Tradita organizoi manifestimin “Lidhja na Bashkon”

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Valmir Aziri mori pjesë dhe përshëndeti të pranishmit në Manifestimin “Lidhja na Bashkon”, që u mbajt  në Tetovë dhe organizohet nga Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”.  Ky manifestim organizohet tash e gjashtë vite me radhë, ku në kuadër të këtij eventi përkujtohen veprimtarët tetovar të cilët kanë qenë pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit, ndahet çmimi kombëtar “Ali Vishko” si dhe mbahet orë letrare me program artistik. Ekziston një seri e ngjarjeve që janë të ndërlidhura e në vete bartin peshën e ndërrimit të epokave, duke krijuar hapësirë për hapjen e shtigjeve të reja ku do të ecin popujt dhe shtetet. 
141-vjetori i Lidhjes së Prizrenit reflekton një rëndësi të madhe për të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet. Veprimtaria intelektuale e tetovarëve të spikatur ishte një levë shumë e rëndësishme e kongresit të Lidhjes së Prizrenit. Emri i Sheh Mustafë Tetovës i cili ishte nënkryetar i Lidhjes së Prizrenit, libri i tij i pakryer të cilin e shkroi gjatë tërë jetës së tij në vazhdimësi, shënon disa nga ngjarjet kyçe të kohës. Tetovarët të cilët me veprat e tyre lan shenjë në historikun e lavdishëm të qytetit ishin edhe: Shaip Kamberi, Ahmet Vehap Lushi, Haxhi Sadik Tetova, Hasan pashë Derralla, Esat pashë Tetova, Mehmet Efendiu, Rexhep beu, etj.
Më gëzon jashtëzakonisht fakti që, kemi një shoqatë për kulturë dhe art si “Tradita” e cila me kontributin e saj reflekton kulturën dhe veprimtarinë e shqiptarëve e në veçanti tetovarëve, doemos ata intelektualë tetovarë që kontribuan në shumë fusha. Është tejet e rëndësishme që gjeneratat e reja të kenë njohuri të thellë për veprimtarinë atdhetare dhe shkencore të këtyre personaliteteve që cekëm më lartë në mënyrë që të gjejnë motiv shtesë për të vazhduar traditën e këtyre veprimtarëve dhe njëkohësisht t’i nderojnë të njejtit. 
Me këtë, shfrytëzoj rastin të uroj këtë iniciativë që në vete ngërthen vlerë të madhe.

Please publish modules in offcanvas position.