Në UT u organizua Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave Humane, Sociale dhe i Arteve

Në hapjen solemne të këtij kongresi, më 13 nëntor, u mbajt një ligjëratë profesionale nga Prof. Dr. Theodhori Karaj, me temë: “Probleme të metodologjisë së kërkimit shkencor në shkencat sociale”. Po ashtu, në kongres u përuruan edhe pesë numrat e rinj të revistave shkencore të disa fakulteteve të UT-së, siç janë: vëllimi i pestë, numri 9,10 i revistës “Vizionit Ekonomik”; vëllimi i shtatë, numri 11 - 12 i revistës “Justicia”; vëllimi i parë, numri 1 - 2 i revistës “Edukimi”; vëllimi i gjashtë, numri 11 - 12 i revistës “Filozofika” dhe vëllimi i shtatë, numri 11 - 12 i revistës “Filologjia”. Pjesa dërmuese e revistave shkencore që i publikon Universiteti i Tetovës janë me karakter ndërkombëtar dhe të njëjtat botohen në përputhje me Ligjin për arsim të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe ajo që vlen për t’u theksuar është indeksimi i tyre në EBSCO, INDEX COPERNICUS dhe GOOGLE SCHOLAR.
Në Kongresin Ndërkombëtar të Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve u prezantuan 210 punime shkencore të rreth 300 bashkautorëve, studiues të njohur, hulumtues shkencorë nga vendi e rajoni, të cilët ndër vite kanë kontribuar për avancimin shkencor, prurjet e reja dhe tejkalimin e problemeve që paraqesin sfidë për shkencat e lartpërmendura, ndërsa më 15 dhe 16 nëntor do të organizohet edhe punëtoria me temë: “Zbatimi i metodave statistikore në hulumtimet shkencore”.

Please publish modules in offcanvas position.