Opozita refuzon takimin me Zaevin pas skandalit me ish-kryeprokuroren

Skandali me ish-kryeprokuroren Speciale, Katica Janeva, e dyshuar për përfshirje në shantazh dhe marrje ryshfeti të 1.5 milion eurove nga një afarist, ka vënë në pikëpyetje takimin e liderëve të partive politike, të thirrur nga kryeministri Zoran Zaev, ditën e premte.

Kreu i Qeverisë, ka ftuar në takim kryetarët, atë të OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickovski, të BDI-së, Ali Ahmeti dhe të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, për të diskutuar për Ligjin e Prokurorisë Publike, regjistrimin e popullsisë dhe kodin zgjedhor.

Zaev ka thënë se opozita duhet të marrë përgjegjësinë për zhvillimet në vend dhe jo t’u ikë takimeve që janë mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve.

“Është koha e fundit që Mickovski të kuptojë se edhe opozita ka përgjegjësi dhe duhet të sjellë vendime në interes të qytetarëve dhe shtetit. Nesër, në takimin e liderëve, jam i gatshëm që të bisedoj për të gjitha temat që do t’i propozojnë liderët e partive politike. Qëndrimet tona për zgjedhje të parakohshme publikisht i kam thënë”.

“Nuk e kam ndërmend të plotësoj dëshirën për zgjedhje të parakohshme, nuk e kam ndërmend të dëmtoj perspektivat ekonomike të qytetarëve, edhe pse e di se do të fitonim. Pse të frikësohemi nga zgjedhjet e parakohshme apo të rregullta në vitin 2020, kur me sukses e futëm vendin në NATO, po hapim kapituj me BE-në, ndërsa edhe parametrat ekonomikë po shkojnë drejt qiellit, ndërsa qytetarët tashmë po i ndiejnë përfitimet ekonomike”, ka shkruar kryeministri Zoran Zaev në rrjetin social Facebook.

Please publish modules in offcanvas position.