Merkel: Çelje sa më të shpejtë të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Kancelarja gjermane ka thënë në Zagreb se do të bisedojë me Francën për të krijuar kushtet për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dëshiron konsensus sa më të shpejtë me Francën për reformimin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Këtë ajo e tha të mërkurën në Zagreb, pas një takimi me homologun e saj kroat, Andrej Plenkoviç. “I mbështesim planet e qeverisë kroate për të organizuar një konferencë të përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor në formatin e plotë Bashkimit Evropian. Dhe do të jetë e rëndësishme që ne të krijojmë kushtet  për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”

Duke pasur parasysh propozimin e ri të qeverisë franceze për reformimin e procesit të zgjerimit, kancelarja gjermane tha:

“Ne tani duhet të bisedojmë me Francën dhe këtë duhet ta bëjmë shumë intensivisht, për të saktësuar elementet që duhen përmirësuar , që duhen ndryshuar, në procesin e  zgjerimit. Jemi të gatshëm të bisedojmë, edhe pse qysh sot kemi një numër të madh mundësish për të qenë fleksibël,”

Merkel tha më tej se reformimi i zgjerimit “duhet t’u ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë reale anëtarësimi”. Ajo paralajmëroi se reformimi nuk duhet të ketë si pasojë BE-ja të tërhiqet nga premtimet e bëra.

Please publish modules in offcanvas position.