toksinat

Efekti i toksinave të jashtme në zhvillimin e kancerit nuk është i vogël. Para disa vitesh u shkrua në shtyp se deodorantet ishin shkaqe të mundshme të kancerit, edhe pse nuk pati për këtë prova të drejtpërdrejta. E vështirë është edhe të provosh një lidhje mes celularit dhe kancerit të trurit. I mbetet studimeve në të ardhmen që të nxjerrin prova për të mbështetur ato që deri tani mund të konsiderohen vetëm si dyshime.

Alkooli

Lidhja mes alkoolit dhe kancerit të gjirit duket si e parëndësishme, por është e pranishme. Alkooli ndryshon mekanizmin hormonal, por ende nuk dihet se cila është sasia e alkoolit që e shkakton një ndryshim të tillë. Nëse një sasi e caktuar alkooli do të prekte balancën hormonale të femrës për të sjellë zhvillimin e kancerit të gjirit, kjo sigurisht do të ishte shumë problematike, por deri tani nuk ka ndonjë studim në lidhje me këtë. Megjithatë, është e qartë se alkooli në vetvete nuk ka një ndikim të drejtpërdrejtë në kancerin e gjirit.

Stresi

Ekziston një lidhje e mundshme mes kancerit të gjirit dhe stresit. Ka disa fakte, edhe pse jo të forta, që mbështesin idenë e ndikimit të stresit te sëmundja. Kështu ngjarjet shumë stresuese në jetë të tilla si humbja e njerëzve të dashur, ndarja apo ngjarje të tjera, janë shumë stresuese. Vështirësia në këto raste qëndron në faktin se diagnozat e stresit vijnë pas diagnostikimit të kancerit të gjirit. Njerëzit mendojnë se ata kanë pasur kancerin e më pas stresin, duke harruar që shpesh është e kundërta.

Please publish modules in offcanvas position.