Fiona Sampson është fituese e çmimit të madh “Naim Frashëri” të Edicionit XXIII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”

Poetja e njohur angleze Fiona Sampson është fituese e çmimit të madh “Naim Frashëri” të Edicionit XXIII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Ky është vendimi i Jurisë së Festivalit i përbërë nga studjuesit e letërsisë, Prof. dr. Ymer Çiraku (kryetar), Ndue Ukaj dhe Xhelal Zejneli (anëtarë). Drejtoria e Festivalit ia ka akorduar Laureates së sivjetshme edhe titullin Anëtar Nderi e Festivalit. FNP “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 17 – 21 tetor 2019, në qytetin e Tetovës dhe ate të Korçës.
Këtë e bën të ditur në një konferencë shtypi të mbajtur më 19 shtator, në Qendrën e Kulturës në Tetovë, anëtari i Jurisë, Xhelal Zejneli dhe drejtori i FNP “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu. Më herët, me këtë çmim letrar janë lauruar emra të njohur, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Lionel Ray (Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Peter Poulsen (Danimarkë), Athanase de Thracy (Bullgari), Kuei shien Lee (Taivan), Sebastiano Grasso (Itali), George Wallace (SHBA) etj.
Anëtari i Jurisë së Festivalit, profesor Xhelal Zejneli, paraqiti arsyetimin për dhënien e çimimit letrar “Naim Frashëri”. Poetja Fiona Sampson “është shkrimtare dhe poete mjaft e njohur, që ka botuar deri më tani njëzet e shtatë libra dhe është përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë të ndryshme. Ajo është pranuar si anëtare e Urdhërit të Perandorisë Britanike për Shërbime ndaj Letërsisë dhe njëkohësisht, si anëtare e Shoqërisë Mbretërore të Letërsisë. Është Profesoreshë e Poezisë në Universitetin e Roehampton-it dhe gjithashtu kritike, shkrimtare libretesh dhe redaktore botimesh. Ndër çmimet që ajo ka marrë deri më tani, përfshihen disa të tilla si: Njudigate Prize, Cholmondeley Auard, Hauthornden Fellouship, si dhe çmime ndërkombëtare në SHBA dhe në disa vende të tjera të botës.
Poezia e Fiona Sampson përcjell botën komplekse të njeriut të sotëm, me tërë vibracionet shpirtërore dhe relievin e botës egzistenciale të tij. Prej kësaj poezie, burojnë për te lexuesi kumte të thella, të endura këto me një gjuhë të pasur poetike, me larmi stilistike e shtresa të dendura kuptimore. Është poezi natyrale, që endet magjishëm në valëzimin e kaltër të liqeneve të dalë prej mitesh, që pastaj depërton në skutat e fshehta të botës, për të dëgjuar gjithëshka, deri edhe zërin e milingonave që nën pemë ngrenë foletë e tyre sekrete…

Please publish modules in offcanvas position.