Maqedonia e Veriut shënon 28 vjetorin e pavarësisë

Me intonimin e himnit shtetëror filloi ceremonia e shënimit të ditës së Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. Në parkun qendror të Shkupit festa u shënua nga qytetarë të shumtë dhe krerët të Qeverisë. Kryeministri Zoran Zaev tha se ardhmëria e vendit nuk i takon asnjë partie politike, por qytetarëve. Zaev iu bëri thirrje opozitës që të përfshihet në proceset e rëndësishme për shtetin.

Pikërisht ju qytetarët u bashkuat në një shumicë të zëshme dhe i larguat autokratët. U ngritët kundër ndarjeve dhe kundër interesave të ngushtë partiak, duke dhënë porosi të qartë si neve ashtu edhe opozitës aktuale se është koha që të ndjekim rrugën e duhur dhe të ecim përpara. Për shkak të përgjegjësisë ndaj qytetarëve, qëndroj fuqishëm në angazhimet e mia duke iu bërë thirrje të gjithëve, përfshirë edhe opozitën për çështjet e rëndësishme të na bashkëngjiten.”- tha Zoran Zaev, Kryeministër i RMV-së

Ndërkaq, kreu i opozitës Hristian Mickoski ditën e pavarësisë vendosi ta festoj ndryshe nga pushtetarët. Ai sot ngjiti majën e Korabit në 2.764 metra lartësi mbidetare, ku përveç flamurit shtetërorë dhe atij me diellin e Verginës, ngriti edhe flamurin e VMRO DPMNE-së. Ndërsa, në profilin e tij në “Facebook” dha porosinë se qytetarët duhet të festojnë dhe të bashkohen në këtë kohë te vështirë për shtetin.

Le të luftojmë për vendin tonë, në këtë kohë të pakohë, kur fuqishëm na tërheqin zvarrë deri në fundërrinë, ku jeta u bë ferr. Kurse, secili nga ju ndjehet dhe e di që kjo sot nuk është ajo për të cilën kanë luftuar tanët në të kaluarën dhe ajo për të cilën ne e duam sot. Andaj së bashku të luftojmë për më mirë dhe për të ardhmen tonë. Maqedonia është emri dhe mbiemri ynë, është betimi ynë.- u shpreh Hristian Mickoski, Kryetar i VMRO DPMNE-së

Në shënimin e 28 vjetorit të Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, Kryeministri Zaev u zotua se në tetor do të marrin datën për fillimin e negociatave me BE-në. Ndërsa për kreun e opozitës Mickoski edhe kjo ditë feste është zbehur nga situata politike e krijuar nga pushteti.

Please publish modules in offcanvas position.