Alkooli, Amoraliteti Dhe Abortet Në Adoleshencë

Alkooli, Amoraliteti Dhe Abortet Në Adoleshencë

Sipas fesë Islame, aborti zbeh marrëdhëniet bashkëshortore dhe e humb seriozitetin e jetës, pasi martesa është rrugë e krijimit të familjes e jo të zhdukjes së anëtarit të ri.

Aborti është i lejuar vetëm nëse femrës i rrezikohet jeta nga shtatzënia, në të kundërtën islami rreptësisht e ndalon kryerjen e abortit.

Amoraliteti është një akt i shëmtuar, i turpshëm dhe me pasoja të dëmshme për individin dhe familjen, të cilat paraqesin një rrezikshmëri vdekjeprurëse të ngjashme me alkoolin dhe drogën. Alkooli në realitet shpesh herë është në lidhje të ngushtë me amoralitetin, sepse ndodh që alkooli t’i shpie dhe t’i fus shumë meshkuj dhe femra në amoralitet ose në sjellje të pahijshme, të cilën ata s’do ta kishin bërë sikur të mos kishin qenë nën ndikimin e saj, e madje një amoralitet i tillë shpesh herë sjell frytet e saj të hidhura.

Në qoftë se të rinjtë para martese jepen pas amoralitetit, ose “dashurisë të lirë” siç i referohet sot në mënyrën moderne, atëherë këta të rinj që herët zhvishen nga ajo dashuri e drejtë dhe e sinqertë martesore, atëherë, kur një ditë do të vendosin që të kenë marrëdhënie martesore, këta nuk do t’i kurorëzojë më fati i lumturisë dhe i fatbardhësisë bashkëshortore. Dashuria para martese dhe shfrenimet e ndryshme, zakonisht përpara, shumë herët shuajnë interesimin dhe ëndërrimet e këndshme të martesës, atë dashuri dhe miqësi që përndryshe sjell më vete. Për bashkëshortet e tillë martesa zakonisht është prozaike, bile edhe monotone. Shumë prej tyre janë të prirë që edhe gjatë martesës së zakonshme të vazhdojnë me shprehitë e tyre të hershme, me gjitha pasojat e tyre të tmerrshme. Tradhtia mund të lind edhe nga zhgënjimi (nuk realizohen ato që priteshin nga martesa apo ato që ishin premtuar). Gjithashtu mund të lind edhe nga refuzimi i vazhdueshëm apo injorimi i dëshirave të partnerit, nga qejf-mbetjet që nuk diskutohen e zgjidhen, por akumulohen, etj. Thellë-thellë mund të thuhet se thelbi i problemit nuk është tradhtia në vetvete, por mungesa e komunikimit mes partnerëve që ia përgatit terrenin tradhtisë.

Në lidhje me pasojat fizike që shkaktohen nga amoraliteti, Dr.Xhon Betson thotë: “sëmundjet më të mëdha trupore janë rezultat i lidhjeve jashtë-bashkëshortore.” Disa shtete filluan të japin kurajë e të thërrasin në lirinë njerëzore. Ata lirinë njerëzore e panë në bashkimin e gjinive, në amoralitet. Përkundrazi ata hynë në një labirint nga i cili është vështirë të dilet. Si rezultat i daljes
nga ky labirint dhe i kësaj lirie siç e quanin ata, ishte sëmundja e rëndë “SIDA”- sëmundje vdekjeprurëse kundër së cilës deri tani nuk u gjet ilaçi. Ata që thirrën në këtë liri dhe e quanin liri të plotë, tashmë ngritën zërin e tyre të largohen nga kjo liri. Epidemiologët për mënyrën e bartjes së infeksionit (të Sidës) shënojnë kontaktet seksuale (homoseksuale, biseksuale, heteroseksuale), gjakun dhe preparatet e tij të pa testuar, marrjen intravenoze të drogës me shiringa të përbashkëta, nga nënat e infektuara, qumështin e nënës së infektuar dhe mjete të përbashkëta të higjienës personale.

Femrat që merren me amoralitet shpesh herë hasin në vështirësi për t’u mjekuar. Pamundësia për kontrolle të rregullta mjekësore, shton rrezikun për infektimin nga ndonjë sëmundje ngjitëse e cila më vonë bartet te partneri. Ato janë pa kur far mbrojtje e përkujdesje mjekësore, ashtu si edhe partnerët e tyre edhe mundësia për t’u infektuar nga ndonjë sëmundje ngjitëse është e madhe. Shpesh herë ato të cilët merren me amoralitet, janë të predispozuar të infektohen nga sëmundjet venerike, si dhe hepatitin C, e cila nuk mund të hetohet, por shpesh herë zbulohet vonë ose pas vdekjes. Kjo sëmundje konsiderohet si sëmundje e rëndë ngjitëse dhe vdekjeprurëse. Sipas mjekëve, hepatiti C është një sëmundje vrasëse, që bartet përmes gjakut dhe kontaktit të pambrojtur intim. Infektologët sqarojnë se në të shumtën e rasteve pacientët nuk dinë se janë bartës të hepatitit C, sepse simptomat paraqiten shumë më vonë pas infektimit. Nëse do të flisnim për moshën më të përshtatshme për humbjen e virgjërisë te femrat, diskutimi nuk do të kishte fund dhe do të merrnim epitetin e “personave shkelës të të drejtave të njeriut”. Megjithatë është interesant fakti që mjekët gjithmonë kanë menduar se problemi më i madh në humbjen e virgjërisë është transmetimi i sëmundjeve seksualisht të transmetuara si dhe një shtatzëni e padëshirueshme e cila mund të pasoj me një abort. Adoleshentët s’janë as fizikisht e as mendërisht të pjekur për fëmijë. Femra është e aftë (e pjekur), që të hyjë në martesë dhe të lind që nga mosha 20 vjeçare, para kësaj moshe organet e femrës nuk janë të gatshme që t’u përballojnë këtyre sfidave. Aborti është shkatërrim i qëllimtë i fetusit në mitër, apo çfarëdo lindjeje e parakohshme me qëllim që të shkaktohet vdekje e fetusit. Hipokrati në betimin e tij të famshëm ka shënuar: “Nuk do t’i jap leje gruas që të shkaktoj abortin”. Si është e mundur që aborti, i cili është në kundërshtim me urdhrat bazikë të praktikës mjekësore, siç janë “mos dëmto” apo “respektoje jetën njerëzore”, që dita ditës të jetë në rritje e sipër. Sipas fesë Islame, aborti zbeh marrëdhëniet bashkëshortore dhe e humb seriozitetin e jetës, pasi martesa është rrugë e krijimit të familjes e jo të zhdukjes së anëtarit të ri. Aborti është i lejuar vetëm nëse femrës i rrezikohet jeta nga shtatzënia, në të kundërtën islami rreptësisht e ndalon kryerjen e abortit. Shumica e femrave që bëjnë ndërprerjen artificiale të shtatzënisë, më vonë nuk mund të ngelin shtatzënë apo fitojnë sterilitet, gjithashtu aborti sjell edhe një çrregullim shumë të madh hormonal, e cila reflektohet edhe në sferën e dëshirave. Por, faktori kryesor që ndikon në humbjen e dëshirës është ai psikologjik. Femrat ndjehen të tradhtuara nga trupi i tyre, madje nuk dëshirojnë që të ndjejnë asnjë lloj kënaqësie (në kontekst të dashurisë).

Të pirët e duhanit, ashtu sikundër edhe përdorimi i alkoolit, ndikojnë në shëndetin e femrave, që janë shkaktar të aborteve. Femrat që pinë duhan gjatë shtatzënisë rrezikohen për lindje të parakohshme ose lindje nën peshë edhe për fëmijë të lindur në kohë. Pasojat e duhanit mund të ndodhin në secilin nga tremujorët e shtatzënisë; ato variojnë nga aborte spontane në tremujorin e parë- në lindje të parakohshme dhe peshë të ulët në tremujorin e tretë. Sa më shumë që femra pi duhan gjatë shtatzënisë, aq më e ulët është pesha e fëmijës në lindje. Femrat të cilat vazhdojnë të pinë duhanin në kohën kur ato duhet të mbesin shtatzëne kanë shumë gjasa që të presin më tepër deri sa t’ia arrijnë qëllimit. Mesatarisht femrave të cilat pinë duhan u duhen dy muaj më tepër që të mbesin shtatzëna se sa shoqet e tyre që nuk e pinë duhan.

Mos edukimi seksual dhe varfëria janë faktorë kryesor për kryerjen e aborteve. Abortet në mënyrë të rregullt lejohen të kryhen deri në dy muajt e parë, kurse pas javës së dhjetë e deri në javën e trembëdhjetë për abortin duhet të jepet leje nga komisioni përkatës i përbërë prej tre mjekëve dhe një punëtor social. Sipas islamit, aborti në asnjë fazë të shtatzënisë nuk u lejohet femrave që nuk kanë kurorë. “Femra mund të kryej abort me pëlqimin e bashkëshortit, vetëm nëse asaj i rrezikohet jeta edhe atë deri në muajin e katërt të shtatzënisë”. Në Islam arsyet socio-ekonomike nuk mund të llogariten si arsye për abort.

Rrëfim i një femre që është marrë me amoralitet: “...fillon duke shkuar nëpër festa...ku pihet uiski dhe merr marihuanë, kështu përfundon e droguar. Më ka ndodhur të zgjohem pranë një personi e të mos e besoj dot se isha në gjendje të shkoja me të. Koha kalonte, kam jetuar nëpër qoshe. Atje i takova baballarët e fëmijëve të mi. Fëmijët e mijë kanë lindur nëpër ato qoshe... Kur merr alkool dhe marihuanë, harron se ke fëmijë, se ke ndjenja dhe se dashuron, s’ke asgjë. Më interesonte vetëm alkooli e pas alkoolit edhe marihuana, e cila më dërgonte në amoralitet vetëm e vetëm që të bie në para për t’i konsumuar Ato....”

Si përfundim, për mua si mjek ju këshilloj: sa më larg alkoolit, marihuanës dhe duhanit, të cilat shpijnë deri në amoralitet e aborte, që janë shkatërrimtar të familjeve. Nëse nuk pini, mos filloni! Nëse pini, ndaluni sa më shpejtë! Alternativa tjetër është: sëmundje, fatkeqësi, kriminalitet dhe në fund vdekje! Na pret punë e madhe në ndryshimin e botëkuptimit për dëmet nga alkooli, marihuana, duhani, posaçërisht në mesin e të rinjve. Kjo është betejë e rëndë, por në luftën kundër këtyre të këqijave peng nuk janë vetëm konsumuesit e tij, por edhe familjet e tyre, njerëzit që i rrethojnë dhe në fund edhe bashkësia më e gjerë. Duhet të luftojmë që alkolit (të droguarit) t’i hiqet maska e “njeriut gazmor”, i cili askujt nuk i bën dëm nëse është “pak qejfli”. “Qejfliu” shumë shpejtë shndërrohet në tiran të atyre që e rrethojnë. Alkooli dhe marihuana janë të dëmshëm! Çdo kush që ju thotë ndryshe, gënjen...!!!

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.