Spasovski: Situata është nën kontroll, tani për tani nuk ka nevojë për karantinë

Të gjitha anketat epidemiologjike janë bërë për momentin, në këtë bazohet pohimi se situata është nën kontroll. Qeveria vazhdimisht mban seanca, në çdo moment nëse vlerësohet se ka nevojë për ndërmarrjen e masave shtesë restriktive, këtë do ta bëjmë, sepse është me rëndësi që këto masa të cilat do t’i vendosim të sjellin rezultate dhe të jenë efektive, deklaroi në një intervistë për Televizionin 24, kryeministri Oliver Spasovski.

Në lidhje me mosbashkëpunimin e disa qytetarëve të caktuar në kryerjen e anketave epidemiologjike, tha se nga fillimi i krizës kemi situata në të cilat qytetarë të caktuar nuk bashkëpunojnë mirë me shërbimet epidemiologjike, por kjo nuk është rregull, përkundrazi, siç theksoi ai, ekzistojnë disa përjashtime.

Në pyetjet e gazetarëve nëse ka vonesa me vendosjen e masave të karantinës në komunat në të cilat ka të infektuar, duke pasur parasysh se numrat e personave të infektuar janë të lartë, ndërsa nuk ka restrikcione, Spasovski potencoi se absolutisht nuk bëhet fjalë për vonesë me vendosjen e masave.

“Ne shpesh bisedojmë edhe në seancat e Shtabit kryesor së bashku me Komisionin për sëmundje infektive, qeverinë … Ky propozim është vendosur në tryezë menjëherë, kështu që absolutisht nuk bëhet fjalë nëse dikush është vonë me vendimin, pra Qeveria apo Komisionin si propozim. Ajo që është aktualisht në terren, e gjithë situata është nën kontroll, për sa i përket definimit të të gjitha klasterëve. Nëse e shikoni Shkupin, për shembull, kemi numrin më të madh të infektuarve në Saraj, Çair dhe Komunën e Gazi Babës, të gjithë këto klaster janë nën kontroll edhe pse numrat e sotëm, që janë mbi 30 në Shkup, vijnë nga ato familje që ishin në izolim. Në Shtip, situata është gjithashtu plotësisht nën kontroll”, potencoi kryeministri teknik.

Në lidhje me faktin nëse janë planifikuar masa karantine në komunat ku ka më shumë njerëz të infektuar, Spasovski tha se për momentin në Saraj po ndjekin analizat, dje, siç deklaroi ai, në këtë komunë kishte vetëm dy të infektuar, atje janë bërë të gjitha testimet e atyre klasterëve dhe nëse zhvillohet kështu situata nuk do të ketë nevojë të vendoset karantinë.

“Nëse numrat fillojnë të bien, ky është përfundimi i Komisionit, në dy deri në tre ditët e ardhshme, atëherë nuk ka nevojë të vendosni masa kufizuese. Nëse kemi rritje në ato numra, natyrisht që do të shqyrtohet vendosja e masave karantine për zona të caktuara”, tha kryeministri teknik.