Tregtarët kundër rritjes së çmimit të parkingut

Të pakënaqur nga vendimi i Komunës Qendër për të shtrenjtuar hapësirat e parkimit, qindra tregëtarë nga tregu i gjelbërt kanë bllokuar rrugën dhe hyrjen e parkingut afër tregut. Ata kërkuan që të hiqet tarifa 70 denarë për një orë në parkingun afër tregut për arsye se me këtë tarifë të vendosur nga
Komuna Qendër atyre u ikin blerësit.

“Protestojmë vetëm për shkak të parkingjeve, atë e kanë shtrenjtuar pothuajse 90% nga 40 denarë e kanë bërë 70 denarë. Tani u bëjmë apel, Bogdanoviqit dhe Shilegovit. Kjo nuk është pronë private që të ngrisin çmimin nga 40 në 70 denarë, ne nuk kemi rrogë 100 mijë denarë siç marrin ata. Gjat tërë ditës qëndrojnë të shtrirë dhe marrin nga 100 mijë denarë. Ne kërkojmë vetëm që të kthehet çmimi i vjetër siç ka qenë, 40 denarë”, deklaroi një tregtar.

“Poenta është që neve me çdo kusht të na largojnë prej këtu nga tregu. Këtu ka mbi 1 mijë familje që nga kjo mbijetojnë dhe neve nesër të na nxjerrin në rrugë”, theksoi një tregtar tjetër.

“Asnjë blerës nuk do të hyjë në parking për të blerë diçka. Nëse një marullë kushton 20 denarë, kush do të paguaj 70 denarë për hyrje. E dyta, nuk na lënë që të hyjmë në parking me veturat që ne transportojmë mallëra, për atë protestojmë. Kërkojmë nga Ndërmarrja Publike “Parkingjet e Komunës Qendër” të na dalin në ndihmë që edhe ne të mund të mbijetojmë. Edhe ne jemi njerëz që kërkojmë një copëz bukë e asgjë tjetër”, tha një tregtar.