Hojt Ji u takua me Ahmetin dhe Thaçin

Hojt Ji u takua me Ahmetin dhe Thaçin

Zëvendësndihmës sekretari shtetëror i Departamentit të shtetit Brajan Hot Ji, i cili, sot qëndron për vizitë në Republikën e Maqedonisë, paradite në Ambasadën Amerikane pati takime të veçanta me liderët e BDI-së dhe PDSH-së, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.

Ahmeti pas takimit deklaroi se me Ji ka biseduar për situatën në vend dhe në rajon, zgjedhjet, të cilat do të mbahen më 5 qershor, si dhe marrëveshja e arritur më 2 qershor dhe aneksi i 15 korrikut, por edhe aktivitetet dhe angazhimi i Republikës së Maqedonisë për Samitin e NATO-s në Varshavë në korrik të këtij viti. "Jemi dakorduar se këto zgjedhje duhet të jenë kredibile, të mos kontestohen nga asnjëra palë, t'i plotësojnë të gjitha standardet dhe të mos kontestohen as lokalishtm as ndërkombëtarisht. Kemi biseduar edhe për hapat, të cilat Maqedonia do të duhet t'i ndërmerr në drejtim të angazhimeve që na presim për Samitin e NATO-s në korrik që të kemi pritje më të mëdha", deklaroi pas takimit Ahmeti. Ai theksoi se nuk është biseduar rreth spostimit të sërishëm të zgjedhjeve, por për plotësim të detyrave nga ana e të gjitha institucioneve, siç janë partitë politike, KSHZ-ja dhe të tjera, zgjedhjet do të jenë kredibile, ndërsa partitë politike, nënvizoi, ta bëjnë punën e tyre, të mos kretë presion dhe frikësim ndaj votuesve.

Në pyetjen e gazetarëve nëse pret zgjedhje kredibile, Ahmeti tha se konsideron që këto zgjedhje të jenë ndër më të monitoruarat në Republikën e Maqedonisë nga pavarësia e saj. I pyetur nëse duhet të plotësohen të gjitha kushtet duke përfshirë edhe marrëveshjen për mediat, Ahmeti theksoi se bisedohet rreth shumë çështjeve, ndërsa SHBA-ja, siç tha, kanë qenë dhe mbeten miq tanë - kanë ndihmuar në të kaluarën, ndihmojnë edhe tani. Për atë nëse do të paraqitet dhe cila është frika e tij për atë që është i ftuar sot në PSP në lidhje me rastin "Kosmos", Ahmeti u përgjigj se për atë do të "flasë atje".I pyetur nëse protestat e paralajmëruara nga BDI-ja për sot mund ta përkeqësojnë gjendjen e sigurisë në vend, lideri i kësaj partie Ahmeti potencoi se shtylla e demokracisë janë protestat. Ndërkohë, lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, pas takimit me Hojt Ji tha se porosia konkrete është se mbështetësi dhe aleati më i madh i Maqedonisë është SHBA-ja, por duhet ta kuptojmë se ne duhet që t'i japim argumenta të fuqishëm që të munden të luftojnë që sa më shpejt të bëhemi anëtar i NATO-s. Nuk ka argument më të fuqishëm se kontributi ynë që zgjedhjet të jenë të drejta dhe demokratike dhe t'i plotësojmë ato kushte që janë paraparë me marrëveshjet e 2 qershorit dhe 15 korrikut "Nga ana ime kishte skepticizëm se ende nuk është bërë asgjë që të përmirësohen kushtet. Ne si PDSH do të vazhdojmë të japim kontribut konstruktiv në këtë proces. Shumë punë në këtë proces nuk më pëlqejnë, por mendoj se kjo nuk është aq me rëndësi pasi ne jemi fuqimisht të orientuar se Maqedonia duhet të bëhet anëtare e NATO-s dhe e BE-së dhe ndonjë alternativë tjetër aty nuk mund të funksionojë", deklaroi Thaçi pas takimit me Ji në ambasadën e SHBA-së në Shkup. Lidhur me vendosjen e kryqit dhe përmendores së shqipes dykrenare, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske, Thaçi u porositi qytetarëve të mos bien preh, siç theksoi, këtyre provokimeve. "Mendojë se kjo është veç një lojë e parë e dy partnerëve çdo herë para zgjedhjeve të fitojnë ndonjë pikë politike, dhe kjo nuk është mirë.

Porosia për BDI-në është se të gjitha këto probleme duhet të zgjidhen në institucione të sistemit dhe aty për shembull të marrin vendimin që flamuri shqiptar të përdoret në Parlament, dhe jo në rrugë", tha Thaçi. Në pyetjen nëse aktivitetet e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së mund të shkaktojnë një krizë më të thellë të sigurisë në vend, lideri i PDSH-së u përgjigj se nuk beson në atë, pasi jemi nën monitorim të fuqishëm dhe çdonjëri do të marrë pikë qofshin negative, apo pozitive dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjithë. Zëvendësndihmësi i sekretarit shtetëror për çështje evropiane dhe auroaziatike të SHBA-së Hojt Ji pasdite në vilën "Vodno" duhet që të takohet me presidentin e Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov.