Dita e romëve: Të drejta të barabarta dhe jetë dinjitoze për të gjithë

Dita e romëve: Të drejta të barabarta dhe jetë dinjitoze për të gjithë

Është i nevojshëm angazhimi nga të gjitha palët e interesuara për implementimin e vërtetë të Strategjisë për përmirësimin e gjendjes së romëve në shtet. Të drejta të barabarta dhe jetë dinjitoze për të gjithë, është rruga e vetme për një vend të përbashkët të suksesshëm. Për këtë nuk janë të mjaftueshme vetëm konferencat dhe projektet, por edhe veprimi për ndërtimin e vërtetë të shoqërisë gjithëpërfshirëse shoqërore.

Kjo ishte theksuar sot në ngjarjen e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, 8 Prilli, “Sfidat dhe perspektivat e romëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut” në organizim të Shoqatës së Qytetarëve “Romaverzitas”.

“Qeveria ka vullnet të fuqishëm politik për implementim të vërtetë të Strategjisë për përmirësimin e gjendjes së romëve në shtet dhe do të angazhohet edhe më tutje për barazimin e shkallës së përfshirjes dhe integrimit të romëve me komunitetet e tjera etnike në vend. Toleranca është kusht i rëndësishëm për marrëdhënie demokratike midis grupeve të ndryshme sociale dhe shoqërore në konceptin – një shoqëri për të gjithë, kurse toleranca dhe solidariteti janë vlera jonë e përbashkët”, deklaroi në fjalimin e tij kryeministri Zoran Zaev.

Theksoi se sot festojmë një traditë unike, besime dhe kultura, si vlerë e rëndësishme në trashëgiminë botërore por edhe në kulturën e Maqedonisë së Veriut.

Përkujtoi se Kongresi i parë botëror i romëve i mbajtur më 8 prill 1990, është njëra prej datave më të rëndësishme për komunitetin romë, kur romët morën himnin e tyre dhe alfabetin dhe luftuan që të drejtat e garantuara të jenë të barabarta në shoqëri dhe të kenë të gjitha të drejtat pa diskriminim.

“Qeveria punon me personat e kategorive më të prekshme që ballafaqohen me probleme dhe nevoja më intensive. MPPS vazhdon me implementimin e projekteve që janë të njohura për komunitetin rom dhe janë në drejtim të përfshirjes së fëmijëve romë në arsimin parashkollor. Veçanërisht kujdes të madh i përkushtuam të papunësuarve romë në masat aktive për punësim. Identifikimit të personave në regjistrat e lindjes dhe ndihmë gjatë sigurimit të dokumenteve personale, kujdes i përkohshëm i familjeve që janë në rrezik social”, tha Zaev.

Potencoi se njëra prej politikave më të rëndësishme të MPPS-së është sigurimi i qëndrimit falas të fëmijëve romë në kopshtet e fëmijëve, si dhe kujdesi i zhvillimit të hershëm fëmijëror, me të cilën gjatë vitit 2018-201 në kuadër të kësaj mase në kopshte falas janë përfshirë 450 fëmijë në moshën prej tre deri gjashtë vjeç.

Nënkryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani tha se romët janë sigurisht numri më i madh i qytetarëve në botë të pranishëm kudo, por me siguri askund nuk janë të mbrojtur dhe të pranuar mjaftueshëm.

“ Për më shumë se një mijë vjet, romët dhe trashëgimia e tyre kulturore janë pjesë integrale e kulturës evropiane dhe sot ata me të drejtë janë pjesë përbërëse e BE-së, ku barazia dhe mbrojtja e romëve kanë trajtim të veçantë”, tha Osmani.

Sipas zëvendëskryeministrit, vlerësohet se në kontinentin evropian popullsia e romëve ka dhjetë milionë banorë, nga të cilët rreth 6 milionë jetojnë në BE dhe rreth 4 milionë në vendet e rajonit të EJL-së.

“Si një shoqëri multietnike, Maqedonia e Veriut, përmes zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, ka mekanizma për ofrimin e arsimimit të romëve, përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë, si dhe të gjitha mekanizmat e tjerë për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe promovimin e barazisë së tyre në shoqëri. Kjo është një mundësi për romët dhe për ne të tjerët një sfidë për të krijuar kushte për romët që ta ndiejnë vendin si vendlindje që kujdeset për të drejtat e tyre kudo”, konkludoi Osmani.

Eurokomisari Samuel Zhbogar, theksoi se BE-ja e di se ka një diskriminim të madh dhe vështirësi të mëdha me të cilat ballafaqohen romët në jetën e tyre sociale dhe se në pjesën më të madhe të vendeve ka programe me fonde evropiane të cilat fokusohen në këtë çështje.

“Nevojitet që të bëhet shumë më tepër për romët, përveç financimit dhe konferencave të organizuara nga BE, nevojiten veprimtari nga të gjitha vendet, si dhe nga anëtarët dhe kandidatët, për të shmangur diskriminimin dhe për të zhdukur paragjykimet”, theksoi Zhbogar.

Nadir Rexhepi, Drejtor Ekzekutiv i Fondit për Edukimin e Romëve (REF), tha se, si për popujt e tjerë edhe për romët, emancipimi dhe vetë-emancipimi janë thelbësore për procesin e përcaktimit të planeve kolektive.

Sipas tij, arsimi është një nga instrumentet më të rëndësishme në procesin e vetë-emancipimit dhe si i tillë është e rëndësishëm që të çlirohet nga prangat e stigmës shoqërore.

Dita Ndërkombëtare e Romëve – 8 prilli u shpall zyrtarisht në vitin 1990 në Kongresin Botëror të Unionit Ndërkombëtar Rom në Poloni. Në kongres, përfaqësuesit e romëve nga 14 vende morën vendime për flamurin, himnin, shpalljen e gjuhës rome dhe futjen e termit rom. Në Kongresin e Parë të Romëve në Londër në vitin 1971, gjuha rome u shpall si gjuhë zyrtare e të gjithë romëve në botë.

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.