Filipçe: Kemi dy mundësi – t’i respektojmë masat, ose të na kthehen kufizimet

“Jemi përpara dy zgjedhjeve – të mësohemi pa kushte t’i respektojmë masat për mbrojtje të shëndetit, të cilat janë parakusht për normalizim të gjendjes, ose me mosrespektim të masave ta rrezikojmë sërish kthimin drejt restriksioneve dhe masave të ashpra”.

Këtë e ka shkruar në Facebook ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili shton se vetëm së bashku mund të tejkalohet kjo gjendje. 

“Besoj se nga kjo krizë do të dalim shumë më të fuqishëm dhe më të mençur dhe do të kuptojmë se sa janë të rëndësishëm solidariteti qytetar, mbështetja e institucioneve dhe ndihma e ndërsjelltë”, shton Filipçe në kumtesë, të shoqëruar me video porosi.

Filipçe vlerësoi se fillon të kthehet jeta në normalitet dhe fillojnë të hapen bizneset, po kthehet lëvizja e lirë, ndërkaq së shpejti do të hapen edhe kufijtë.

“Po hapemi, siç këtë po e bëjnë të gjitha vendet rreth nesh dhe në botë. Tani jemi përpara dy zgjedhjeve. Të mësohemi pa kushte t’i respektojmë masat për mbrojtje të shëndetit, të cilat janë parakusht për normalizim të gjendjes apo me mosrespektim të masave të rrezikojmë sërish kthimin prapa drejt restriksioneve dhe masave të ashpra”, deklaroi Filipçe.

Ai potencoi se analizat e epidemiologëve konstatuan se gjendja është stabile, ndërsa strategjia e deritanishme dha rezultat.

Filipçe theksoi se virusi nuk do të largohet dhe me të do të duhet të mësohemi të jetojmë dhe atë për një periudhë më të gjatë kohore. Kjo do të thotë, nënvizoi, se përgjegjësia e qytetarëve tani është akoma më e madhe.

“Është e palejueshme ata të cilët i respektojnë masat të jenë në rrezik nga ata të cilët nuk e bëjnë këtë. U bëj thirrje edhe institucioneve kompetente, të gjitha shkeljet të cilat e rrezikojnë shëndetin publik, duhet të sanksionohen.