Si të shërohemi me vaj ulliri

Si të shërohemi me vaj ulliri

“Një ose dy lugë vaj ulliri në ditë, ju mbrojnë nga shumë sëmundje, por sidomos nga ato të zemrës”. Efektet e tij pozitive mbi organizmin lidhen ngushtë me përmbajtjen e lartë të acideve yndyrore dhe substancave antioksiduese.

Vaji i ullirit, përbërësi kryesor i dietës mesdhetare, është bërë shpesh pjesë e studimeve të ndryshme për cilësitë pozitive mbi organizmin. Sot kemi një motiv më shumë për të mos e ndarë nga tavolina: një përbërës i tij i quajtur oleocanthale na mbron nga demenca dhe alzhaimeri. Me këtë studim arrihet në përfundimin se vaji i pastër i ullirit ndihmon në parandalimin e pothuajse pjesës më të madhe të sëmundjeve të organizmit. Një grup shkencëtarësh amerikanë të “Monell Center” në Universitetin e Çikagos kanë zbuluar se Oleocanthale ndryshon strukturën e proteinave neurotoksike, që mendohet se ndikojnë në efektet „shkatërruese të alzhaimerit. Ky ndryshim thelbësor strukturor pengon proteinat ADDL në procesin për të dëmtuar qelizat nervore të trurit.

Oleocanthale, në këtë rast ndryshon strukturën e ADDL, në mënyrë që këto të mos lidhen me sinapset (elementë që mundësojnë komunikimin mes qelizave të indit nervor). Duke e ditur këtë, shkencëtarët kanë dashur të ekzaminojnë se si ndodh ky proces dhe cilat janë efektet e tij në tru, më konkretisht në disa zona të caktuara, sidomos ajo e kuptimit dhe memories, që ishte një prej zonave të para të goditura nga alzhaimer. Përmes qelizave, shkencëtarët verifikuan sjelljet e proteinave ADDL, me dhe pa shtimin e oleocanthales, duke zbuluar se mjaftonin pak molekula të këtyre substancave që gjendeshin te vaji i ullirit për të reduktuar lidhjen mes ADDL dhe sinapseve. “Rezultatet mund të na ndihmojnë të identifikojmë dhe të marrim masa mbrojtëse, që mund të çojnë në përmirësimin e terapive, në luftën kundër sëmundjes së alzhaimerit”, ka deklaruar doktor Paul Breslin, bashkautori i studimit.-Testet e mëvonshme treguan se oleocanthale ndihmon sinapset nga dëmtimet strukturore të shkaktuara nga ADDL.

Studimet e ndryshme kanë treguar se vaji i ullirit luan rol të rëndësishëm në mbrojtjen ndaj shumë sëmundjeve. Ndër shekuj është protagonist i padiskutueshëm i dietave mesdhetare, duke ndikuar në uljen e vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare e duke çuar në parandalimin e disa lloje tumoresh, sidomos atij të gjirit. Kështu, studiuesit në Spanjë dhe në SHBA kanë gjetur se një prej përbërësve të vajit të ullirit ul pothuajse me 30 për qind nivelin e substancave që shkaktojnë kancerin e gjirit. Acidi Oleik që gjendet tek ai, ndalon veprimin e onkogjenit Her- 2/neu, që është origjinë e kancerit, duke ulur në mënyrë drastike rastet e tumorit në gji. Kjo është edhe arsyeja që gratë mesdhetare preken më pak nga ky lloj kanceri, në krahasim me ato të vendeve të tjera edhe atë në sajë të përdorimit të vajit të ullirit. Vitamina E që përmban ajo, ndihmon në parandalimin e dëmtimeve qelizore, që do të çonin në shfaqjen e kancerit dhe në këtë aspekt janë duke u bërë studime të shumta. Meqenëse është i pasur edhe me yndyra të pangopura, ai eliminon ndjeshëm rrezikun për t'u prekur nga sëmundjet e zemrës, pasi ul sasinë e kolesterolit të keq (LDL) që grumbullohet nëpër arterie. Studimet kanë treguar se njerëzit që konsumojnë dy lugë gjellë vaj ulliri në ditë, për një javë kishin një ulje të nivelit të kolesterolit të keq dhe nivele të larta të përbërësve antioksidues, në veçanti fenolëve në gjak.
Përdorimi i ushqimit të fërguar mund të jetë i keq për zemrën, por jo nëse përdorni vaj ulliri ose luledielli për ta përgatitur atë. Ekspertët kanë zbuluar se rreziku i madh për sëmundjet e zemrës ose vdekjen e parakohshme nuk është i lidhur me ushqimin që gatuhet në këtë mënyrë. Dhe ekspertët e dinë se përdorimi i madh i yndyrës mund të ngrejë shtypjen e gjakut dhe të shkaktojë kolesterinë të lartë, që janë faktor të rrezikshëm për sëmundjet e zemrës. Për këtë studim, hulumtuesit e Universitetit “Autonomous” të Madridit, kanë anketuar 40.757 të rritur për dietën e tyre. Të anketuarit janë pyetur për llojet e ushqimit që përdorin dhe për mënyrën se si i gatuajnë. Asnjëri nga ta nuk ka pasur ndonjë shenjë të sëmundjeve të zemrës në fillim të studimit 11-vjeçar, por në përfundim të tij ka pasur 606 raste të sëmundjeve të zemrës dhe kanë ndodhur 1.134 vdekje. Kur hulumtuesit kanë shikuar në detaje këto vdekje, ata nuk kanë mundur të gjenin lidhje mes ushqimit të fërguar në dietë. Kjo besohet se ka ndodhur për shkak se është përdorur vaji i ullirit për të gatuar.

Në një editorial, profesori Michael Leitzmann nga Universiteti i Resensburgut në Gjermani ka thënë: “Nëse i shikojmë së bashku, miti që ushqimi i fërguar përgjithësisht është i keq për zemrën nuk mbështetet nga faktet aktuale. Sidoqoftë kjo nuk do të thotë që përdorimi i peshkut dhe i çipsave nuk do të ketë pasoja shëndetësore”. “Studimi sugjeron që aspektet specifike të ushqimit të fërguar janë relevante, sikurse edhe përdorimi i vajit të ullirit bashkë me aspektet e tjera të dietës”. Dieta mesdhetare ka kohë që është konsideruar si e shëndetshme, duke qenë se përmban fruta të freskëta dhe peshk të freskët. Studimet kanë treguar që një dietë e balancuar si kjo mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve si: kanceri dhe sëmundjet e zemrës. Victoria Taylor, një studiuese e dietave dhe e shëndetit të zemrës në “British Heart Foundation” ka thënë: “Para se të arrijmë në përfundim, është e rëndësishme të kujtojmë se ky ka qenë një studim i realizuar për dietat mesdhetare, dhe jo për peshkun e çipsin britanik. Dieta jonë në Mbretërinë e Bashkuar ndryshon nga ajo në Spanjë, kështu që nuk mund të themi që rezultatet do të jenë të njëjta edhe për ne”. “Pjesëmarrësit në studim kanë përdorur vajin e ullirit dhe atë të lulediellit për të fërguar ushqimin e tyre. Aktualisht rekomandojmë që gjalpi dhe vaji i zakonshëm janë një mënyrë që të mbani kolesterinën të ulët dhe ky studim na jep më shumë shtytje për këtë. Pa marrë parasysh metodën e gatimit të ushqimit, konsumimi i ushqimit me shumë yndyrë do të thotë edhe më shumë konsumim të kalorisë. Kjo mund të shpjerë te shtimi i peshës që është një faktor i rrezikut për sëmundjet e zemrës. Një dietë e balancuar mirë me shumë fruta dhe perime dhe vetëm një dozë të vogël të ushqimeve me yndyrë, është më e mira për zemër të shëndetshme”.

Vaji i papërfunduar që nxirret direkt nga ulliri, përmban një numër më të madh antioksiduesish, veçanërisht Vitaminë E dhe fenole. Ai konsiderohet si një ushqim i tretshëm dhe i pranueshëm nga stomaku, që luan rol të rëndësishëm mbrojtës edhe te personat që vuajnë nga ulcera dhe gastriti. Vaji i ullirit aktivizon hormonet e pankreasit në mënyrë shumë herë më natyrale se sa ilaçet. Po ashtu, dietologët dhe mjekët këshillojnë që, nëse dëshironi të keni një jetë të gjatë dhe të shëndetshme, ky produkt fisnik i dalë nga ulliri duhet të jetë i pandashëm nga tavolinat tuaja. Që në lashtësi, popujt rreth brigjeve të Mesdheut, e kanë përdorur vajin e ullirit si balsam për zbutjen dhe rritjen e lagështisë së lëkurës së thatë, për shkëlqimin e flokëve, për masazh të muskujve, mbylljen e plagëve, parandalimin e rrudhave dhe për kurimin e pagjumësisë. Për më tepër, ky “ilaç” është i njohur për ndihmën që i jep zhvillimit të trurit dhe kockave si te fëmijët ashtu edhe te të rriturit, duke ruajtur metabolizmin e tyre gjatë humbjes së kalciumit. Shumica nuk e dinë se vaji i ullirit nga përmbajtja yndyrore është i ngjashëm me qumështin e nënës. Për këtë arsye ai luan një rol të madh në zhvillimin e sistemit nervor të mesëm te fëmijët. Nga kohërat e lashta, vaji i ullirit është i njohur si ndihmues i bukurisë.

Ai ndihmon te lëkura e thatë dhe i jep asaj shkëlqim. Thonjve dhe flokëve u jep fortësi dhe i ruan ato nga thinja e parakohshme. Këtë më së miri e vërteton edhe industria kozmetike e cila në përbërjen e shumë preparateve kozmetike ka edhe vajin e ullirit, siç janë: sapunët, shampo, kremrat, losionet. Po ashtu, shumë maska bukurie e kanë të pazëvendësueshëm vajin e ullirit që është një nga përbërësit kryesorë të tyre. Me pak fjalë, ushqim i mrekullueshëm nga çdo lloj këndvështrimi. Jo më kot është renditur mes ushqimit dhe medikamentit si ilaçi që natyra na e ka falur pa na kërkuar asgjë në këmbim. Në shumë vende të botës është e detyrueshme që në etiketat e produkteve të shënohen efektet që kanë mbi shëndetin e njerëzve, por vaji i ullirit bën përjashtim. Industritë e ushqimit, në bashkëpunim edhe me organet shtetërore për përkujdesjen e konsumatorit, kanë menduar që në etiketën e tij është më mirë të shkruhet: “Një ose dy lugë vaj ulliri në ditë, ju mbrojnë nga shumë sëmundje, por sidomos nga ato të zemrës. Mos e ndani nga tavolinat tuaja”. Efektet e tij pozitive mbi organizmin lidhen ngushtë me përmbajtjen e lartë të acideve yndyrore dhe substancave antioksiduese.

Please publish modules in offcanvas position.