OKB-ja vështirë se do të arrijë qëllimin e shmangies së urisë deri më 2030

Qëllimi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ta shmangur urinë deri në vitin 2030, po bëhet i parealizueshëm. Sërish në botë janë të uritur gjithnjë e më shumë njerëz, shkruan OKB në raportin e fundit lidhur me stadin e sigurisë për ushqimin në botë: 820 milionë njerëz, vuajnë nga uria kronike, ndër ta 149 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç, që janë të pazhvilluar nga mungesa e ushqimit.

Për 96 milionë njerëz “duhet të vihen në dispozicion ushqime ose t’u jepet atyre qasje tek ushqimi, në mënyrë që ata të mos vdesin”, i tha DW-së Cindy Holleman, një nga autorët kryesor të raportit.

Autorët e raportit vlerësojnë, se në mbarë botën ka rreth dy miliardë njerëz, që nuk kanë mjaftueshëm ujë të pijshëm dhe ushqime. Në përqindje në secilën pjesë të botës janë të prekura prej kësaj më shumë gratë se sa burrat. Edhe tetë për qind e popullsisë në Amerikën e Veriut dhe në Evropë janë të prekur prej pasigurisë për ushqimin.

Shumica e njerëzve që vuajnë prej urisë jetojnë në Azi me 500 milionë syresh dhe në Afrikë me 260 milionë, 90 për qind e tyre ndodhen në Afrikën e Subsaharasë.

“Pabarazia po shtohet në më shumë se gjysmën e vendeve të botës. Sa më e madhe pasiguria, aq më e madhe edhe uria”, thotë Holleman në bisedë për DW. Përballë të uriturve në botë qëndrojnë, sipas “World Wealth Report”, 18 milionë milionerë.

Raporti përmend si arsye kryesore të mungesës së qasjes tek ushqimi: konfliktet, ndryshimin e klimës dhe ekonominë e dobët.

Për shmangien e urisë në raportin e OKB-së kërkohet një marrëveshje ndërkombëtare, që të krijojë paqen dhe transformimin e qëndrueshëm ekonomik, në mënyrë që vendet në zhvillim të jenë në gjendje për t’i luftuar më mirë shkaqet e urisë.

Please publish modules in offcanvas position.